Majko: Në Kosovë nuk ka pasur luftë civile
Ministri i Shtetit për Diasporën, ish-kryeministri Pandeli Majko, deklaroi sot se “në Kosovë nuk ka pasur luftë civile, pasi nuk mund të quhet luftë civile, kur të gjithë palët kishin një qëllim të përbashkët, shpalljen e Kosovës shtet të pavarur”.
I ftuar në një studio televizive, Majko tha se, “në Kosovë nuk ka pasur luftë civile, për një arsye shumë të thjeshtë”. “Që kur është bërë takimi i Rambujesë, në tavolinën e bisedimeve me serbët, delegacioni i Kosovës, falë edhe mënyrës kinematike të trajtimit të situatës nga presidenti i nderuar Rugovës, por edhe nga faktorët të tjerë, ata i dhanë të drejtën e drejtimit të delegacionit përfaqësuesit të UÇK-së dhe ai ishte Hashim Thaçi. Pas mbarimit të procesit të negociatës me serbët që sigurisht ishte një dështim, por njëkohësisht ishte një fitore për shqiptarët sepse ato firmosën një marrëveshje që i vendosën përpara ndërkombëtarëve. Hashim Thaçi, me mirëkuptimin e të gjithë delegacionit, u caktua kryeministri i qeverisë së koalicionit të përbashkët të të gjithëve. Lufta ka vazhduar duke pasur Hashim Thaçin kryeministër”, tha ai.
Majko tha se, “kanë qenë të gjithë bashkë”. “Mund të kishin diferenca për mënyrën se si do realizohej qëllimi, por qëllimi ka qenë 1, kjo duhet qartësuar. Lufta civile vjen kur dy palë kanë qëllime të ndryshme, ideologji të ndryshme dhe mendojnë që fundi duhet të jetë i ndryshëm. Të gjitha palët në Kosovë donin që Kosova të çlirohej dhe të shpallej shtet i pavarur”, tha Majko.
“Në dijeninë time në periudhën e luftës nuk bëhet fjalë fare të diskutoheshin krimet e shqiptarëve karshi serbëve”.
“Mund të shikoni lajmet e TANJUG që do të ishte e ndjeshme karshi çdo vrasje të ndonjë civili serb. Mjafton të shikosh ato lajme dhe të kuptosh që UÇK nuk ka qenë e akuzuar për vrasje të civilëve. Kjo që ka ndodhur nuk është thjesht një procedurë gjyqësore, por është një traumë që ne duhet të dimë ta kalojmë. Besoj që është ndjekur pak a shumë ajo që u deklarua kur u bë marrëveshja e Dejtonit, një shprehje që unë e kam përbuzur që atë kohë deklarimi i Millosheviçit ‘As fitues, as të humbur”. Në teknikë proceset gjyqësore që kanë ndjekur luftërat e ish-Jugosllavisë janë bërë pikërisht me këtë. Një lloj ekuivalentimi që krime keni bërë edhe ju, edhe ju, kur në fakt në luftën e Kosovës arsyetimi i ndërhyrjes ndërkombëtare ishte pikërisht se njëra palë kishte kaluar në krime lufte ekstreme kundër palës tjetër. Por nuk ka pasur në asnjë nga konfliktet që kanë ndodhur në hapësirën e ish-Jugosllavisë një largim kaq masiv të njerëzve, vrasje e genocid etj”, tha Majko.
Majko tha se, “nëse me gjithë këtë proces që ka ndodhur në Kosovë, ne barazojmë aksionin me reaksionin, do të kemi një problem shumë të madh”.
“Nuk mund ta vësh barazimin mes aksionit dhe reaksionit. Ngjarje të natyrave të ndryshme që kanë ndodhur ne duhet ti kuptojmë edhe nga ky këndvështrim. Nuk po them që mbaroi lufta dhe të gjithë ushtarët e UÇK-së vendosën në tytën e pushkës një degë dafine apo ulliri, por dua ta kuptojmë realitetin kështu siç është. Lufta nuk është një histori që funksionon mbi bazën e disa rregullave, sidomos kur ajo është një luftë për çlirim dhe bëhet nga një masë njerëzish të cilët as janë të edukuar me rregullat ushtarake, as janë të edukuar me rregulla të caktuara shtetërore, përkundrazi janë përfaqësues të prishjes së statuskuosë”, tha Majko.
Ai theksoi se, Serbia në marrëdhënie me Kosovën ishte një përsëritëse, e kishte bërë këtë me boshnjakët, me kroatët dhe po e ribënte sërish me shqiptarët. “Këtu janë ngatërruar nocionet e krimeve të luftës me nocione të ngjarjes që kanë ndodhur pas luftës. Lufta në kuptimin e mirëfilltë juridik ka marrë fund me marrëveshjen e Kumanovës, ku serbët shpallën kapitullimin, u ulën dhe firmosën marrëveshjen me NATO-n dhe lejuan futjen e trupave të NATO-s në Kosovë”, tha Majko.
Lidhur me diskutimet mbi figurën e Lulzim Bashës në këtë proces, Majko tha se nuk do orientohet nga koncepti i aludimeve por ka dy çështje kryesore që janë problematike.
“Kam ndjekur shumë diskutime, debate për kaseta. Është në gjykimin e të tjerëve unë nuk mund të bëhem gjykatës. Por nëse unë ndihem i shqetësuar është fakti se njeriu i cili kandidon për të qenë kryeministër i Shqipërisë do të ketë të paktën dy çështje shumë problematike, në rast se ai fiton të drejtën për të hyrë në zyrën e Kryeministrit”, tha Majko.
Sipas tij, “shteti shqiptar në një mënyrë apo një tjetër duhet të marrë një pozicion shumë të qartë publik me këtë proces gjyqësor i cili në përmbajtje është në kundërshtim me të vërtetën”.
“UÇK nuk ka qenë dhe nuk mund të ishte strukturë kriminale, por duke qenë pjesë e profilit hetues, pavarësisht situatave që krijohen, duke qenë pjesë e profilit hetues, pjesë e strukturave që janë marrë me këtë çështje, ky kryeministër i mundshëm do të ketë shumë problem të kontestojë sepse ka firmat e veta në dokumente”, tha Majko.
Çështja e dytë, sipas tij, është edhe ndjekja me konseguencë e proceseve gjyqësore në Hagë. “Ky kryeministër i mundshëm duhet të shkojë në Gjykatë Ndërkombëtare për një çështje tjetër, për çështjen e detit. Mirëpo ky kryeministër ka një marrëveshje të firmosur prej tij dhe të rrëzuar nga Gjykata Kushtuese, për çështjen e detit me Greqinë. Këto dy elementë mua sinqerisht më shqetësojnë. Në këtë pikë nuk po bëj ndonjë politikë sepse jam në konflikt të pastër interesi pasi përfaqësoj një palë tjetër, por këto dy çështje për çdo mendje të ftohtë në Republikën e Shqipërisë dhe më gjerë e krijojnë këtë problem sepse po të vete dhe të jem pala tjetër, unë do ta them që kryeministri i Shqipërisë ka firmosur marrëveshjen e detit dhe gjykatësi ndërkombëtar këtë nuk mund ta kaloj pa u vënë re. Në momentin e Kosovës është një problem i cili më tepër krijon një moment psikologjik me publikun por edhe me palën tjetër. Nëse unë sot dhe dje si kryeministër, do të kisha një relacion apo një shkresë drejtuar një strukture të NATO-s, apo t’i shprehja shqetësimin për një situatë kuazi kriminale që mund të kishte nga dikush, unë do të isha në pozitë shumë të vështirë. Nuk ja dëshiroja askujt. Këto janë dy çështje shumë problematike që mbajnë firmën e tij brenda”, tha Majko.























