Rama i kërkon Bashës që të sqarojë nëse ka lidhje me hetuesit e UÇK-së
Kryeministri Edi Rama i kërkoi sot kreut të PD, Lulzim Basha që të sqarojë nëse ka lidhje me hetuesit e UÇK-së.
Rama shprehet se Basha ka punuar për Tribunalin dhe Departamentin e Drejtësisë së UNMIK pas luftës dhe ka hetuar personalisht vendmbajtjet e robërve në veri të Shqipërisë.
Kryeministri citon organizatën joqeveritare ndërkombëtare “Human Right Watch”.
“Lulëzim nuk kalohet me sharje kjo historia e të kaluarës tënde si hetues i UÇK! Dil sqaro popullin! “Lulzim Basha ka punuar për Tribunalin dhe Departamentin e Drejtësisë së UNMIK pas luftës dhe ka hetuar personalisht vendmbajtjet e robërve në veri të Shqipërisë”, Human Right Watch”, thekson Rama.
Ndërkohë, kreu i PD-së Lulzim Basha evitoi përgjigjen për këtë çështje ndërsa u shpreh se “Rama vazhdon cicërimat në vend që të bëjë detyrën. Shqipëria është në kulmin e infektimit ndërsa Rama është mbërthyer pas Instagramit”.
Kryeministri Rama tha se sa më shumë i shmanget përgjigjet për kontributin e tij në raportin e Dick Marty, aq më shumë e pranon faktin e tmerrshëm se është pjesë e asaj loje të ulët për njollosjen e UÇK.
“Ndërkohë që unë nuk dua ta besoj këtë dhe të bëj thirrje të dalësh e ta sqarosh popullin shqiptar! Sharjet e akuzat qesharake për mua si fajtor pse në Shqipëri numrat e të infektuarve po rriten si kudo, s’të mbrojnë dot nga kjo hije e të kaluarës që këto ditë të rënda për Kosovën, vetëm zmadhohet e rëndohet nga bishtnimi yt! Dil sqaro rolin tënd në atë raport të turpshëm”, tha Rama.
Edhe ditën e djeshme, kryeministri Rama është shprehur që Basha nuk duhet të fshihet pas Covidit, por të përgjigjet për faktin që ka qenë bashkë me mjekun peruan në bërjen e dosjes për Shtëpisë së Verdhë.























