Szunyog: dialogu Kosovë - Serbi, ende nuk është bllokuar

Szunyog: dialogu Kosovë - Serbi, ende nuk është bllokuar

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog pretendon se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, i cili po mbahet në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së, ende nuk është bllokuar, pasi rifilloi në korrik të këtij viti. Mirëpo, ai thotë se të dyja palët kanë pikëpamje të ndryshme për çështje të caktuara, e për të cilat ata duhet të diskutojnë.

 Në një intervistë për Radio Kosovën 2, programin në gjuhën serbe, ambasadori Szunyog, tha se Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord për disa çështje të rëndësishme, sidomos për bashkëpunimin ekonomik dhe çështjen e personave të zhdukur, duke vënë në dukje se këto çështje janë të rëndësishme për pajtimin e ndërsjellë.

 “Në dialogun që ka vazhduar në nivelin teknik, është diskutuar për pretendimet pronësore dhe ato financiare. Në takimin në nivel të ekspertëve që u mbajt kohët e fundit, palët janë dakorduar që diskutimi të vazhdojë në janar të vitit të ardhshëm. Natyrisht, një nga çështjet në agjendën e dialogut është Asociacioni i Komunave Serbe, për çfarë, mendoj se pozicioni i të dyja palëve është i qartë; mendoj se është e qartë se si do të vazhdojnë tutje me diskutimet, ndërsa shpresoj se këto çështje mund t’i diskutojmë në raundet e ardhshme", tha ai. 

Tutje, ambasadori Szunyog theksoi se është e qartë se çfarë dëshiron BE-ja dhe cili është mandati i të dërguarit special për dialogun, Miroslav Lajçak – pra, arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme, me të cilën do të zgjidhen të gjitha çështjet e hapura.

“Ekzistojnë edhe çështje për të cilat të dyja palët kanë pikëpamje të ndryshme, e të cilat  është e rëndësishme të  diskutohen në nivel ekspertësh dhe në nivel politik, me qëllim  të gjetjes së zgjidhjeve të nevojshme përmes kompromisit. E përsëris, qëndrimet e palëve ndryshojnë, marrëveshja përfundimtare nuk mund të arrihet nëse pëlqehet nga njëra palë dhe nga tjetra jo;  të dyja palët duhet të pajtohen. Bashkimi Evropian është ndërmjetës në dialog dhe jo palë negociuese, andaj e gjithë situata varet nga dakordimi i të dyja palëve", thekson ambasadori Szunyog.

Duke e komentuar marrëveshjen e Uashingtonit që u arrit midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve në sferën e ekonomisë, Szunyog tha se BE-ja është në bashkëpunim shumë të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për dialogun ndërmjet Prishtinës e Beogradit. "Ne ndajmë të njëjtat synime që janë për të ardhmen e rajonit në BE dhe mendoj se elementet e marrëveshjes së Uashingtonit, i kontribuojnë dialogut i cili lehtësohet nga Bashkimi Evropian në Bruksel," thotë shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog. Ai më tej shpreh keqardhje që Kosova ende nuk ka marrë liberalizimin e vizave, ndërsa shpjegon se për këtë çështje është i nevojshëm konsensusi nga të gjitha vendet anëtare të BE-së.

"Kjo varet kryesisht nga Këshilli Evropian, e të cilin aktualisht po e kryeson  Gjermania deri në fund të vitit, ndërsa më pas, presidencën do ta marrë Portugalia. Këshilla ime për Qeverinë e Kosovës është që ajo me ngulm duhet ta zhvillojë një dialog më intensiv me të gjitha shtetet anëtare, sepse keni nevojë për mbështetjen e të 27 vendeve të BE-së për të marrë një vendim pozitiv në këtë drejtim", thotë ambasadori Szunyog.

Nga ana tjetër, ai vlerëson se problemi i brendshëm politik, aktualisht nuk po ndikon në luftën efektive që po e zhvillon Qeveria e Kosovës kundër pandemisë me virusin Korona.

"Nëse shikojmë numrin e njerëzve të infektuar dhe të shtruar në spital, situata nuk ndryshon shumë nga vendet në rajon ose në Evropë. Kështu që menaxhimi i situatës së pandemisë është i mirë. Sigurisht, ka disa probleme, por të gjitha qeveritë në Evropë po përpiqen të ekuilibrojnë midis ruajtjes së shëndetit dhe zhvillimit ekonomik. "Askush nuk është perfekt, por Kosova ka bërë një punë të mirë, si edhe qeveritë e tjera," tha ambasadori Szunyog. 

Ai vuri në dukje se në fillim të pandemisë, BE menjëherë dhuroi pajisje mjekësore dhe mbrojtëse në Kosovë, si dhe mjete të tjera në vlerë prej pesë milionë eurosh.

"Ne, gjithashtu, vendosëm që Kosovën ta ndihmojmë në punë  të rimëkëmbjes ekonomike dhe sociale, duke siguruar grante në vlerë prej 60 milionë eurosh, shumica e të cilave iu dhuruan Buxhetit të Kosovës për stabilitetin makroekonomik. Gjithashtu, ne kemi ndarë 100 milion euro në formën e kredive për të stabilizuar situatën ekonomike dhe për të rikuperuar ekonominë, që në total vetëm këtë vit, janë rreth 168 milion euro. Është e qartë se ne e kemi ndihmuar Kosovën për një kohë të gjatë, që nga viti 1999, me rreth 2.5 miliardë euro, gjë që e bën BE-në donatorin më të madh dhe partner të madh për Kosovën ".

Po ashtu, ai thekson se BE, në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, po e ndihmon Kosovën që sa më shpejtë ta sigurojë vaksinën kundër virusit Korona përmes mekanizmit COVAX. 

“Kemi organizuar një aranzhim specifik për Kosovën, në mënyrë që vitin e ardhshëm Kosova të marrë më shumë se 300,000 vaksina  falas, dhe po ndërmjetësojmë për shpërndarjen e vaksinave falas nga vendet anëtare. Disa shtete anëtare, në të vërtetë kanë porositur numër të konsiderueshëm të vaksinave për popullatën e tyre, por disa  kanë bërë porosi më të mëdha se sa që kanë popullatë" tha Szunyog, duke shtuar se po bëhen përpjekje që përmes mekanizmit COVAX, shtetet anëtare të sigurojnë dhe të shpërndajnë vaksinat për Kosovën sa më shpejt që  të jetë e mundur. Jam optimist se do të jemi në gjendje t’i dorëzojmë vaksina shtesë për Kosovën në fillim të vitit të ardhshëm", premton ambasadori Szunyog.

Duke komentuar studimin për çështjen e qeverisë  Kurti, ambasadori Szunyog thekson se raporti drejtuar Parlamentit Evropian, sipas të cilit dezinformatat e rrëzuan qeverinë e Kurtit, u përgatit nga një studiues i pavarur dhe se raporti në fjalë, si i tillë, nuk përfaqëson pozicionin zyrtar të të BE-së.


Intervistoi, Sandra Cvetkovic
Përktheu, Agush Alihajdari 

 


MË SHUME NGA Intervista