Kosova vetë duhet trajtojë të gjitha krimet e luftës

Kosova vetë duhet trajtojë të gjitha krimet e luftës

Drejtori ekzekutiv në organizatën Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) Ehat Miftaraj në një intervistë për DW fokusohet tek rezultatet e hulumtimit të zhvilluar mbi rastet e gjykimeve të krimeve të luftës në Kosovë.

DW: Z. Miftaraj, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) publikoi një hulumtim "Amnistia e Krimeve të Luftës në Kosovë”. Çfarë përmban ky raport, apo sa gjykime për krime lufte në Kosovë dhe Hagë  janë zhvilluar pas luftës, cili ka qenë profili i të akuzuarve dhe etnia e tyre?

Miftaraj:  IKD pas një hulumtimi disa mujor publikoi raportin "Amnistia e Krimeve  të Luftës në Kosovë”dhe në bazë të këtij hulumtimi, del se që nga viti 2000 deri në vitin 2008 UNIMK-u, misioni i OKB-së që ka qenë autoriteti për të trajtuar çështjet e krimeve të luftës, ka ngritur akuza ndaj 3 serbëve, 19 shqiptarëve dhe një malazezi. Pra për të gjitha këto  raste misioni i UNMIK-ut ka arritur të dënojë vetëm një person për krime lufte që i takon nacionalitetit shqiptar. Pas përfundimit të misionit të UNMIK-ut bartja e përgjegjësive ka ndodhur tek misioni i Bashkimit Evropian EULEX, i cili ka funksionuar nga viti 2009 deri në vitin 2018, por që kompetenca ekzekutive ka pasur deri në vitin 2014. EULEX gjatë kësaj periudhe kohore kishte ngritur aktakuza për krime lufte ndaj 11 serbëve, 39 shqiptareve, një malazezi dhe një personi nga komuniteti RAE. Nga viti 2014 kur këto kompetenca ishin transferuar tek autoritetet vendore, respektivisht tek Prokuroria Speciale e Kosovës, kjo prokurori ka arritur të ngrejë aktakuza ndaj 39 personave dhe deri në qershor të këtij viti nuk e ka pasur asnjë person të dënuar me aktgjykim të formës së prerë. Pra, nëse e  marrim si statistikë, del që për 20 vite që nga përfundimi i luftës afërsisht 70% e personave të akuzuar dhe gjykuar për krime lufte janë shqiptarë të Kosovës, 20% serbë dhe 10% të etnive tjera  jo shumicë.

DW: Cila ka qenë përgjegjësia e misioneve ndërkombëtare, flas këtu UNMIK-u dhe EULEX-i,  në ndjekjen e kriminelëve të luftës?

Miftaraj: Si misioni i UNMIK-ut ashtu edhe misioni EULEX, asnjëherë nuk e kanë pasur prioritet hetimin, ndjekjen dhe gjykimin e krimeve të luftës. Të dy këto misione si duket primare e kanë pasur idenë që të ruhet një status-quo, dhe përmes mos-veprimit apo mos-hetimit të krimeve të luftës në Kosovë, në njëfarë mënyrë të arrihet një pajtim ndërmjet palëve, serbëve dhe  shqiptarëve. Dhe kur kësaj i shtohet fakti që në luftën e fundit kemi pasur së paku 12 mijë viktima shqiptare dhe të tjera dhe krime lufte që janë ndërlidhur qoftë me spastrim etnik dhe vepra tjera penale, dhe në fund rezulton që kemi vetëm një person të dënuar për krime lufte, atëherë mund të themi lirisht se këto dy misione kanë ofruar amnisti të plotë ndaj kryesve të veprave penale dhe për krime lufte. Në anën tjetër pothuajse të njëjtën logjikë dhe të njëjtën qasje e kanë praktikuar edhe institucionet e Kosovës, për vetë faktin, se që nga viti 2014 kur këto kompetenca janë transferuar tek institucionet e Kosovës, asnjë qeveri dhe asnjë institucion nuk e ka pasur në agjendë politike trajtimin e krimeve të luftës.

Ndërsa, shtetet tjera të ish-Jugosllavisë që janë ballafaquar me të njëjtat probleme, si Serbia, Kroacia Bosnja e Hercegovina, kishin miratuar strategji qoftë në nivel të qeverive, qoftë të kuvendeve duke ndarë mjete financiare për të hetuar, ndjekur dhe gjykuar krimet e luftës në territoret e tyre. Në anën tjetër Kosova këtë e ka neglizhuar në total.  Për shembull Kroacia, për një periudhë kohore prej tri viteve, hetoi, ndoqi dhe dënoi afërsisht 1000 persona që kishin kryer krime lufte, ndërsa e përsëris Kosova me mos-veprim, në mënyrë sistematike ka ofruar amnisti të plotë ndaj të gjithë kryesve të krimeve të mundshme të luftës në Kosovë.

DW: Institucionet e Kosovës gjithmonë kanë qenë cak i kritikave nga opinioni i brendshëm se nuk kanë punuar në hartimin e dosjeve për krimet serbe në Kosovë, ndërkohë që institucionet e Serbisë kanë punuar shumë në hartimin e dosjeve për krime lufte që e ngarkon palën kosovare. Sa janë të qëndrueshme këto konstatime sipas jush? Ka pasur Kosova mungesë të kapaciteteve humane profesionale, mungesë të ligjeve, apo mungesë të  vullnetit politik?

Miftaraj: Kosova ka pasur bazë solide për hetimin e krimeve të luftës nga viti 1999. Kosova së paku deri në vitin 2014, kur ka qenë UNMIK-u dhe EULEX-i ka pasur resurse profesionale shumë më të mëdha sesa çdo shtet tjetër i ish-Jugosllavisë. Flasim për misione ndërkombëtare që kanë pasur buxhet të mjaftueshëm me dhjetëra miliona, kanë pasur ekspertë ndërkombëtar, por që fatkeqësisht kanë pasur mungesë totale të vullnetit politik të faktorit ndërkombëtar për hetimin e këtyre rasteve. Pas vitit 2014 kur këto kompetenca janë transferuar tek institucionet vendore, atëherë kjo mungesë e vullnetit ka kaluar edhe tek institucionet vendore dhe këtë e dëshmon fakti, se që nga viti 2014 deri në vitin 2018 Kosova ka pasur vetëm një prokuror për krime lufte dhe kjo e dëshmon se sa ka qenë vullneti i politikës dhe institucioneve të drejtësisë për t'u dhënë përgjigje krimeve të luftës në Kosovë.

Dhe përderisa nuk ka pasur vullnet politik, atëherë natyrisht që pas vitit 2014 ka pasur edhe mungesë të resurseve profesionale pasi që sot kur po flasim prokuroria speciale ka vetëm tre prokurorë që hetojnë krimet e luftës dhe kur kësaj i shtohet fakti që këta prokurorë merren edhe me rastet e korrupsionit, krimit të organizuar terrorizmit dhe veprave tjera penale, nënkupton që këta prokurorë nuk janë 100% të përkushtuar në trajtimin e krimeve të luftës.

DW: Sa janë të mbrojtur dëshmitarët në Kosovë, kemi rastin e themelimit të Gjykatës Speciale dhe vendosjen e selisë së saj në Hagë, ku thuhet se pikërisht për shkak të mos-sigurisë së dëshmitarëve, Gjykata Speciale është vendosur në Hagë?

Miftaraj: Në kohën e UNMIK-ut dhe EULEX-it, kur këto dy misione kanë pasur mandat ekzekutiv për mbrojtjen e dëshmitarëve, ka pasur raste kur këto dy misione kanë dështuar në mbrojtjen e dëshmitarëve dhe këtu kemi rastin kur një dëshmitar ka humbur jetën në Gjermani në  rrethana të pasqaruara. Ndërsa nga viti 2014 kur kompetencat janë transferuar tek institucionet vendore, nuk mund të japim një analizë të saktë sesa janë të mbrojtur dëshmitarët, sepse këtë analizë mund ta bëjmë vetëm atëherë kur kemi aktakuza  dhe gjykime të profilit të lartë që lidhen me krimin e organizuar, korrupsionin e nivelit të lartë, larjen e parasë apo të tjera. Me vetë faktin që Kosova sot e ka programin për mbrojtjen e dëshmitarëve, ka komisionin për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe për faktin që ky komision nuk e ka pasur në trajtim as edhe një dëshmitar të vetëm të mbrojtur, e dëshmon që Kosova ka problem sistematik dhe guxim për të hetuar profilin e lartë dhe kjo pastaj vjen në shprehje edhe mospuna në mbrojtjen e dëshmitarëve.

Pra dështimi i mbrojtjes së dëshmitarëve edhe në kohën e UNMIK-ut dhe EULEX, kjo sëmundje si duket ka vazhduar edhe me Gjykatën Speciale që selia e saj është vendosur në Hagë. Tjetra  me vetë faktin që kjo gjykatë ka dështuar të mbrojë dokumentet e saj ku mijëra dokumente dolën në publik përmes organizatës së veteranëve të luftës, dëshmon që faktori ndërkombëtar që i ka dhënë besimin një gjykate të tillë që të trajtojë krimet e luftës, ajo  ka dështuar të mbrojë dokumentet e saj.  Atëherë kjo mund të lidhet më vonë edhe më punën e kësaj gjykate  ku potencialisht dëshmitarët e mbrojtur apo dëshmitarët e tjerë mund të jenë cak i sulmit apo thënë më së buti, dëshmitarëve ju është cënuar rëndë siguria juridike dhe fizike e tyre.

DW: Si po e shihni procesin gjyqësor që po zhvillohet në Hagë, kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Në opinionin e brendshëm në Kosovë është krijuar përshtypja që Gjykata Speciale është një-etnike?    

Miftaraj: Asnjëherë nuk mund të pajtohem me arsyetimin që Gjykata Speciale është një etnike. Kjo gjykatë mund të jetë një etnike dhe mund të gjykojë vetëm krimet e luftës që pretendohet se janë kryer nga pjesëtarë të UÇK-së, por, Republika e Kosovës ka mandate, ka kompetenca, ka përgjegjësi dhe ka obligim për t'i hetuar të gjitha krimet e luftës në Kosovë. Kjo do të thotë që publiku duhet ta kuptojë dhe më së shumti duhet ta kuptojnë politikanët, edhe ata të cilët sot janë në Hagë, që Kosova duhet të ketë vullnetin dhe duhet që vetë të hetojë, ndjekë dhe gjykojë krimet e luftës në Kosovë. Përderisa themelimi i Gjykatës Speciale ka qenë kërkesë ndërkombëtare që këto dyshime të hetohen nga një Gjykatë Speciale në Hagë, një shtet serioz, një shtet që ka respekt për historinë e vet, që ka respekt për viktimat e krimeve të luftës, nuk do të pranonte në asnjë rrethanë që krimet, që në këtë rast i ka kryer Serbia t'ia besojë një shteti tjetër. Ky shtet siç është Kosova do të duhej që këto krime t'i ndjekë, hetojë dhe gjykojë vet.

Por, sigurisht që kjo nuk bëhet pa pasur vullnet politik, nuk bëhet pa pasur një strategji dhe një vizion të qartë, i cili duhet të kthehet në politikë, dokumente, strategji dhe me një buxhet të mjaftueshëm për institucionet e drejtësisë. Në këtë drejtim edhe nëse Gjykata Speciale është duke i hetuar pretendimet që kanë dalë nga Raporti i Dick Marty-t, Kosova edhe në bazë të rekomandimeve që i ka dhënë Tribunali Ndërkombëtar i Hagës për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, ku ka përfunduar misionin, jo vetëm për Kosovën, por për çdo shtet, ka kërkuar nga këto shtete që krimet që kanë ndodhur në territorin e tyre është përgjegjësi dhe është obligim i çdo shteti veç e veç t'i hetojë dhe trajtojë krimet e luftës. Të gjitha shtetet e ish-Jugosllavisë janë duke e bërë këtë gjë, por që fatkeqësisht nuk është duke e bërë Kosova.  


MË SHUME NGA Intervista