Së shpejti mbledhja e përbashkët e qeverive, Kosovë –Maqedoni e Veriut
BKT
Lajme

Së shpejti mbledhja e përbashkët e qeverive, Kosovë –Maqedoni e Veriut

Kosova dhe Maqedonia e Veriut do të mbajnë mbledhje të përbashkët të dy qeverive në janar të vitit të ardhshëm.

Ky dakordim ka ardhur pas takimit të dy zëvendëskryeministrave Albulena Balaj-Halimaj dhe Artan Grubi.

Balaj-Halimaj në konferencë të përbashkët me Grubin tha se në mbledhjen e përbashkët do të nënshkruhen një varg marrëveshjesh në fusha të ndryshme.

“Sot në takim me Grubin kanë diskutuar shumë tema që ndërlidhin vendet tona dhe si ta thellojmë bashkëpunimin tonë. Si ide ka qenë edhe për tu mbajtur një mbledhje e dy qeverive ku përsipër kemi marrë që ta realizojmë edhe këtë mbledhje ku do të ketë marrëveshjeve të ndryshme në fusha të ndryshme”, ka thënë Balaj-Halimaj.

Tutje ajo ka bërë të ditur se në këtë takim janë diskutuar edhe marrëveshjet  e mundshme që kanë diskutuar kryeministrat siç ka qenë ajo e pikës kufitare.

“Po ashtu diskutuam për rrugën Prizrenit të cilët do ta realizojmë sa më shpejt. Po ashtu kemi diskutuar për Brezovicën si dhe marrëveshjet në fushën e arsimit. Mesi i muajit janar do të jetë i mundshëm për këtë mbledhje të përbashkët të dy qeverive”, ka shtuar Balaj-Halimaj.

Ndërsa zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, theksoi se në këtë takim diskutuan rreth gatishmërisë që të dy qeveritë të mbajmë mbledhjen e përbashkët.

“Kemi shumë çështje dhe marrëveshje për të nënshkruar. Që nga qershori janë përgatitur goxha marrëveshje por kishte zgjedhje dhe ishte kohë pandemie. Kurse tash do të jemi të gatshëm brenda javëve në vijim të mbahet kjo mbledhje. Kemi vendosur që të nisim procedurën publiko private për rrjetin terciar. Diskutuam edhe për autostradën Shkup-Bllacë. Kemi filluar t’i qasemi kësaj rruge. Punimet kanë filluar me çmim 14 milion euro dhe shpresojmë të përfundojnë vitin e ardhshëm. Të kalojmë pa kufi midis dy vendeve tona. Një çështje tjetër e rëndësishme është bashkëpunimi në sferën e turizmit”, tha ai, raporton EO.


MË SHUME NGA Lajme