Përtej diapazoneve - Integrimi i personave me aftësi të kufizuar
BKT
Lajme

Përtej diapazoneve - Integrimi i personave me aftësi të kufizuar

Të fillosh shkollimin duke pasur nevoja të specifikuara për mësimmarrjen është një sfidë e vërtetë. Qendra burimore "Xheladin Deda" në Pejë, prej vitesh ka mirëpritur dhe përcjellë fëmijë të verbër nga mosha gjashtë vjeç në formimin e tyre intelektual fillestar.

Por sa produktiv mund të jetë shkollimi i fëmijëve të kësaj kategorie në një ambient special, larg rrethit të socializuar shoqëror? Doljana Velia, psikologe që  i takon kategorisë së verbër thotë se: "Integrimi i fëmijëve me nevoja të veçanta, është një praktikë pozitive e vendeve perëndimore. Diversiteti është vlera më e lartë e një shoqërie mendjehapur, dhe askush nuk mund ta pranojë atë më lehtë se fëmijët".

Më tej ajo shprehet: "Fëmija që shkollohet  në një institucion special, përveç kufizimit përjeton edhe izolim nga pjesa tjetër e shoqërisë". Gjithashtu psikologja e këshillimit thotë që shkollimi në një klasë në të cilën mëson një fëmijë me nevoja të veçanta, rrit ndërgjegjësimin dhe sensibilizimin tek fëmijët e tjerë. Viteve të fundit numri i fëmijëve të verbër që fillojnë shkollimin ose transferohen në shkolla gjithpërfshirëse është rritur, këtë e konfirmon edhe shoqata e të verbërve të Kosovës të cilët thonë se janë 40 fëmijë të verbër që po vijojnë shkollimin fillor në shkolla gjithpërfshirëse.

Njëri nga fëmijët është 8 vjeç dhe vijon mësimin në një shkollë të Prishtinës. Nëna e tij shpalosi me ne problemet që ka hasur djali i saj në mësimnxënie për shkak se institucionet shtetërore nuk i kanë siguruar atij një mësues ndihmës. "Djalin tim e trajtojnë me shumë kujdes shokët e tij, aq sa zihen me njëri tjetrin për tu ulur me të. Por që fëmija im të vazhdojë të jetë në një klasë me ta, mua më është dashur të paguaj vetë një asistent që ta ndihmojë në shkrim-lexim." Edhe shoqata e të verbërve të Kosovës dhe psikologja e rendisin mungesën e mësuesit ndihmës ndër ankesat më të mëdha që i shfaqin prindërit dhe vetë fëmijët e verbër, së bashku me  infrastrukturën joadekuate, dhe mungesën e literaturës.

 Një prind i një fëmije tjetër thotë se: "Qendra burimore edhe pse i posedon kapacitetet, nuk i sjellë kurrë në kohë materialet shkollore me font të zmadhuar."  Një ishnxënëse e qendrës burimore Xheladin Deda, rrëfen për ne disa nga vështirësitë e saj gjatë shkollimit dhe mangësitë e qendrës burimore: "Unë në shkollën Xheladin Deda kam qëndruar dy vitet e para të shkollimit tim fillor, e mira ishte që unë shikoja pak, sa për t'i kryer nevojat e mia, por kishte fëmijë plotësisht të verbër që rrëzoheshin, mezi gjenin rrugën dhe askush nuk kujdesej për ta. personalisht di shumë raste edhe të keqtrajtimit seksual që u është bërë fëmijëve nga nxënësit më të rritur.

Edhe zonjat të cilat quhen "motra" nga nxënësit dhe që paguhen për tu kujdesur për ta, nuk tregojnë as më të voglin kujdes. Kur kam ardhur në një shkollë publike, socializimi ka qenë një sfidë e vërtetë, pasi në shkollën e të verbërve në klasë ishim rreth 5/6 nxënës, dhe në shkollën time të re mbi 30 merreni me mend tronditjen time psikologjike nga zhurma e shumë zërave që flisnin njëherësh! Di vetëm një gjë: kushdo që flet mirë për atë shkollë, duhet të ketë doemos përfitime personale".

Kemi tentuar të kontaktojmë Ministrinë e arsimit, në lidhje me mundësinë që ky institucion të mbetet vetëm qendër burimore dhe mësimdhënësit me shumë përvojë të trajnojnë asistentë që më pas do të dërgihen pranë fëmijëve përkatës, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje.

Autore: Aksa Canolli


MË SHUME NGA Lajme