OKB: Serbia përkrah okupimin rus të Krimesë
Serbia ka votuar kundër rezolutës e cila u miratua nga Asambleja e Përgithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila i kërkon Rusisë t`i japë fund "okupimit të saj të përkohshëm" të Krimesë, të cilën Moska e mori përsipër në 2014.
Në mesin e 17 shteteve që kishin votuar kundër rezolutës për Krimen ishte edhe Serbia. Kjo nuk është hera e parë që Serbia rreshtohet përkrah Rusisë dhe del hapur kundër qëndrimeve të Bashkimit Evropian, ku mëton të anëtarësohet.
Për votimin e fundit dhe rreshtimin e Serbisë përkrah shteteve që mbështesin okupimin e Krimesë, është prononcuar edhe zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano.
“Nëse Serbia dëshiron që të ketë progres në rrugën e saj drejt integrimit në BE, ajo duhet të harmonizohet me politiken e jashtme të përbashkëta dhe të sigurisë të BE-së dhe se çdo qëndrim tjetër i Serbisë do ta dëmtojë perspektiven e saj evropiane”, ka thënë Stano.
Për votimin dhe situatën në të cilën gjendet politika e jashtme serbe, në raport me Rusinë, është prononcuar Igor Novakoviq, i cili është drejtor për hulumtim në International and Security Affairs Centre - ISAC. Novakoviq, është shprehur se në krahasim me vitin 2014, kur Serbia kishte vendosur që të mos merrte pjesë në votime, në takimet kur duhej të dilte kundër politikave të BE-së, votimi i fundit tregon se ka ndryshime në politikën e jashtme serbe.
Novakoviq, beson që ndryshimi i qëndrimeve të politikës serbe vjen nga kushtëzim i Rusisë, që Serbia tani t’ia kthejë borxhin Rusisë, për mbështetjen ruse në pengimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, siç janë UNESCO dhe INTERPOL, si dhe ndihmën në tërheqjen e njohjeve të Kosovës. Ky ndryshim i politikës së jashtme serbe e largon Serbinë nga harmonizimi me politiken e jashtme të BE-së, çka do të vërehet në stagnimin e Serbisë në procesin e integrimeve evropiane.
Kundër votimit të Serbisë në Këshillin e Sigurimit të KB, kanë dalë edhe politikanë opozitarë në Serbi, të cilët njëzëri janë shprehur se Serbia po rreshtohet në taborin e shteteve antievropiane.
Ministri i brendshëm serb, Aleksander Vulin, duke folur për qëndrimin e Serbisë në KS të OKB është shprehur se, “Serbia gjithnjë do të votoj dhe do të jetë me miqtë e saj Rusinë, Kinën”.
Rezoluta është jo-detyruese por ka rëndësi politike. Ajo u paraqit nga 40 vende, duke përfshirë Britaninë, Francën, Gjermaninë dhe vendet Balltike, si dhe Shtetet e Bashkuara, Australia, Kanada dhe Turqia.

























