Falsifikoi dokumentet, dënohet me 6 muaj burg Luan Daci
Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) dënoi sot me 6 muaj burg anëtarin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA), Luan Dacin. Ky dënim i dhënë iu konvertua me 12 muaj shërbim prove.
Gjatë seancën në GJKKO, Prokuroria e Posaçme kërkoi 1 vit burg për Dacin, i cili aktualisht është pezulluar nga detyra.
Daci u mor në hetim nga Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) rreth tre muaj më parë, njofton euronews.albania.
Ai u akuzua për falsifikim dokumentesh, pasi ka fshehur shkarkimin nga detyra nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë në vitin 1997.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë i asaj kohe e kishte shkarkuar nga detyra për shkelje të ligjit dhe paaftësi. Kjo shkelje sipas ligjit për statusin e gjyqtarit dhe prokurorit përbën shkak për mosplotësimin e kritereve për të qenë pjesë Kolegjit të Posaçëm të Apelit.























