Shqipëri-BE, Di Maio: Konferenca ndërqeveritare sa më shpejt

Shqipëri-BE, Di Maio: Konferenca ndërqeveritare sa më shpejt

Ministri i Jashtëm Italian Luigi Di Maio tha sot në Tiranë se Konferencat e para Ndërqeveritare mes Bashkimit europian dhe Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut, duhet të organizohen sa më shpejt të jetë e mundur.

Javën e shkuar, ministrat për Europën, të vendeve anëtare nuk arritën të gjenin një konsensus për kornizën e bisedimeve me dy vendet ballkanike. Ndërsa për Shqipërinë Hollanda ka shprehur dyshime të forta, vëmendja u përqëndrua te këmbëngulja e Bullgarisë kundër Maqedonisë së Veriut.

Ministri Di Maio tha sot në përfundim të bisedimeve me kryeministrin shqiptar Edi Rama, se "pavarësisht asaj që ndodhi javën e shkuar, ne mbetemi të vendosur për të ecur drejt arritjes së qëllimit, pra organizimin e Konferencës së parë, që nënkupton rrugëtimin e vërtetë të Zgjerimit me Shqipërinë", deklaroi ministri Italian, duke shpjeguar se ai ka patur këto ditë biseda me disa nga homologët e tij europianë "për të nxitur, organizimin së më të shpejtë të Konferencës Ndërqeveritare".

Për kryeministrin Rama "gjërat në këtë moment janë komplikuar, nga një moment ngërçi mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, në ndërkohë që po diskutohet edhe korniza negociuese me të dyja vendet, në nivelin e BE-së".

Javën e shkuar dhe ministri gjerman i Shtetit për Çështjet europian Michael Roth, vendi i të cilit ka presidencën e radhës së BE-së deklaroi pas takimit të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së, se“nuk është ky momenti që problemet dypalëshe ende të pazgjidhura të ngrihen, në nivel europian”, duke ju referuar qëndrimit të Bullgarisë. Ai shtoi se Gjermania "dëshiron që të eleminohen të gjitha pengesat, në mënyrë që konferencat ndërqeveritare të zhvillohen, mundësisht brenda fundit të këtij viti".

Por për kryetarin e opozitës Lulzim Basha, përgjegjësi për vonesat në integrimin europian të Shqipërisë është kryeministri Edi Rama. “Për herë të 7 herë në 7 vite, Shqipëria rrezikon një 'jo' tjetër apo një shtyrje, sepse detyrat e vendosura nga Këshilli Europian nuk janë realizuar. Vendi akoma nuk ka një Gjykatë Kushtetuese funksionale, nuk ka një Gjykatë të Lartë funksionale, një institucion i rëndësishëm për hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë që është Byroja Kombëtare e Hetimit”, deklaroi zoti Basha pas takimit më ministrin italian Di Maio./VOA


MË SHUME NGA Mbarëshqiptare