Megzon Visoka e rikthen A&N në seri të fitoreve

Megzon Visoka e rikthen A&N në seri të fitoreve

A&N arriti edhe fitoren e tretë rradhazi me Megzon Visokën në krye të shtabit teknik. Prizrenasit po kalojnë një formë fantastike qysh prej kur pjesë e skuadrës është bërë trajneri i ri prishtinas. Sot, ata fituan ndaj skuadrës së rrezikshme të Malishevës, duke i rrëzuar këta të fundit nga pozita e parë në tabelën e Ligës së Parë.

E çelësin e suksesit, objektivat, por edhe gjërat e tjera rreth klubit A&N i ka treguar Visoka në një intervistë për Olle.  “Fillimisht dua të them se jam shumë i lumtur me mënyrën se si ka filluar aventura ime tek klubi A&N. Tek skuadra realisht nuk kam bërë shume ndryshime sepse janë të njëjtit futbollistë që ishin edhe para se te shkoja unë aty. Ajo që unë bashkërisht me asistentët e mi kemi ndryshuar është kryesisht aspekti taktik, në strategjinë e lojës, në mënyrën se si duhet të sulmojmë e si duhet të mbrohemi. Futbollistët detyrat e dhëna nga unë dhe stafi teknik i kanë zbatuar relativisht mirë dhe si rrjedhojë e angazhimit dhe disiplinës së tyre edhe kemi arritur këto 3 fitore nën drejtimin tim”, ka theksuar Visoka.

Sa i përket fitores së sotme ndaj Malishevës, ai është shprehur i kënaqur me paraqitjen e futbollistëve të tij. ”Përballë kishim një ndër skuadrat më të forta të këtij grupi. Angazhimi , disiplina taktike dhe karakteri që futbollistët e mi treguan ne ndeshjen e sotme janë për çdo lëvdatë dhe janë faktorët kryesor që morën 3 pikë shumë të merituara”, ka shtuar trajneri i skuadrës prizrenase.

Ai në fund nuk e ka fshehur objektivin e tij që A&N ta inkuadrojë në Superligë. “Objektivi ynë është që të luftojmë në secilën ndeshje, ta vlerësojmë secilin kundërshtar dhe pastaj ndeshje pas ndeshje do ta shohim se ku jemi. Mirëpo, duke e pare cilësinë që ka brenda skuadrës them me bindje të plotë se do të jemi një skuadër mjaft konkurruese”, ka nënvizuar Visoka.