Bashkëpunimi politik në këtë kohë, i rëndësishëm
Pajtim Çuni
Mungesa e unitetit e polarizimi i skenës politike kosovare është mjaft evident kohëve të fundit. Njohës të rrethanave politike kritikojnë partitë parlamentare për mungesë bashkëpunimi. Sipas tyre, aktualisht, klasa politike më shumë po kujdeset për interesa partiake se për qytetarët dhe proceset shtet-ndërtuese.
Pas rrëzimit të ish qeverisë Kurti dhe krijimit të qeverisë Hoti, e cila shpesh po ka telashe të sigurojë shumicën në Kuvend, e në kohën kur pritet të zgjidhet presidenti i ri, skena politike është mjaft e polarizuar.
Njohës të rrethanave politike në vend thonë se si pasojë e mungesës së bashkëpunimit politik, po pësojnë qytetarët dhe proceset shtet-ndërtuese.
Analisti politik, Mazllum Baraliu kritikon klasën politike, e cila, sipas tij, aktualisht nuk po interesohet për qytetarët dhe shtetin.
“Aktualisht, jemi në një situatë me një klasë politike, e cila, qoftë nga ai krahu që veten e krekoste si institucional e i paqes dhe ky tjetri i luftës, as njëri, as tjetri, ose nuk janë të aftë ose nuk duan të jenë të tillë, duke mos bërë asgjë të rëndësishme për të konsoliduar shtetin dhe për të mbajtur në pah një interesim për një shtet-ndërtim e shtet-forcim”, tha Baraliu.
Edhe profesori universitar i gazetarisë, Milazim Krasniqi, në një prononcim për Radio Kosovën, kritikon klasën politike. Sipas tij, në mungesë të unitetit politik, gjithnjë e më shumë po dëmtohet vendi.
“Kjo elita jonë politike e kanë bërë kalë beteje luftën për pushtet dhe jo për shtet, dhe si pasojë e kësaj është kjo krizë që gjithnjë e më shumë po e dëmton Kosovën. Unë llogaris së do të bëhet edhe më keq, nëse vazhdon ky pasion i ashpër për pushtet, duke mos arritur kurrfarë konsensusi as për çështjet nacionale. Pra, llogaris së mund të keqësohet gjendja edhe më shumë në të ardhmen”, tha ai.
Sipas profesorëve Mazllum Baraliu e Milazim Krasniqi, bashkëpunimi politik është i një rëndësie të veçantë, sidomos në këto kohë kur vendi ka ngecje në procese të rëndësishme.























