Bislimi: VV-ja cenoi partneritetin me SHBA-të, prandaj u prish koalicioni
BKT
Lajme

Bislimi: VV-ja cenoi partneritetin me SHBA-të, prandaj u prish koalicioni

Deputeti i LDK-së, Faton Bislimi në emisionin “Imazh” të RTK-së ka thënë se ambiciet partiake duhet të lihen anash në këtë kur bëhet për interesin nacional të Kosovës.

Sipas tij, për të mirën e qytetarëve duhet të ekzistojë një dozë e unitetit. Këtë Bislimi e ka thënë duke folur për dështimin e radhës për miratimin e Rimëkëmbjes Ekonomike, ligj ky që po dështon për të disatën herë.

“Paramendojeni që ata që ju kanë votuar t’ju vijnë të shtëpia, edhe pse kjo nuk ndodh. Prandaj duhet të kemi përgjegjësi ndaj tyre, ndaj qytetarëve të Kosovës. Neve na duhet unitet, jo që të përqafohemi, por të paktën ta kemi bashkëpunim”, ka thënë Bislimi.

Duke folur për stabilitetin e koalicionit qeverisës, Bislimi ka thënë se ka luhatje, por në përgjegjësi është stabil.

“Derisa nuk ka lëvizje të qarta që partnerët do të dalin nga qeveria, mund të them se qeveria është stabile. Shpeshherë ka lëkundje, që partnerët e koalicionet i vendosin interest e tyre para atyre të qeverisë”, ka thënë Bislimi.

I pyetur për dështimin e koalicionit të mëhershme të LDK-së me VV-në, Bislimi ka thënë se ka qenë interes nacional i Kosovës largimi i Albin Kurtit nga ekzekutivi.

“Ne e kemi pasur një marrëveshje me partnerin e kaluar dhe pas një muaj e ka bërë një shkarje të madhe në raportin ndërmjet Kosovës dhe aleatit kryesor të Kosovës, Amerikës. Kosova nuk ka qenë e gatshme dhe LDK-ja s’ka mundur të bëhet pjesë në ate që e ka çuar në shkarje të marrëdhenieve me Amerikën. Nuk kemi guxuar ta cënojmë aleancën me Amerikën”, ka thënë ai.

Sipas Bislimit, thelbi i prishjes së koalicionit me VV-në ka qenë cenimi i interesit nacional duke u cënuar miqësia me SHBA-të.

“VV-ja e ka cenuar partneritetin me SHBA-të. Kurti nuk ishte në gjendje që ti merrte parasysh kërkesat e Amerikës, respektivisht të Shtëpisë së Bardhë. Dhe ne e dijmë që pa Amerikën Kosova s’mund të ecë përpara. Nëse ka shtet tjetër që Kosovës i ka ndihmuar më shumë që nga vitet e 80-ta, le ta thonë, por nuk ka”, ka thënë Bislimi. /RTKLive/


MË SHUME NGA Lajme