Gjykata Kushtetuese ende me 4 anëtarë, Yuri Kim: Të plotësohet sa më parë

Gjykata Kushtetuese ende me 4 anëtarë, Yuri Kim: Të plotësohet sa më parë

Ajo ka tashmë 4 anëtarë, ndërsa duhen 6 që të jetë funksionale, por, nuk dihet nëse ky qëllim do të arrihet, pavarësisht faktit se ndërkombëtarët po kërkojnë me ngulm plotësimin e saj, në mënyrë që Shqipëria të plotësojë kushtet për nisjen e negociatave me Bashkimin Evropian.

Çfarë po pengon funksionimin e Gjykatës Kushtetuese?

Që nga viti 2018, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë nuk mund të marrë dot asnjë vendim. Si pasojë e Vetingut, në këtë gjykatë mbeti vetëm 1 gjyqtare, edhe ajo me mandat të përfunduar. Vitore Tusha, e cila vijon të mbajë detyrën që prej marsit të vitit 2008.

Shkarkimet e Fatos Lulos, Altina Xhoxhaj, Famir Hoxha dhe Gani Dizdarit e futën në emergjencë këtë gjykatë që vetë e kishte kaluar me 6 vota pro ligjin e rivlerësimit, njofton euronews.albania.

Më pas edhe kryetari, Bashkim Dedja u rrëzua nga shkalla e dytë e Vetingut pasi u konfirmua në shkallën e parë.

Gjykata Kushtetuese kërkon minimumi 6 anëtarë që të jetë funksionale, pra të zhvillojë seanca gjykimi dhe momentalisht ka vetëm 4 anëtarë, pas përzgjedhjes së Elsa Toskës, Fiona Papajorxhit, dhe Marsida Xhaferllarit, mandati i së cilës do të jetë çështje e gjykimit të kësaj gjykate.

Në planin e veprimit të qeverisë shqiptare si dhe në kushtet e vendosura nga Këshilli Europian, kërkohet që kjo gjykatë të bëhet funksionale brenda dhjetorit të këtij viti.

Kjo është shndërruar dhe në misionin kryesor të ambasadorëve kryesorë në Shqipëri dhe për këtë arsye, me një gjuhë të qartë, Yuri Kim kërkoi angazhim maksimal në takimin me Kryetaren e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Vitore Tusha.

“Luigi Soreca dhe unë u takuam sot me Kryetaren e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Tusha, për të rikonfirmuar afatin kohor për emërimin e kandidatëve të kualifikuar në Gjykatën Kushtetuese. Takimi i nesërm i KED, i cili, si zakonisht, përfshin vëzhgues nga Parlamenti dhe Presidenca, duhet ta çojë procesin përpara, në mënyrë që Shqipëria të ketë një Gjykatë Kushtetuese funksionale deri më 31 dhjetor.

Kur kjo të ndodhë, udhëheqësit,  sidomos Presidenti Ilir Meta, kryetari i Parlamentit Ruçi dhe kryetarja e KED Tusha, do të meritojnë lëvdata për ndërmarrjen e veprimeve urgjente, në përputhje me opinionin e Komisionit të Venecias dhe në përgjigje të kërkesës së popullit shqiptar për Reformën në Drejtësi”, u shpreh Yuri Kim.