VV e akuzon KQZ-në se bëri shkelje ligjore kur certifikoi Etem Arifin
Në Gjykatën Kushtetuese është duke u mbajtur seanca dëgjimore për votën e deputetit Etem Arifi për qeverinë Hoti.
Përfaqësuesi ligjor i Vetëvendosjes, parashtruese e kërkesës, Blerim Sallahu ka thënë se qeveria nuk ka marrë votat e mjaftueshme, pasi që deputeti Arifi e ka humbur mandatin e tij.
“GP i VV-së pretendon se qeveria s’ka arritur të marrë 61 vota në mënyrë që të konsiderohet e zgjedhur, kjo parasysh se Etem Arifi e ka humbur mandatin për faktin se ai është dënuar me vendim të formës së prerë nga gjykata e Apelit me dënim prej 1 viti e tre muaj. Rrjedhimisht qeveria nuk ka shumicën e nevojshme për zgjedhjen e saj. Duhet të sqarojmë kriteret kushtetuese ligjore. Janë dy forma të kufizimit të së drejtës për t’u zgjedhur. Pra kjo kufizohet me vendim gjyqësor sipas Kushtetutës dhe me ligj. Kufizimet mbi të drejtën për të zgjedhur duhet të bëhën në funksion të regjimit demokratik. Kufizimet nuk duhet të konsiderohen si kufizuese të demokracisë. Në këtë aspekt gjykata për Etem Arifin nuk ka nxjerrur vendim plotësues, andaj atij nuk i është kufizuar kandidimi”, tha ai.
Ai madje akuzoi KQZ-në për mos-përgjegjësi dhe shkelje juridike.
“Në Kushtetutë përcaktohet që liritë themelore mund të përcaktohen vetëm me ligj. Në këtë kuptim ligji për zgjedhjet e përgjithshme përcakton se secili person që paraqitet në listën e votuesve është i mundshëm për kandidat vetëm nëse ai ka qenë i dënuar me vendim të plotfuqishëm. Etem Arifi nuk është dashur të certifikohet si kandidat. Kjo është shkelje dhe papërgjegjësi juridike nga KQZ. Certfikimi është bërë edhe për shkak të arsyeve që ai ka paraqitur një deklaratë duke gënjyer: Se kandidatura e tij është në përputhshmëri me nenin 29 të GZK-së”, tha ai.
Tutje, ai tha se Kuvendi është dashur që menjëherë pas certifikimit të deputetit Arifi, të fillojë procedurat për zëvendësimin e deputetit Arifi.
“Ajo që duhet të sqarojmë pas këtyre veprimeve të zotit Arifi dhe mos-komunikimeve institucionale, është se ai ka humbur mandatin me vendim të formës së prerë. Në kuptim të rrjedhjes së pasojave juridike për të akuzuarin, ato kanë filluar pasi që vendimi ka marrë formën e prerë. Mirëpo pasojat juridike, për deputetin Arifi kanë filluar posa Kuvendi ka qenë në dijeni për vendimin e gjykatës, pra është dashur të fillojnë procedurat për zëvendësimin e deputetit. Pas gjithë kësaj ai voton për qeverinë Hoti si votë përcaktuese, edhe pse është dënuar për vepër penale kundër pasurisë. Kjo ka një rëndësi të madhe sepse ai nuk është vetëm një votues”, tha ai.























