Profesori bullgar:Gjykata Speciale padrejtësi e madhe ndaj Kosovës

Profesori bullgar:Gjykata Speciale padrejtësi e madhe ndaj Kosovës

Politologu bullgar Anton Panchev në një intervistë për Aktuale.live, flet për zhvillimet e fundit në Kosovë.

 “Zhvillimet e fundit dhe përpjekjet për njollosjen e luftës së drejtë të UÇK-së dhe të popullit shqiptar në Kosovë janë faza të rëndësishme të “Luftës së Tretë Ballkanike” – lufta për të vërtetën historike dhe për përfitimin e opinionit ndërkombëtar”, ka thënë Panchev.

Aktuale.live: Sipas mendimit tuaj, çka ka ndikuar që krerët udhëheqës të UÇK-së, por edhe të Shtetit të Kosovës të gjykohen për krimet e luftës për të katërtën herë?

A.Panchev:Gjykata Speciale është një padrejtësi e madhe që në thelbin e saj. Serbia kryente gjenocid në Kosovë dhe faktikisht fundi i viteve të 90-ta të shek. të kaluar e solli valën e radhës të krimeve masive serbe kundër popullsisë shqiptare në këto troje. Drejtësia ndërkombëtare ka dështuar në përndjekjen dhe në dënimin e kriminelëve serbë të luftës, sepse shumë prej tyre madje nuk morën asnjë akuzë, por të kundërtën – u rehatuan në postet më të larta në shtetin serb. Sipas meje, kjo sjellje tepër të gabueshme të faktorit ndërkombëtar mund të kërkohet në dy drejtime. Në vend të parë janë lojërat gjeopolitike që kanë për qëllim tërheqjen e Serbisë në anën perëndimore dhe shkëputjen e saj nga orientimet proruse. Pra, disa qarqe perëndimore mendojnë se mund t’i japin Serbisë disa “përfitime” dhe ajo do të shkonte kah Perëndimi! Është një sjellje naive, sepse liderët e Serbisë kanë një traditë bukur të gjatë për lojëra të dyfishta dhe me sukses e manipulojnë me këto politika faktorin perëndimor. Së dyti, Serbia ka shumë përvojë dhe vegla për mashtrimin e botës së jashtme me propagandën e saj perfide për gjoja “rolin e saj qytetërues” në Ballkan! Disa qarqe në vendet perëndimore kanë rënë prapë në këto kurthe serbe se jo vetëm shovinistët në Beograd kanë faj për gjenocidet dhe luftërat të përgjakshme në vitet 90-ta në ish Jugosllavi, por edhe të tjerët paskan kryer krime dhe “të gjithë” duhej të dënoheshin!

Aktuale.live: Si mund të tejkalohet kjo padrejtësi që ju ka bërë Kosovës në relacion më Serbinë?

A.Panchev:Tani, disa vjet pas ngritjes së kësaj Gjykate, do të ishte shumë vështirë që ajo të hiqet nga amendamentet kushtetuese dhe të mbyllet. Sipas meje, faktori politik dhe veçanërisht ky intelektual shqiptar duhet të përqendrohen mbi mbrojtjen shkencore të luftës së UÇK-së dhe të Kosovës si vise historike shqiptare. Kjo mbrojtje duhet të jetë në nivel ndërkombëtar dhe të ngrihet si çështje politike në bisedimet Prishtinë – Beograd me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të BE-së dhe të SHBA-ve. Propagandës serbe duhet t’i përgjigjet me argumente të shumta shkencore të paraqitura në zyrat e shteteve më të fuqishme në botë.

Aktuale.live: A është ky një rast i mirë që spektri politik gjithë shqiptar të unifikohet dhe të vepron si një trup i vetëm?

A.Panchev:Bashkimi i spektrit mbarëshqiptar jo vetëm në Kosovë, por edhe në përgjithësi, në lidhje me aspiratat serbe ndaj Kosovës duhej të ndodhte që moti. Shqiptarët e Kosovës, ndihmuar në mënyrë të pakursyer nga faktori politik dhe intelektual shqiptar në shtetet e tjera, duhet të përpunojnë një platformë të qartë dhe të kompletuar në lidhje me pretendimet plotësisht të pabazuara serbe ndaj Kosovës. Një platformë e tillë duhet të përfshijë të gjitha elementet kryesore në lidhje me Kosovën – e vërteta historike për këto troje si pjesë e pandashme nga trungu etnik shqiptar, gjenocidi serb kundër shqiptarëve, mbrojtja e sovranitetit, e integritetit të shtetit të Kosovës, e tërësisë territoriale, e të drejtave të shqiptarëve në Serbi etj. Duhet të përshkruhen të gjithë hapat, etapat dhe përgjegjësitë institucionale. Realizimi i suksesshëm i kësaj platforme kërkon mobilizimin e tërë potencialit politik dhe intelektual shqiptar. Çdo parti politike shqiptare duhet të angazhohet që t’i përmbahet kësaj platforme qoftë në pushtet, qoftë në opozitë. Zhvillimet e fundit dhe përpjekjet për njollosjen e luftës së drejtë të UÇK-së dhe të popullit shqiptar në Kosovë janë faza të rëndësishme të “Luftës së Tretë Ballkanike” – lufta për të vërtetën historike dhe për përfitimin e opinionit ndërkombëtar.

Aktuale.live: Vlerësime në lidhje me kontestin Shkup – Sofje dhe pozita e shqiptarëve

A. Panchev: Shqiptarët në përgjithësi dhe sidomos shqiptarët e Maqedonisë së Veriut mund të përfitojnë disa gjëra shumë të rëndësishme për interesat e tyre në lidhje me mënyrën e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve Shkup – Sofje. Së pari, parimet e mirëfillta shkencore duhet të zbatohen në hulumtimin dhe në zgjidhjen e të gjitha kontesteve me prapavija historike në Ballkan. Shqipëria ka probleme të shumta me Greqinë dhe ndërmjet përfaqësuesve të këtyre dy shteteve duhet të ketë debate edhe për tema historike. Nuk duhet të bëhet paralel midis kontestit Bullgari – Maqedoni e Veriut dhe kontestit Greqi – Shqipëri, sepse Sofja zyrtare kërkon nga Shkupi që të pranojë të vërtetën historike, derisa Athina insiston që Tirana të pranojë disa të pavërteta. Kështu është edhe në mosmarrëveshjet Kosovë – Serbi, ngaqë në thelbine tyre qëndrojnë pretendimet serbe për Kosovën si “djepi i Serbisë”. Debatet dhe mosmarrëveshjet në lidhje me këto ngjarje dhe procese historike duhet të zgjidhen mbi parime të qarta shkencore, pra duke u bazuar mbi dokumente. mbi interpretimin shkencor të ngjarjeve historike duke u mbështetur mbi burimet autentike dhe mbi provat objektive. Zyrtarët dhe shkencëtarët bullgarë gjithsesi nuk dëshirojnë që t’ua imponojnë me forcë qëndrimet e tyre përfaqësuesve maqedonas në lidhje me çështjet e lartpërmendura, si edhe në lidhje me çështje të tjera. Ata kërkojnë debate të ndershme, por edhe rezultate reale në afate të shkurtra. Debatet, vlerësimet dhe rezultatet prej tyre duhet të bazohen mbi realitetin objektiv etnik, kulturor, gjuhësor, fetar në këto troje nga epoka e Mesjetës së Hershme deri fundin e shek. XX. Ky realitet mund të ketë trajtime të ndryshme në disa aspekte, sidomos në shek. XX, dhe historiografia bullgare nuk është “perfekte” (asnjë historiografi në botë nuk mund të ketë pretendime në ndriçimin “perfekt” të së kaluarës), por trajtimi dhe përfundimet gjithmonë duhet të mbështeten mbi fakte, argumente dhe burime të kohës të shqyrtuara në mënyrë krahasimtare. 

Së dyti, ridefinimi i identitetit të falsifikuar të maqedonasve të tanishëm duhet të sjellë dobi edhe për shqiptarët në këtë shtet. Në librat mësimorë në Maqedoninë e Veriut ka jo pak tekste që janë fyese për kombin shqiptar. Duhet të ndryshohet mënyra e shkrimit dhe e mësimit. Nuk mund të ketë gënjeshtra për bullgarët dhe të mos ketë edhe për shqiptarët, sepse me rëndësi është fryma që mbretëron në një shoqëri. Kur dominon urrejtja, që edhe më keq, kur ajo bazohet mbi falsifikime të turpshme, është “normale” kjo urretje të prekë segmente dhe komunitete të tjera në këtë vend. 

Së treti, gjeopolitika dhe interesat e shqiptarëve kërkojnë ata të ndjekin me vëmendje zhvillimin e kontestit Shkup – Sofje. Pa dyshim, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë dëshirë dhe interes shteti, në të cilin jetojnë, të integrohet sa më shpejtë e mundshme në BE. Pra, në shikim të parë duket sikur vetoja bullgare u bën kërdi edhe shqiptarëve. Mirëpo, duke e analizuar pasqyrën e plotë, ndoshta në mënyrë paradoksale, mund të bëhet përfundimi që vetoja bullgare, tani ose në të ardhme, është në përputhje me interesat strategjike shqiptare. Pse? Republika e Maqedonisë së Veriut shkon drejt BE-së së bashku me Republikën e Shqipërisë. Është nga interesi shqiptar që këto dy shtete të mos ndahen në këtë proces. Kur e dimë se Shqipëria në një ose në disa momente do të ballafaqohet me ndonjë bllokim grek, bllokimi i Maqedonisë së Veriut nga Sofja do ta ndihmonte në mënyrë të tërthortë edhe Shqipërinë, sepse pranimi eventual i Maqedonisë së Veriut në BE para Shqipërisë do të sillte pasoja katastrofale gjeopolitike edhe për shqiptarët, edhe për Bullgarinë. Kjo për shkak të aleancës së hapur ndërmjet Serbisë, Greqisë dhe klasës politike në Shkup. Po të realizohej një skenar i tillë Bullgaria do të zinte shumë ngushtë në BE nën presionin e koordinuar të këtyre tria vendeve, derisa shqiptarët do të bllokoheshin plotësisht. Interesi bullgar dhe ky shqiptar është i njëjtë – së pari, Shqipëria të hyjë në BE së bashku me Maqedoninë e Veriut dhe nëse është e mundshme edhe me Serbinë, dhe, së dyti, në Shkup të jetë në pushtet një klasë politike orientuar ndaj Tiranës dhe Sofjes.

Biografia: Anton Pançev është lindur më 28 dhjetor 1978 në qytetin Srednogorie. Ka studiuar në Universitetin e Sofjes “Shën KlimentOhridski”, ku ka mbaruar Degën e Shkencave Politike (1997-2003, Master) dhe Degën e Ballkanistikës (2000-2005, Master). Në vitin 2013 e ka mbrojtur disertacionin me temë për zhvillimet politike në Shqipëri pas vitit 1991 dhe e ka marrë titullin Doktor i Shkencave politike. Nga viti 2009 është profesor asistent në Degën e Ballkanistikës, ku ligjëron shqip dhe disa lëndë zgjedhëse për zhvillimet politike në Ballkan. Ka mbi 50 punime shkencore në shqip, bullgarisht dhe anglisht, të botuara në disa vende, ku trajtohen marrëdhëniet bullgaro-shqiptare nga pikëpamje historike, politike dhe gjuhësore. Ka marrë pjesë në mbi 30 konferenca shkencore në Bullgari dhe në vende të tjera. Ka përkthyer 10 libra nga shqip në bullgarisht dhe anasjelltas dhe shumë tekste të tjera. Merret edhe me analiza politike për gazeta dhe revista, ku në fokus janë marrëdhëniet bullgaro-shqiptare.  


MË SHUME NGA Intervista