Sot ndeshja e mbetur, Drita - Llapi
Sot në Gjilan do të zhvillohet ndeshja e mbetur në elitën e futbollit kosovar, ku skuadra kampione në fuqi, Drita do të jetë mikpritëse e Llapit, skuadër kjo e cila vetëm në fundjavën e kaluar arriti t`i japë fund serisë së rezultateve negative.
Kjo ndeshje ishte paraparë ta hapte edicionin e sivjetmë në elitë, por ishte shtyrë për shkak të pjesëmarrjes së Dritës në garat ndërkombëtare.
Të dyja ekipet vijnë në këtë përballje pas fitoreve të mëdha në fundjavë ndaj Gjilanit respektivisht Drenicës, që kanë mobilizuar në maksimum dy kampet.
Drita aktualisht është në pozitën e dytë me 30 pikë, pesë më pak se Ballkani, andaj do të luajë vetëm për tri pikë që t’iu afrohet edhe më shumë portokallezinjve.
Ndërkohë, Llapi është në pozitën e parafundit në renditje me 11 pikë dhe i duhet rezultati pozitiv për të dëshmuar se tashmë e ka lënë prapa shpinës krizën.
Kjo ndeshje fillon në orën 13:00 dhe gjykohet nga Genc Nuza.























