Osmani-Sadriu: Palët janë njoftuar me shkarkimet e konsujve

Osmani-Sadriu: Palët janë njoftuar me shkarkimet e konsujve

Ushtruesja e detyrës së presidenja, Vjosa Osmani - Sadriu i është kundërpërgjigjur ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, pasi tha se nuk është njoftuar zyrtarisht për vendimin lidhur me shfuqizimin e katër dekreteve, që do t’i kthejë në Kosovë katër konsujt e përgjithshëm të emëruar muaj më parë.

Bekim Kupina, këshilltar për Media në Presidencë në një sqarim për RTKlive, thotë se u.d. presidentja Vjosa Osmani – Sadriu, përpara publikimit të vendimit, për shfuqizimin e katër dekreteve për emërimin e konsujve të përgjithshëm të Kosovës, e ka njoftua kryeministrin Avdullah Hoti dhe ministren Meliza Haradinaj -Stublla.

“U.d. Presidentja përpara publikimit të vendimit e ka njoftua Kryeministrin Hoti në orën 10:30 dhe pastaj ministren Haradinaj rreth orës 17:00.

Të mërkurën, Presidenca ka njoftuar se u.d. e presidentes, Vjosa Osmani i ka shfuqizuar katër dekretet për emërimin e konsujve të përgjithshëm të Kosovës në Pragë, Lubjanë, Shkup dhe Tiranë.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës sot ka thënë se ende nuk është njoftuar zyrtarisht për vendimin e ushtrueses së detyrës së presidentes, Vjosa Osmani lidhur me shfuqizimin e katër dekreteve, që do t’i kthejë në Kosovë katër konsujt e përgjithshëm të emëruar muaj më parë.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk ka pranuar ende zyrtarisht nga Presidenca asnjë dekret në lidhje me atë që është raportuar në media – shfuqizimin e dekreteve për katër konsujt të përgjithshëm”, thuhet në një përgjigje të ministrisë për Express.

MPJD ka thënë se nuk mund të ndërmarrin asnjë hap, derisa t’i pranojnë zyrtarisht dokumentet nga Presidenca.