Policia konfirmon lajmin e therjes me thikë të riut në Prishtinë - detajet
Raportimin e RTKLive për therje me thikë të një të riut sonte në Prishtinë e ka konfirmuar edhe Florie Ahmeti, zëdhënëse e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës.
“Rreth orës 17:00 është raportuar një rast Lëndim Trupor (therje me thikë) në një autobus i cili ndodhej në rrugën ‘Agim Ramadani’ në Prishtinë. Mbështetur në informatat e para dyshohet se një person (mashkull rreth 17 vjeçar) ka marrë lëndime trupore nga një armë e ftohtë (thikë). Personi i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor, ndërkohë që policia ka filluar ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore me qëllim lokalizimin e vendndodhjes së personave të dyshuar, si dhe sqarimin e rrethanave që lidhen me rastin”, ka deklaruar Ahmeti.
Ngjarja ka ndodhur në autobusin e linjes 7A rreth, orës 17:00, prapa ndërtesës së komunës së vjetër, (te Plepat) në Prishtinë.
Dëshimtarët që ishin në këtë autobus, i kanë thënë RTKLive se viktima ishte ulur në pjesën e përparme të autobusit, ndërsa me t’u hapur dyert e autobusit në stacion, dy persona që ishin ulur në fund të autobusit janë nisur në drejtim të viktimës dhe njëri nga ta e ka goditur me thikë në qafë dhe kanë zbritur nga autobusi duke ikur në drejtim të panjohur.
Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa personi është dërguar në QKUK.
Nuk dihen motivet e këtij sulmi të tmerrshëm. /RTKLive/























