De Biasi iu zbulon Shqipërinë polakëve
Shqipëria mësoi para disa ditësh grupin kualifikues për Botërorin Katar 2022. Një short aspak i lehtë për kuqezinjtë të cilët janë vendosur përballë kombëtareve si Anglia, Polonia e Hungaria, ndërsa Andorra dhe San Marino janë lehtësisht të kalueshme.
Por, teksa kombëtaret janë duke mësuar informacione për njëra-tjetrën pasi fushata eliminatore fillon në muajin mars, ish-trajneri Gianni De Biasi, ia ka “servirur në pjatë të argjendtë” polakëve Shqipërinë, transmeton Vip Sport.
Në një intervistë për mediat polake, të cilët kanë pyetur italianin për të njohur më shumë kundërshtarin e tyre në Grupin I, De Biasi thekson se lojtari më i rrezikshëm është Sokol Cikalleshi, ndërsa shprehet se për të mundur Shqipërinë, Polonisë do t’i mjaftojë t’ia pasojë Levandovskit.
“Shqipëria është një ekip i mirë. Shumë nga futbollistët e Shqipërisë luajnë në Itali dhe kanë fituar eksperiencë ndërkombëtare shumë të vlefshme. Kur unë isha trajneri, ishte pak ndryshe. Mendoj se Shqipëria nuk është një rival i lehtë. Sigurisht, Polonia është më e mirë dhe nuk duhet të ketë probleme, por kundër Shqipërisë duhet të luash me intensitet të lartë dhe me përqëndrim”.
-Kush është lojtari më i rrezikshëm te Shqipëria?
Cikalleshi është më i rrezikshëm para portës. Në dy ndeshjet e fundit ai ka shënuar tre gola dhe është një futbollist për t’u pasur frikë. Por, ka edhe lojtarë të tjerë shumë të mirë, si përshembull Hysaj i Napolit.
-Si do ta përshkruaje stilin e lojës së Shqipërisë?
Në kohën time përgatiteshim shumë për goditjet e lira, sepse nuk kishim një “snajper” të vërtetë, na mungonte dikush si Levandovski. Por, tani janë më mirë. Shqipëria luan futboll me presion të lartë dhe mbështetet te kundërsulmet.
-Kush është mënyra për t’i shënuar Shqipërisë?
(Qesh) Pasojani topin Levandovskit, ai do të përkujdeset për pjesën tjetër.























