Prokuroria akuzohet se amnistoi disa raste të mos-deklarimit të pasurisë

Prokuroria akuzohet se amnistoi disa raste të mos-deklarimit të pasurisë

Në katër raste ndaj zyrtarëve të lartë publikë, Prokurori i Shtetit ka shkelur dispozitat e Kodit Penal të Kosovës.

Veprimet e të akuzuarve nuk janë kualifikuar si deklarim jo i saktë dhe i rrejshëm i pasurisë për të cilën parashihet dënim më i ashpër, por janë kualifikuar si mosdeklarim i pasurisë apo refuzim i deklarimit për të cilët parashihet dënim më i butë. Ndaj prokurorisë po hedhën akuza për amnistim të disa rasteve, e po ashtu për heshtje gjatë ndjekjes së tyre.

Kështu po nënvizon analiza e platformës “Drejtësia Sot” e titulluar “Trajtimi institucional i rasteve të mos-deklarimit dhe deklarimit të rrejshëm të pasurisë ndaj zyrtarëve të lartë publik në Kosovë gjatë vitit 2019”.

Drejtësia Sot, si platformë e Grupit për Studime Juridike dhe Politike ka analizuar trajtimin e 20 rasteve të ndaj zyrtarëve të lartë publik gjatë vitit 2019 lidhur me veprën penale "mos raportimi, ose raportimi i rremë i pasurisë, ose raportimi i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare".

Drejtoresha e GLSP-së, Rreze Hoxha tha se për hetimin e këtyre rasteve përgjegjësia bie mbi Prokurorinë e Shtetit, dhe se kjo vepër bën pjesë në kapitullin e veprave penale të korrupsionit zyrtar dhe veprave penale kundër detyrës zyrtare.

"Pos heshtjes së prokurorisë dhe ndërmarrjes së veprimeve konkrete në shumë prej rasteve, analiza ka identifikuar edhe probleme në kualifikimin e veprës penale, përgjegjësi kjo totale e prokurorisë. Në 4 raste ndaj zyrtarëve publikë në Kosovë, Prokurori i Shtetit ka shkelur dispozitat e Kodit Penal të Kosovës. Veprimet e të akuzuarve nuk janë kualifikuar si deklarim jo i saktë dhe i rrejshëm i pasurisë për të cilën parashihet dënim më i ashpër, por të njëjtat janë kualifikuar si mosdeklarim i pasurisë apo refuzim i deklarimit për të cilën parashihet dënim më i butë", tha drejtoresha e GLSP-së.

Sipas Hoxhës, kjo ka ndodhur për shkak se nuk është bërë emërtimi i duhur ligjor i veprës penale, në rastet kur zyrtarët e lartë publik nuk e kanë deklaruar saktë të dhënat për pasurinë e tyre në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK). Kështu siç tha ajo, janë amnistuar duke u akuzuar për veprat penale me dënim më të vogël.

Hoxha shtoi se në këtë analizë kanë analizuar edhe trajtimin e këtyre rasteve nga ana e gjykatave.

“Në asnjërin prej këtyre rasteve nuk është shqiptuar dënim me burgun efektiv. Në 8 raste është shqiptuar dënim me gjobë, në 1 rast është shqiptuar dënim me kusht. Në 8 raste është shqiptuar dënim kumulativ (bashkërisht) me gjobë edhe me kusht. Ndërsa në 3 raste është shqiptuar sanksioni penal ‘vërejtje gjyqësore’. Në 15 raste penale që kanë të bëjnë me mosdeklarim të pasurisë janë shqiptuar dënime me gjobë nga 200 deri në 600 euro, shuma këto për të cilat Drejtësia Sot konsideron se janë tejet minimale për një zyrtar të lartë publik. Kjo duke marrë parasysh peshën e veprës penale dhe duke krahasuar me dënimin që ka qenë i paraparë për këtë vepër në kohën kur e njëjta ka qenë e kualifikuar si kundërvajtje, me dënim minimal në shumën prej 1000 euro”, ka shtuar ajo.

Në këtë konferencë, Rreze Hoxha nga GLSP shtoi se në Kosovë ka mungesë të trajtimit të mirëfilltë të këtyre rasteve. Ajo tha se me Kodin e ri Penal për këtë vepër penale nuk mund të realizohet konfiskimi i pasurisë së fituar në mënyrë jo ligjore, ashtu siç ishte paraparë me Kodin e vjetër Penal. Tashmë mund të konfiskohet vetëm vlera e padeklaruar ose e deklaruar rrejshëm e pasurisë, por jo edhe pasuria e fituar në mënyrë jo ligjore, ndryshim ky që ndikon direkt në pamundësinë e luftimit të krimit dhe korrupsionit.

Për këtë ka pasur edhe disa rekomandime për qeverinë.

“Në kuadër të zgjidhjeve të reja ligjore ne Kodin Penal të Kosovës duhet të bëhen plotësime, në atë mënyrë që konfiskimi i pasurisë të përcaktohet detyrimisht nëse vërtetohet pasuria e zyrtareve është joligjore, ashtu siç ishte paraparë në Kodin Penal të vitit 2013, dhe jo vetëm të konfiskohet vlera e padeklaruar ose e deklaruar rrejshëm e pasurisë, siç është aktualisht në Kodin Penale të vitit 2019. Ndërsa në Ligjin për Deklarimin e Pasurisë duhet të specifikohet kontrolli i plotë i pasurisë për zyrtarët me pozita të larta shtetërore dhe institucionale”, ka përfunduar Hoxha.

Në këtë raport është thënë se Prokurori i Shtetit duhet të rrisë bashkëpunimin me Agjencinë Kundër Korrupsion, që të njëjtit të bazohen në raportet e tyre për të iniciuar procedurat penale ndaj të gjithë zyrtarëve publik që dyshohet që nuk e kanë deklaruar apo e kanë deklaruar rrejshëm pasurinë e tyre në këtë agjenci.

Drejtësia Sot ka ofruar rekomandime edhe për gjyqtarët, nga të cilët është kërkuar seriozitet më i madh, dhe që të respektojnë afatet ligjore të caktimit dhe mbajtjes së seancave të shqyrtimit fillestar, dhe gjatë shqyrtimit të rastit të vlerësojnë të gjitha rrethanat rënduese dhe lehtësuese me rastin e matjes së llojit dhe lartësisë së dënimit.


MË SHUME NGA Aktuale