Ambasadori Al Marri: Marrëdhëniet me Shqipërinë, të shkëlqyera dhe solide
BKT
Shqipëri

Ambasadori Al Marri: Marrëdhëniet me Shqipërinë, të shkëlqyera dhe solide

Shteti i Katarit feston sot Ditën Kombëtare në përkujtim të themelimit të tij në vitin 1878.

Me rastin e kësaj dite, Ambasada e Katarit në Tiranë mban çdo vit një ceremoni festive. Por për shkak të tërmetit nëntorin e vitit të kaluar, Ambasada vendosi anulimin e kësaj ceremonie në solidaritet të plotë me Republikën e Shqipërisë dhe popullin shqiptar.

Gjithashtu, edhe këtë vit Ambasada ka vendosur të mos e organizojë ceremoninë pritëse, në respekt dhe zbatim të masave të ndërmarra për frenimin e përhapjes së pandemisë COVID–19.

Ambasadori i Katarit në vendin tonë Sh.T.Z. Ali Bin Hamad Al Marri, ka përgatitur një fjalë me rastin e kësaj dite, në të cilën thekson marrëdhëniet solide midis dy vendeve tona, nënvizon mbështetjen që Katari i ka dhënë Shqipërisë, Kosovës dhe popullit shqiptar ndër vite, veçanërisht për rindërtimin e zonave të dëmtuara nga tërmeti dhe përpjekjeve në luftën kundër Coronavirusit, si dhe përshkruan në mënyrë të përmbledhur domethënien e Ditës Kombëtare për shtetin dhe popullin katarian.

Gjithashtu, ai flet për arritjet që janë realizuar së fundmi në Katar, përfshirë ndërtimin e stadiumeve dhe infrastrukturës moderne, në pritje të organizimit të Botërorit “Qatar 2022”.

“Vitin e kaluar, ne anuluam festimin e Ditës Kombëtare në solidaritet me Republikën e Shqipërisë dhe popullin mik shqiptar për shkak të tërmetit tragjik që goditi vendin në nëntor 2019, dhe përqendruam të gjithë vëmendjen tonë për të ndihmuar dhe iu gjendur pranë banorëve të zonave të dëmtuara, duke shpërndarë nëpërmjet Fondit të Katarit për Zhvillim, fondacionit Qatar Charity Albania dhe Gjysmëhënës së Kuqe Katariane mjetet dhe artikujt e nevojshëm bazë në këto zona. Gjithashtu nën direktivat e HH Emirit Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, Katari dha një grant prej 5 milion dollarësh për Republikën e Shqipërisë për financimin e projekteve të rindërtimit në Tiranë”, tha ai.

Në situatën e pandemisë, ambasadori tha se “Katari ka ofruar ndihma të nevojshme për më shumë se shtatëdhjetë shtete, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën”.

“Gjatë pandemisë, Qatar Charity Albania shpërndau në zona të ndryshme të Shqipërisë mijëra pako ndihma me detergjentë, dezinfektues dhe artikuj të shportës, të mjaftueshme për të mbuluar nevojat bazë të familjes për një muaj. Me direktivë të Emirit Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, në muajin maj mbërriti në aeroportin e Rinasit një avion nga Katari i ngarkuar me 10 ton ndihma emergjente në materiale dhe pajisje mjekësore, për të mbështetur Shqipërinë në përballimin e pandemisë COVID-19. Ndërsa në gusht, i dhamë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, një donacion me pajisje dhe aparatura mjekësore moderne me vlerë 300 mijë euro, për të kontribuar në rritjen e kapaciteteve të sistemit shëndetësor dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për qytetarët”, tha ai.

Ambasadori vlerësoi faktin se “me mijëra qytetarë shqiptarë kontribuojnë në zhvillimin e Katarit në shumë fusha, si turizëm, hoteleri, tregti etj. duke fituar një respekt dhe vlerësim të madh atje”.

Ai tha se “marrëdhëniet midis Shtetit të Katarit dhe Republikës së Shqipërisë janë të shkëlqyera dhe solide, të bazuara në respekt dhe bashkëpunim të ndërsjellë në të gjitha nivelet, përfshirë dhe bashkëpunimin në organizatat ndërkombëtare për të mbështetur kanditaturat respektive në këto organizata”.

“Kjo gjë dëshmon vullnetin e fortë dhe përkushtimin e përbashkët të të dy palëve për të çuar para marrëdhëniet e shkëlqyera dhe bashkëpunimin bilateral. Nga ana ime, nuk do të kursej asnjë përpjekje që këto marrëdhënie të forcohen edhe më shumë dhe do të mbështes çdo nismë që kontribuon në intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat. Prandaj jam besimplotë se në të ardhshmen do të kemi një hov të ri të marrëdhënieve në interes të vendeve dhe popujve tanë”, tha ambasadori. /m.m/j.p/


MË SHUME NGA Shqipëri