Meta takon ministrin e Jashtëm zvicerian

Meta takon ministrin e Jashtëm zvicerian

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, këtë të martë ka pritur në një takim ministrin e Jashtëm të Konfederatës Zvicerane, Ignazi Cassis, i cili ndodhet në Shqipëri në kuadër të 50-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

Meta bëri me dije se ky jubile është një moment i jashtëzakonshëm dhe i rëndësishëm në historikun e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe bilanci i bashkëpunimit në këtë gjysëm shekulli është shumë i pasur dhe i larmishëm, veçanërisht në 30 vitet e fundit.

Ndër të tjera kreu i shtetit në këtë takim ka shprehur mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme që Zvicra ka dhënë ndaj Shqipërinë përgjatë procesit të konsolidimit të institucioneve shqiptare dhe në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë, infrastrukturë dhe energji, kujdesin shëndetësor dhe arsimin profesional.

Meta shprehu mirënjohjen për ndihmën e Zvicrës në përballimin e pasojave të 26 nëntorit 2019, në ndihma e fonde të veçanta, si dhe vlerësoi ndihmën e saj për Shqipërinë në këtë periudhë të vështirë të pandemisë së Covid -19 .

Gjithashtu ai e ka falënderuar ministrin e Jashtëm zviceran për përkrahjen dhe mundësitë, që i kanë krijuar komunitetit shqiptar në Zvicër, i cili është shembull i integrimit dhe kontributit në forcimin e marrëdhënieve tona, duke u kthyer një urë të shëndoshë e të qëndrueshme për të tashmen dhe të ardhmen e tyre në të gjitha fushat.

“Të dy vendet dhe popujt kanë shumë arsye të krenohen për marrëdhëniet e shkëlqyera shumë dimensionale dhe miqësinë e lidhjet mes tyre, në këtë përvjetor të rëndësishëm të tyre”, nënvizoi Presidenti Meta./abcnews.al


MË SHUME NGA Mbarëshqiptare