Xhemaj: Rusia i gëzohet Gjykatës Speciale, synon ta zhbëjë edhe shtetësinë
Drejtori për komunikim i PDK-së, Bashmir Xhemaj, ka thënë se Rusia edhe zyrtarisht i është gëzuar fillimit të punës së Gjykatës Speciale.
Sipas tij, edhe ata njerëz në Kosovë që kanë pasur dyshime për karakterin e vërtetë të Speciales, duhet të binden tani se ajo po përdoret tash e një kohë si instrument për të goditur të arriturat e Kosovës dhe vë në pikëpyetje shtetin e Kosovës.
Lexoni statusin e tij të plotë:
Ashtu siç pritej, pas shumë vitesh luftë speciale nën rogoz për të fabrikuar dëshmi e akuza ndaj UÇK-së dhe Kosovës, Rusia edhe zyrtarisht i është gëzuar fillimit të punës së Gjykatës Speciale.
Ministria e Jashtme e Rusisë përmes një komunikate paska kërkuar të dënohen ushtarët e UÇK-së, pa dallim, duke i kërkuar Perëndimit t’i hapë sytë për shtetësinë e Kosovës.
“Kosova ka kohë që është bërë vatër e ekstremizmit dhe krimit si fqinjë i BE-së. Ne shpresojmë, që më në fund, Perëndimi të hapë sytë ndaj paralajmërimeve për natyrën e vërtetë të “shtetësisë” së Kosovës”, përfundon cicërrima në Twitter e MPJ-së ruse.
Edhe pak, ata njerëz në Kosovë që kanë pasur dyshime për karakterin e vërtetë të Speciales, duhet të binden tani se ajo po përdoret tash e një kohë si instrument për të goditur të arriturat tona dhe vë në pikëpyetje shtetin e Kosovës. Nuk është më sekret se rusët, serbët dhe kundërshtarët e Kosovës, pa dallim, e nxitën, financuan dhe prodhuan raportin e Dick Martyt. Qëllimi i kahmotshëm është zhbërja e Kosovës së pavarur, duke gjykuar pikërisht UÇK-në dhe themeluesit e saj.























