Foden kualifikon City-n, M’gladbach fiton sërish me goleadë

Foden kualifikon City-n, M’gladbach fiton sërish me goleadë

Ka mjaftuar një gol i talentit anglez Phil Foden në minutën e 36-të të ndeshjes, që Manchester City të triumfojë me rezultatin minimal 0-1 ndaj Olympiacos në Athinë dhe të sigurojë kalimin për në fazën e 1/8-ave të Ligës së Kampionëve.

Ndonëse në kampionat nuk e kanë nisur aspak mirë, “citizens” po paraqiten në mënyrë perfekte në Ligën e kampionëve, pasi kanë marrë katër fitore në po kaq ndeshje dhe me 12 pikë të plota, kanë siguruar kualifikimin kur kanë mbetur ende edhe dy ndeshje për t’u luajtur.

Grupi B është ai më interesanti deri në këtë pikë të Ligës së Kampionëve, pasi Borussia Monchengladbach ka hedhur një hap drejt kualifikimit për në fazën e 1/8-ve me fitoren e thellë 4-0 ndaj Shakhtar Donetsk.

Në një grup ku bëjnë pjesë edhe emra të mëdhenj si Interi e Reali i Madridit, të cilat do të përballen me njëra-tjetrën sonte në “San Siro”, gjermanët kanë shkuar në kuotën e 8 pikëve në krye dhe janë pretendentët kryesorë për t’u kualifikuar.

Mbrëmjen e sotme ndaj Shakhtarit, Borussia zgjidhi gjithçka që në pjesën e parë, duke shënuar tre herë me anë të Stindl, Elvedi e Embolo, ndërsa në 45-minutëshin e dytë vulosi suksesin 4-0 mesfushori suedez Oscar Wendt.