Zemaj e Raka takime në Austri, diskutojnë për sfidat e shëndetësisë
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj bashkë me mikrobiologun, Lula Raka gjatë vizitës zyrtare në Austri janë pritur në takim nga përfaqësues të Odës së Mjekëve të Austrisë, të prirë nga kryetari i saj, Thomas Szekeres, dhe Lukas Stärker.
Lajmin për këtë takim, Zemaj e bëri të ditur me anë të një postimi në Facebook.
Zemaj njëherit njoftoi se i ka ftuar përfaqësuesit e kësaj ode për vizitë në Kosovë.
Oda e Mjekëve të Austrisë, ka 47.224 mjekë, mesatarja 5.3 mjekë për 1.000 banorë.
Postimi i plotë:
Oda e Mjekëve të Austrisë, të prirë nga Presideni, Prof. Dr. Thomas Szekeres, dhe HR Doz. (FH) Dr. Lukas Stärker, ishin mikpritësit e mi dhe dr. Lul Rakës, gjatë vizitës sonë zyrtare në Vjenë të Austrisë.
Në takim, diskutuam për sfidat aktuale të shëndetësisë, bashkëpunimin e mirëseardhur ndërmjet profesionistëve tanë shëndetësorë me ata austriakë, për të këmbyer përvojën, ekspertizën dhe aftësimin e kuadrit me vizita studimore dhe profesionale.
Theksova veprimet tona rreth angazhimit të specialistëve të papunë, 1.500 specializantët e rinj si dhe planifikimet e kuadrit mjekësor konform strategjisë. Theksova se për herë të parë do të miratojmë edhe programin e subspecializimeve për fushat deficitare.
Përfaqësuesit e Odës së Mjekëve Austriak cekën se kuadri mjekësor në Austri është shumë i vlerësuar dhe i kërkuar, andaj me dashamirësi na ofruan specializime dhe subspecializime për fushat që mungojnë në institucionet tona.
E ftova Odën e Mjekëve të Austrisë të vijnë në Kosovë për vizitë dhe thellimin e bashkëpunimit, jo vetëm me Odën e Mjekëve të Kosovës por edhe me Fakultetin e Mjekësisë dhe ShSKUK, për harmonizimin e mëtejmë të nevojave tona në fushën e specializimeve.
Oda e Mjekëve të Austrisë, ka në gjirin e vet 47.224 mjekë, mesatarja 5.3 mjekë për 1.000 banorë. Mesatare që ne aktualisht vetëm mund ta paramendojmë.























