Selimi: Gëzuar Festat e Nëntorit gjithë shqiptarëve kudo që janë
Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, sot në festën e Flamurit, ka nënshkruar vendimin për dhënien e ndihmës financiare për kthimin e degës së gjykatës në Komunën e Preshevës. Selimi thotë se këtë vendim e ka nënshkruar duke e bërë me dije edhe një herë se ndarja në mes të shqiptarëve nuk ekziston dhe se 28 Nëntori është data më e mirë identifikuese e të gjithë shqiptarëve.
"Këtë vendim po e nënshkruaj si dëshmi se me kujdesin e duhur për vëllezërit tanë të cilët padrejtësisht janë të ndarë nga trungu amë, mund të realizojmë kërkesat e ligjshme për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve të Luginës", tha Ministri Selimi.
Ai në rrjetin social Facebook uron shqiptarët, kudo që jetojnë, me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit.
Ja postimi i plotë:
Në shënim të 28 Nëntorit - Ditës së Flamurit, festës që na mban një në ndjenja dhe zemër të gjithë shqiptarët për shekuj me radhë, ashtu siç ishim dhe do të jemi gjithnjë, kam nënshkruar vendimin për dhënien e ndihmës financiare për kthimin e degës së gjykatës në Komunën e Preshevës, si dëshmi se me kujdesin e duhur për vëllezërit tanë të cilët padrejtësisht janë të ndarë nga trungu amë, mund të realizojmë kërkesat e ligjshme për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve të Luginës. Me rikthimin e degës së Gjykatës në Preshevë, qytetarëve të kësaj komune iu garantohet mbrojtje më kuptimplotë e të drejtave të tyre, gjykim i drejtë dhe qasje me e shpejtë në drejtësi. Jemi bashkë, duke mos kursyer asgjë për t’iu bërë ballë presioneve të vazhdueshme të shtetit serb dhe për fuqizimin e faktorit shqiptar në Luginën e Preshevës.
Gëzuar Festat e Nëntorit gjithë shqiptarëve kudo që janë
























