Institucionet e Kosovës ndalojnë ndeshjen e kampionatit të Serbisë
BKT
Sport

Institucionet e Kosovës ndalojnë ndeshjen e kampionatit të Serbisë

Si rrallëherë, autoritetet e Republikës së Kosovës nuk e kanë lejuar zhvillimin e një ndeshjeje të garave të futbollit të Serbisë në territorin e Kosovës.  Bëhet fjalë për ndeshjen FK Trepca – FK Takovo.

Policia e Kosovës në një përgjigje për Periskopin  ka thënë se nuk e ka lejuar zhvillimin e ndeshjes në Veri. “Bazuar në informacionet zyrtare nga rajoni, pas pranimit të informatës zyrtare për zhvillimin e lojës, njësitet relevante policore kanë shkuar në lokacion, dhe bazuar në vendimet zyrtare nuk kanë lejuar të zhvillohet ndeshja/loja,” thuhet në përgjigjen e Policisë dhënë këtij portali.

Edhe Ushtruesi i detyrës së sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë për Kulturë, Rini e Sport, Ibër Alaj, ka folur në lidhjee ndalimin e zhvillimit të ndeshjes ilegale të futbollit, Takovo – Trepça, e paraparë të luhet në Mitrovicën e Veriut.

Ndeshja u ndalua nga policia e Kosovës, e që sipas Alajt i ndaloi pas kërkesës së bërë nga Ministria për Kulturë, Rini e Sport.

“Kam kërkuar nga policia e Kosovës për të marrë masat dhe ata e kanë bërë këtë bazuar në arsyetimet e dhëna”, ka thënë Alaj për Gazetën Olle.

Sidoqoftë, ndeshja është zhvilluar në një vend tjetër dhe ka përfunduar baras, 1:1.

FK Trepça, klub nga Mitrovica e Veriut, i ka thënë Gazetës Express se ndeshjen e ka zhvilluar në Rashkë.

“Ne e zhvilluam ndeshjen tonë në Rashkë. Kjo është e tëra”, tha FK Trepça për Express.

Qysh para dy ditësh klubi serb nga Kosova kishte lajmëruar se ndeshjen do ta zhvillojë në Rashkë.

Siç dihet, federata serbe garat i zhvillon edhe në Kosovë përmes klubeve të serbëve të këtushëm, të cilat nuk e njohin FFK’në.

Me rregullat e UEFA’s dhe FIFA’s garat Serbia nuk do të mund t’i zhvillonte në territorin e Kosovës që po ashtu është anëtare e UEFA’s dhe FIFA’s, por që Serbia vazhdon gjithnjë të ndërhyjë. Madje në veri serbët po e ndërtojnë edhe një stadium.