ZYRTARE: Joe Biden do të emëroj sekretar të shtetit mikun e madh të Kosovës

ZYRTARE: Joe Biden do të emëroj sekretar të shtetit mikun e madh të Kosovës

Presidenti i zgjedhur në Shtetet e Bashkuara, Joe Biden, do të emërojë këshilltarin e tij të vjetër dhe diplomatin veteran, Anthony Blinken, si Sekretar të Shtetit, njoftoi ekipi i tranzicionit, më 23 nëntor.

Në njoftim janë bërë të ditur edhe emra tjerë që do të zënë vend në administratën e ardhshme amerikane.

Njoftimi konfirmoi raportet e shumta në mediat amerikane në lidhje me emërimet.

Biden do të bëjë njoftimet zyrtare më 24 nëntor.

Nëse nominohet dhe konfirmohet nga Senati, Blinken do të ketë detyrë krijimin e një qasje të re të diplomacisë amerikane dhe bashkëpunimit global, pas katër vjetëve të politikës “Amerika e Para” e presidentit aktual, Donald Trump, e cila është përcjellë me ndasi në institucionet ndërkombëtare dhe përplasje me aleatët dhe konkurrentët.

* Jake Sullivan, një këshilltar i vjetër i Bidenit dhe ish-Sekretares së Shtetit dhe ish-kandidates presidenciale, Hillary Clinton, do të bëhet këshilltar i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë.

* Ish-sekretari i Shtetit, John Kerry, do të emërohet i dërguar i posaçëm presidencial për çështjet e klimës dhe do të jetë pjesë e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Pasi të marrë pozitën e presidentit, Biden planifikon të rikthehet në Marrëveshjen e Parisit për Klimën dhe të kthejë mbrapsht anëtarësimin në Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

* Linda Thomas-Greenfield do të bëhet ambasadore në Kombet e Bashkuara dhe Avril Haines do të zërë postin e drejtores së Inteligjencës Kombëtare, duke u bërë gruaja e parë në atë pozitë.

* Alejandro Mayorkas do të emërohet kreu i Departamentit të Sigurisë Kombëtare, personi i parë me prejardhje latine që udhëheq me këtë pozitë, nga e cila mbikëqyr agjencitë kryesore të zbatimit të ligjit dhe imigracionit.

Të gjitha pozitat duhet të konfirmohen nga Senati.

Njoftimi vjen derisa Biden vazhdon të vendosë bazat e administratës së tij, pavarësisht përpjekjeve të presidentit amerikan, Donald Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve.

Me Blinkenin në krye të diplomacisë amerikane, administata Biden do të synojë të shmangë përshkallëzimin e tensioneve me Iranin, të rindërtojë marrëdhëniet me aleatët dhe të menaxhojë marrëdhëniet tejet të tensionuara me Kinën.

Se sa e njeh Kosovën dhe problemet e saj, Blinken ka treguar edhe kur nuk ka qenë në ndonjë pozitë shumë të rëndësishme në SHBA. Për shembull, në nëntor të vitit 2015, ai ishte takuar me presidentin e atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçin, për t’i dhënë mbështetje fushatës së Kosovës për anëtarësim në UNESCO.

“Krenar për ta përcjellë bindjen tonë të fortë se Kosova duhet të mirëpritet nga UNESCO Konferenca e Përgjithshme si anëtare e plotë”, kishte shkruar Blinken.

Në vitin pasues, ai i ishte gëzuar suksesit të xhudistes kosovare Majlinda Kelmendi, që e kishte fituar medaljen e artë në lojërat olimpike në Rio.

“Në lojërat e tyre të parë Olimpike, urime për Kosovo për fitimin e të artës në xhudo në Rio2016”, kishte shkruar Blinken.

Ata që e njohin mirë Blinken, këmbëngulin se angazhimi i tij për të drejtat e njeriut është i vërtetë dhe i rrënjosur në përvojën e tij të gjatë. Ai është po ashtu njerku i një të mbijetuari të Holokaustit dhe kishte punuar në Shtëpinë e Bardhë edhe për ndërhyrjen e SHBA-së në Bosnjë.

Një internacionalist i lindur, Blinken do të kërkojë t’i qetësojë nervat e lodhur të aleatëve perëndimorë, shkruan The Guardian.


MË SHUME NGA Aktuale