Kadaj: Pas raportimit në RTK, komisioni u mobilizua për letrën e Simonsit
BKT
Lajme

Kadaj: Pas raportimit në RTK, komisioni u mobilizua për letrën e Simonsit

Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, anëtare e Komisionit për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës në emisionin “Imazh” të RTK-së ka folur për letrën e ish gjyqtarit të EULEX-it, Malkolm Simons e publikuar në RTK.

Kjo letër ishte dërguar që në muajin korrik në komisionin për Legjislacion, por deri në momentin e publikuar nga RTK-ja, anëtarët e komisionit nuk ishin në dijeni të kësaj letre.

“Një letër e cila është dërguar që pesë muaj dhe për të cilën ne nuk kemi pas informacion duhet ta trajtojmë, sepse është adresuar tek ne, dhe pasi që e pamë përmbajtjen e kësaj letre ishte shqetësuese. Ishte shqetësuese, sepse kishte pretendime të rënda dhe nëse ato pretendime të SImonsit dalin vvërteta, atëherë kemi degradim të gjyqësorit”, ka thënë ajo.

Tutje Kadaj-Bujupi ka thënë se Kuvendi nuk ka ndonjë tendencë që të ndërhyhet në drejtësi, mirëpo pretendimet janë të natyrës shumë serioze.

“Bëhet fjalë për shklejne e të drejtave të njeriut nga EULEX-I”.

“EULEX-i dhe gjyqtarët e këtij misioni kishin kishin fuqi të plotë në zbatimin e ligjit në Kosovë dhe nëse ka të vërteta në letrën e zotit Simons, atëherë është shumë serioze”, ka thënë deputetja e AAK-së.

Sipas saj, anëtarët e Komisionit nuk kishin dijeni për letrën, sepse ajo është mbajtur e fshehur.

“Unë kam kërkuar të shohim letrën, meqë e kisha parë në RTK dhe letra ishte shumë shqetësuese. Administrata nuk e ka asnjë fajë, sepse ata e kanë kryer punën e vet dhe me kohë e kanë njoftuar kryetarin e komisionit, Shkëmb Manaj”, ka thënë Kadaj-Bujupi.

Në anën tjetër gazetari i RTK-së, Hysni Demaku i cili e ka publikuar letrën e Malkolm Simonsit, ka thënë se vetëm pasi letra ka dalë në RTK është aktivizuar Komisioni për Legjislacion dhe kryetari i Komisionit.

Simons ka qenë kryetari i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, trupit me të lartë të drejtësisë në EULEX. /RTKLive/


MË SHUME NGA Lajme