Hoti telefonon Vjosa Osmanin, flasin për misionet diplomatike
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se sot e ka telefonuar u.d e presidentit Vjosa Osmani për t’i uruar shërim të shpejtë në përballjen me koronavirusin.
Po ashtu Hoti thotë se do të përmbyllë së shpejti analizën e rishikimit funksional të rrjetit të misioneve diplomatike të Kosovës. Mbi bazën e kësaj analize, ai shkruan se do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar funksionim efikas të misioneve diplomatike të Republikës së Kosovës.
"Sot, në një bisedë telefonike, i kam uruar shërim të shpejtë Kryetares së Kuvendit dhe ushtrues së detyrës së Presidentes, znj. Vjosa Osmani. E njoftova znj. Osmani se Qeveria e Republikës së Kosovës do të përmbyllë së shpejti analizën e rishikimit funksional të rrjetit të misioneve diplomatike të Kosovës. Mbi bazën e kësaj analize, do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme: (1) për të siguruar funksionim efikas të misioneve diplomatike të Republikës së Kosovës; dhe (2) përbërja e misioneve diplomatike të jetë në përputhje me ligjin", ka shkruar kryeministri Hoti.























