Akuza nga avokati i Maradonës: Ambulanca vonoi më shumë se gjysmë ore
BKT
Sport

Akuza nga avokati i Maradonës: Ambulanca vonoi më shumë se gjysmë ore

Bota e futbollit është tronditur në ditën e djeshme teksa një nga më të dalluarit e saj, Diego Armando Maradona nuk është më. Legjenda argjentinase u nda nga jeta si pasojë e një arresti kardiak, ndërsa sot në Argjentinë dhe në Itali, në Napoli, të gjithë po i japin lamtumirën e fundit.

Ndërkohë, një akuzë vjen edhe nga avokati i Maradonës, Matias Morla i cili shprehet se ambulanca është vonuar për më shumë se gjysmë ore dhe se nuk i ishte ofruar shërbim shëndetësor për më shumë se 12 orë, transmeton Vip Sport.

“E ndjej në zemër ikjen e mikut tim, të cilin e kam shoqëruar me besnikëri deri në ditët e fundit. Është e pashpjegueshme për mua si shok, që ai nuk ka marrë shërbim për 12 orë. Ambulanca vonoi më shumë se gjysmë orë, kjo është një idiotësi kriminale. Ky fakt nuk mund të kalohet lehtësisht, dhe do të kërkojë që kjo ngjarje të mos neglizhohet. Siç Diego më thoshte: “Je ushtari im, vepro pa mëshirë”, u shpreh avokati.