Viti 2020, pa përfundime për zgjerimin 
BKT
Shqipëri

Viti 2020, pa përfundime për zgjerimin 

Viti i pandemisë nuk do të mbahet mend vetëm për pasojat e kësaj të fundit, por edhe për mbylljen e tij pa përfundime nga vendet e Bashkimit Evropian, për herë të parë në historinë e zgjerimit.

Presidenca gjermane nuk ka arritur, dhe as është lodhur të bindë vendin kryesore bllokues, Bullgarinë, që të heqë veton si nga kuadri negociues për Maqedoninë e Veriut ashtu edhe nga përfundimet për procesin e zgjerimit.

Bullgarët kërkojnë përfshirjen e zbatimit të Traktatit të Miqësisë me Maqedoninë e Veriut në kuadrin negociues, dhe janë të pakënaqur me propozimet e Presidencës Gjermane në dokumentin e përfundimeve, sipas dokumentit të fundit të siguruar ekskluzivisht nga Euronews Albania.

Për Shqipërinë, të cilës i mbeten dy kushte për të plotësuar para mbajtjes së mundshme të Konferencës së parë të anëtarësimit, apo siç njihet ndryshe, koferenca ndërqeveritare, Euronews Albania mësoi nga burimet pranë vendece anëtare se në këtë situatë bllokuese për të gjithë, vendet mbështetëse kanë preferuar t’i shtyjnë gjërat për në fillim të vitit tjetër, gjatë presidencës portugeze, për të kërkuar përmirësim të mëtejmë të tesktit për vendin.

Nëse një zgjidhje e fundit dhe e papritur në realitet, gjendet deri në takimin e fundit të ambasadorëve të BE-së të mërkurën, atëherë samiti i krerëve të shteteve dhe qeverive në fund të javës mund të përfshijë një rresht në përfundimet e tij për zgjerimin.

Por ambasadorët kanë mbetur larg kompromisit në ditët e fundit dhe kanë hequr nga kalendari i punës së të hënës diskutimin për vendet kandidate, për shkak të mungesës së dakordësisë.

Koha ka mbaruar për shpresat e ngritura këtë gjysmë-viti nga presidenca gjermane për mbajtjen e mundshme të konferencave të para brenda muajit dhjetor, duke bërë që kjo dosje t’i kalojë tashmë presidencës së ardhshme të BE-së, nën drejtimin e Portugalisë, gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2021.

 


MË SHUME NGA Shqipëri