SPAK paralajmëron: 2021 do jetë vit i vështirë për të korruptuarit

SPAK paralajmëron: 2021 do jetë vit i vështirë për të korruptuarit

Arben Kraja, prokurori që thyen heshtjen dhe flet për herë të parë në publik.

Çfarë po ndodh brenda mureve të prokurorisë së posaçme? Cilët janë politikanët në hetim, cilat janë dosjet e nxehta të botës së krimit? A po shkon SPAK drejt përplasjeve me botën e nëndheshme të korrupsionit dhe krimit të organizuar? Cilat janë pengesat dhe të papriturat që zbulon çdo ditë në detyre Arben Kraja.

Për herë të parë me një rrëfim ekskluziv që zbardh anën e panjohur të drejtësisë që heton politikanët, zyrtarët e korruptuar të drejtësisë dhe emrat e krimit të organizuar që kane sunduar jo pak herë Shqipërinë. Ai ka bërë jo vetëm një bilanc të punës së këtij institucioni përgjatë 1 viti që kur ai u themelua, por ka folur edhe për sfidat me të cilat përballet ky institucion, ndërthurja e krimit me politikën, grupet kriminale, bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtar etj. Por ajo që ai ka nënvizuar në këtë intervistë është se nuk ka më persona të paprekshëm përballë ligjit qofshin politikan, zyrtarë të lartë apo kriminelë të çdo rangu.

Z. Kraja, faleminderit. Mesazhi juaj  i parë sapo morët detyrën e shefit të Spak, ishte ndaj atyre që shkelin ligjin dhe se ata  duhet të kenë frikë. Tashmë që kanë kaluar 1 vit nga themelimi  i Spak,  në këndvështrimin tuaj, kush duhet të ketë  dhe ka më shumë  frikë nga Spak-u , politika apo krimi i organizuar?

Unë i qëndroj përsëri asaj që kam thënë që ditën e parë, që i bie para se të filloj detyrën, që frikë duhen të kenë  të gjithë ata që shkelin ligjin, kuptohet ata që janë subjekt dhe kompetencë e Spak-ut, sepse ne kemi një kompetencë të përcaktuar  qartë në kodin e procedurës penale dhe në ligjin specifik që ne kemi. I qëndroj kësaj për arsye, sepse pavarësisht ideve dhe pavarësisht përshtypjeve që mund të kenë njerëzit, prokuroria e posaçme, struktura e posaçme ku  përfshijnë edhe byronë, patjetër që është një strukturë që vepron në bazë të  ligjit  që dmth  që është e detyruar të respektojë ligjin. Natyralisht, do ndërshkojë ata që do të shkelin ligjin. Kushdo qofshin ata.

Për shkak të kompetencave që përfshihen në Spak është krijuar ideja që Spak do të ndëshkojë të pandërshkueshmit të cilësuar të tillë edhe nga ndërkombëtarët. Sipas jush, cila është ajo kategori që konsiderohen të  paprekshëm?

Në Shqipëri ka patur një histori të gjatë të pandëshkueshmërisë. Çfarë do me thënë kjo? Në gjithë botën kryhen shkelje të ligjit, kryhen vepra penale, por strukturat ligjzbatuese, organet e prokurorisë dhe gjykatat i ndërshkojnë ata që kryejnë vepra penale të tilla. Tek ne, kemi histori pa fund të mosndëshkueshmërisë që, dmth, që në publik kanë dalë fakte, kanë dalë prova me pamje, me deklarime etj., me radhë. Por që nuk janë ndërshkuar, nuk kanë marrë atë që meritojnë. Në këtë sens, kjo kategori njerëzish që quhen të pandëshkueshëm,  padiskutim që do të jenë subjekt i Spak-ut në mënyrë të vazhdueshme. Pse e them këtë? Sepse pandëshkueshmëria shërben si nxitje për të rritur kriminalitetin. Nëse njerëzit shikojnë një person, i cili shkel ligjin dhe nuk i ndodh asgjë, karshi tij, padiskutim që edhe të tjerët do të bëjnë të njëjtën gjë. Kushdo që do të jetë subjekti, që do ti nështrohet hetimit kur ka kryer shkeljet ligjore, duhet të përgjigjet qoftë një qytetar i thjeshtë apo qoftë një person që merret me krimin e organizuar apo një subjekt politik i lartë apo funksionar shtetëror i  lartë . Të gjithë  duhet të jenë njësoj kur të vij problem i ushtrimit dhe ndjekjes penale nga ana e strukturës tonë.

Për shkak të pritshmërive të larta të publikut dhe besimit absolut të publikut ndaj Spak është krijuar një legjendë urbane që ka edhe dosje të gatshme, të cilat Spak po i përpunon dhe së shpejti mund të ketë supriza të pakëndëshme ndaj të paprekshmëve. Ekziston diçka e tillë?

Koncepti i dosjeve të gatshme nuk është një koncept  ligjor. Ne kur kemi filluar punën kemi marrë një numër të caktuar dosjesh të transferuar nga prokuroria e krimeve të rënda, e cila u shkri. Kemi marrë edhe  një kategori  dosjesh nga prokuroritë e rretheve gjyqësore, kryesisht ato që kishin të bënin me shkelje të barazisë në tendera. Kuptohet që edhe këtë vit kanë ardhur edhe denoncime të tjera mbi bazën e të cilave janë rregjistruar procedime penale. Megjithatë kjo kategori e caktuar dosjesh është ajo në  të cilën po punojmë. Patjetër që kërkon kohë, dmth që duhet të gjesh prova, të heqësh çdo arsyetim të arsyeshëm për të shkuar në gjykatë dhe për të kërkuar dënimin e kushdo qoftë që ka shkelur ligjin .

Spak-u shqiptar u ngrit sipas modelit USKOK që ngriti akuza ndaj personazheve më të lartë të politikës në Kroaci, duke përfshirë ish ministra dhe ish kryeministrin. A jeni të bindur se Spak do të kap të njëjta nivele si USKOK kroat?

Këto struktura për atë arsye janë ngritur për të hetuar nivelin e lartë, për të hetuar persona të rrezikshëm, krimin e organizuar, grupet të struktuara, organizatat terroriste dhe patjetër normalisht do të kenë rezultat. Por duhet të keni parasysh diçka që, rezultati nuk është diçka që merret se dua unë të merrem me këtë person, apo atë personazh, por duhet të vij gradualisht, nëpërmjet  provave, nëpërmjet hetimeve që kërkojnë kohën e duhur dhe duhet të kemi strukturat e duhura e të specializuara.

Do të kemi një ngjashmëri me USKOKUN për arritjet që synoni?

USKOK-u është një nga strukturat më të sukseshme në rajon, por ju duhet ta dini që USKOK-u për të arritur  aty ku ka arritur i është dashur të punoj 5 apo 6 vite. Besoj më kuptoni. Unë e kam thënë edhe disa herë të tjera që, ajo që ne garatojmë është serioziteti, vendosmëria për ti shkuar gjërave deri në fund, por nuk mund të bëhemi arbitrar, nuk mund të bëhemi të kundraligjshëm, sepse përkundrazi do të bëjmë pastaj dëm më të madh të sistemit. Duhet të jemi gjithmonë bazuar në prova. Provat kërkojnë kohë të merren, rezultati padiskutim kërkon kohë që të vij. Duhet të jemi të përgatitur të gjithë.

Ndërkombëtarët e kanë cilësuar shpesh të korruptuarit e niveleve të larta si të paprekshmit. A ka aktualisht Spak nën hetim  të paprekshëm të politikës?

Çështjet e hetimit janë sekret. Zakonisht edhe kodi i procedurës penale e parashikon qartë që të gjitha çështjet që janë në fazën e hetimit paraprak janë sekrete dhe nuk mund të jepen dhe të bëhen publike të dhëna apo detaje nga dosja. Megjithatë unë mund të them këtë që ne nuk kemi asnjë limit, asnjë kufizim kushdo që do përfshihet padiskutim që do të hetohet deri në fund dhe do të kërkojmë përgjegjësi për atë që ka bërë.

Kur thoni që është sekret hetimor, unë kam të drejtën të nënkuptoj që ka nën hetim?

Ju keni të drejtë të thoni që ka, unë kam të drejtë dhe detyrim të them atë që më detyron ligji të them.

Ka patur realisht prokurorë të kërcënuar të Spak gjatë kësaj periudhe apo gjyqtarë të posacëm të GJKKO që kanë hetuar çështje të caktuara, që mund të jenë intimiduar apo të jenë dërguar mesazhe të caktuara dhe nëse po, kush i ka dërguar këto mesazhe?

Prokurorët e Spak-ut, ashtu edhe gjyqtarët, padiskutim që merren me personazhe që janë të rrezikshëm, organizata kriminale, grupe të strukturuara, por edhe nënpunës shtetërorë të niveleve të larta, të cilët ndoshta jo në mënyrë të drejtëpërdrejtë por indirekt bëjnë edhe presione. Dhe në këto raste ligji ka parashikuar shumë qartë  mbrojtjen e secilit prej tyre. Ka disa prokurorë edhe disa gjyqtarë të cilët  kanë mbrojtje fizike për arsye që kanë patur çështje më herët. Nuk dua të futem në detaje sepse nuk janë për publikun,  por e rëndësishme është që të gjithë janë të vendosur për ta bërë punën deri në fund dhe nga ana tjetër ka siguri dhe garanci për mbrojtjen e tyre e parashikuar në ligj, por edhe realizuar konkretisht në mbrojtjen fizike, qoftë individuale të prokurorëve dhe gjyqtarëve, por edhe të familjeve të tyre.

Prokurorët e Spak-ut dhe gjyqtarët e posaçëm janë kërcënuar duke dërguar mesazhe me nënkuptime kërcënuese gjatë këtij viti?

Thashë edhe njëherë nuk është vetëm gjatë këtij viti, por këto janë histori të trashëguara edhe nga gjykata e krimeve të rënda dhe nga prokuroria e krimeve të rënda, të cilët për siguri vazhdon mbrojtja  fizike e tyre, janë procese që janë në gjykim, janë procese që janë tepër të rëndësishme me personazhe të përfshira në botën e krimit të  organizuar, por që normalisht prokurorët dhe gjyqtarët kanë mbrojtje fizike.

Si përkthehen në zyrat e Spak, mesazhet e politikës? Shpesh gjatë këtij viti kanë dhënë mesazhe të pafundme, kanë kërkuar hetime për dosje të mëdha. Është përfolur një nga dosjet përsa i takon çështjeve së zgjedhjeve për të cilat u shpall  moskopentenca. Si përkthehen në këto zyra? Janë thjesht batuta të politikës apo kanë edhe ngarkesa të tjera?

Ne kemi diskutuar patjetër me njëri-tjetrin në mbledhje dhe kemi vendosur diçka që cdo debat që bëhet të jemi shumë të ftohtë dhe të rrimë sa më shumë profesionalisht. Secili nga jashtë ka të drejtë, politika të bëj deklaratat e veta, qytetarë të ndryshëm kanë të drejtë të ankohen, të bëjnë letra. E rëndësishme është që prokurori kur merr një vendim ta ketë të bazuar në ligj, ta këtë të bazuar në prova që ka në dosje dhe të marrë vendimin që duhet të marrë. Në këtë sens, mesazhe qoftë  të politikës, askujt tjetër nuk i vlerësojmë në sensin as shqetësuese apo intimiduese, secili nga  prokurorët është i përgjegjshëm për punën që bën dhe vendos mbi  bazën e provave gjithmonë, pavarësisht  i pëlqen dikujt apo nuk i pëlqen dikujt tjetër.

Pak përpara plotësimit të 1 vjetorit, prokurorët e Spak, goditën krerë të grupeve kriminale që kanë bërë histori në botën e krimit në Shqipëri. A është ky vetëm fillimi?

Rikthemi edhe njëherë asaj që thashë, ne duhet të godasim pandëshkueshmërinë dhe besoj ai  ishte një  mesazhi i qartë që pandëshkueshmëria, kudo që të jetë, është për t’u goditur dhe normalisht është pjesë e punës dhe nuk mund të them që është as fillimi dhe as fundi, sepse ka patur edhe më përpara dënime, por është një standard i punës sonë. Me të njëjtën standard do të vazhdojmë edhe në ditët në vijim dhe në vitin në vazhdim. Kushdo që të jetë pjesë e hetimeve tona që ka kryer vepra penale, padiskutim që do të ndërshkohet.

Dosja më e fundit është goditja dhe bashkëveprimi i Spak me partnerët ndërkombëtarë, përsa i takon një rrjeti të kokainës. Mund të kemi detaje veç asaj që është bërë publike edhe nga ndërkombëtarët?

Detaje nga dosja nuk mund të japim, por kuptohet edhe me përpara që është sekret hetimor. Është bërë një njoftim publik dhe nuk është vetëm ajo dosje, janë shumë dosje të tjera që ne kemi me partnerët  tanë ndërkombëtarë, që punojmë çdo ditë me ta, shkëmbejmë informacione bëjmë hetime të përbashkëta dhe pastaj dalin në rezultate konkrete. Një nga dosjet besoj, ju e kujtoni sepse ka patur edhe njoftim publik nga autoritetet italiane të drejtësisë, e cila u realizua për herë të parë pas shumë e shumë vitesh. Dy prokurori njëkohësisht ekzekutuan vendimet e arrestit, ekzekutuan njëkohësisht vendimet e sekuestros, pasuritë që rriten nga aktiviteti kriminal. Pra ishtë një aksion i goditur perfekt, i cili u reklamua shumë edhe nga Eurojust, i cili menaxhonte dhe drejtonte të gjithë këtë hetim të përbashkët.

Kam vërejtur gjatë këtij viti reagim të Spak-ut, përsa i përket grupeve kriminale të kokainës. Ka vërtet grupe kriminale të fuqishme që veprojnë në rrjete ndërkombëtare të narko-trafikut për sa i takon kokainës?

Padiskutim që ka grupe të forta që veprojnë, prandaj janë bërë edhe objekt i hetimit tonë, prandaj edhe ne bashkëpunojmë shumë me ndërkombëtarët sepse trafiku i kokainës apo i trafiqeve nuk bëhen vetëm në Shqipëri. Preken shumë shtete, preken interesa të mëdha, por edhe krijojnë problem në shumë shtete nga pikëpamja e shkeljes së ligjit. Në këto kushte, siç edhe autorët e veprave penale bashkëpunojnë me njëri-tjetrin pavarësisht kufinjve, edhe forcat e zbatimit të ligjit duhet të bashkëpunojnë nëse duan që  ti godasim. Ky është parimi që ne kemi vendosur prandaj kemi futur në raporte shumë të ngushta me partnerët ndërkombëtarë për të bërë hetime të përbashkëta sa herë të jetë e nevojshme.

Cila është veçoria e grupeve të trafikantëve kriminale të kokainës? Pastrojnë paratë ne Shqipëri apo janë aktive dhe janë të barabartë mes kriminelëve në vende të caktuara?

Ka veçori dhe specifika të ndryshme. Varet ku e ushtrojnë aktivitetin. Në përgjithësi ndodh që aktiviteti ushtrohet jashtë duke qenë edhe në territorrin tonë, apo ndodh që aktiviteti kalon transit në territorin tonë. Ka shumë investime në kuptimin “para” që vijnë nga aktiviteti kriminal që tentojnë të futen në Shqipëri, për tu investuar. Ka shumë specifika dhe shumë sjellje të themi nga pikëpamja e aktivitetit kriminal.

Por goditja më e bujshme ishte zbardhja e dy vrasjeve  së Vajdin Lames dhe Klodian Saliut, vrasje të cilat ishin harruar dhe  mbuluar nga pluhuri i viteve. Ka prova Spak që veç dëshmitarit  kryesorë apo është një histori që vazhdon dhe po hetohet ende?

Ajo është një histori padiskutim nën hetim. Ka një vendim gjykate që ka caktuar masat e sigurimit,  pra për sa kohë që ka një vendim gjykate pa diskutim që është dhënë mbi bazën e provave.

Z. Kraja, në një nga daljet tuaja publike, ju keni thënë, që ju e dini që njerëzit presin rezultate, rezultate. Çfarë ka për ti thënë Spak publikut?

Njerëzit kërkojnë që të gjitha hallet ti zgjidhin tek Spak-u. Vijnë tek ne letra të pafundme, nga më të çudishtme. Ndonjëherë  njerëzit për një gardh që ngatërrohen me njëri-tjetrin thonë nuk ma ka zgjidhur strukturat lokale kërkoj të ma zgjidhni ju, sepse kam besim tek  ju. Kjo ka dy anë, e para tregon besim, na ngarkon ne me përgjegjësi edhe më të madhe. Kjo ishte e para që duhet t’ju them njerëzve, që ne veprojmë në bazë të kompetencave të caktuara dhe janë ato që parashikon kodi i procedurës penale dhe nuk mund të bëjmë gjithshka, e dyta, ajo që duhet ti garantoj është edhe mesazhi që kam dhënë me rastin e një vjetorit kur botuam treguesit e përgjithshëm, është që, ne garantojmë që pandëshkueshmëria nuk do të jetë më fenomen në Shqipëri, për rastet që janë objekt i  hetimit apo kompetencë e prokurororisë së posaçme. Të pandëshkueshmit nuk do të kenë më sukses dhe nuk do të mbijetojnë.

Kush ka qenë gjatë këtyre viteve më e paprekshme politika apo krimi i organizuar?

Të gjithë nga pak. Të gjithë të përfshirë, qoftë politika, qoftë strukturat e krimit të organizuar, por qoftë edhe strukturat e drejtësisë për rastet kur kanë kryer aktivitet jo të ligjshëm.

Do veprohet me të  njëjtën forcë tek  të gjithë?

Nuk kemi dallim fare. I vetmi dallim është që kush ka prova dhe kush i plotësohen kriteret për tu hetuar fillimisht dhe pastaj për tu dërguar për gjykim në varësi të provave që mblidhen.

Ka kapicitetet e duhura Spak për të hetuar këtë lloj krimi, kaq të sofistikuar? Në rast se të gjithë bashkë janë bërë bashkë, tashmë dhe janë aleat në botën e krimit.

Spak-u ka strukturën e vet që do të ketë, pra grupin e prokurorëve dhe grupin e hetuesve të cilët janë të pavarur dhe garantojnë që të bëhet hetimi pa problematika. Megjithatë Spak-u i vetëm s’mund ta bëj kurrë. Duhet të jemi të qartë për këtë pune pune. Është e padiskutueshme që ka nevojë edhe për strukturat e tjera shtetërore, ka nevojë edhe për policinë e shtetit. Ne e kemi bashkëpunimin me policinë e shtetit. Ka nevojë për shërbimet informative, ka nevojë për shërbimet e inteligjencës, ka nevojë edhe për strukturat e hetimet  pasuror, të  tatimeve, të doganave, ka nevojë për kontrollin e lartë të shtetit apo edhe për strukturat e tjera. Në këtë sens ne kemi filluar si të themi një praktikë pune të shkëmbimit të informacionit diku duke lidhur marrëveshje, diku duke vendosur kontakte të drejtëpërdrejta me qëllim të gjithë të shkëmbejmë informacion, informacion që ne na duhet për efekt të hetimit që ne kryejmë.

Ju keni vendosur në web-in e  Spak edhe një rubrikë “raporto korrupsionin”. Ka patur kërkesa të qytetarëve të cilët kanë denoncuar korrupsionin?

Patjeter që ka pasur . Unë e thashë edhe më përpara jo vetëm që ka patur për korrupsion, jo vetëm aty, por edhe letrat që vijnë nëpërmet postës me protokoll apo qyterarë që vijnë dhe kërkojnë të bëjnë kallzim për raste konkrete të korrupsionit dhe të gjitha kanë marrë zgjidhjen e duhur ligjore. Ne kemi patur raste mbi bazën e kallëzimeve të qytetarëve janë rregjistruar procedime penale të sukseshme për korrupsion dhe janë në procese apo janë në  gjykim apo vazhdon hetimi kundër tyre.

Sa është numri i referimeve të qytetarëve në Spak gjatë këtij viti?

Ne gjatë këtij vitit kemi filluar rreth deri tani 300 procedime penale dhe për këto 300 procedime penale, ju garantoj që dyfishi i atyre, kanë patur informacione nga publiku, letra nga publiku, apo kallëzime nga publiku. Jo të gjitha kanë qenë probleme që i takojnë prokurorisë së posaçme brenda kompetencave që ka ajo.

Për çfarë veprash bëhët fjalë që kryesojnë në këto 300 procedime?

Janë të ndara për krim të organizuar, për korrupsion dhe vepra të tjera që i quajmë ne, që përfshihet qoftë shkelje e barazisë në tendera apo për subjekte që janë subjekte në bazë të ligjit. Por pavarësisht nga lloji i vepres penale që ata kryejnë. Por ajo që vërehet nga të dhënat statistikore nqs ne e kemi të trashëguar nga prokuroria e krimeve të rënda dhe nga prokuroritë e tjera të rretheve gjyqësore një numër të caktuar të lartë të çështjeve që lidhen me krimin e organizuar  dhe një numër të ulët të çështjeve që lidhin me korrupsionin për këtë vit.  Ka ndodhur që ka kapërcyer. Ne kemi rregjistruar rreth dy-fishin e çështjeve penale, më shumë për korrupsion sesa në rastet e krimit të organizuar . Kjo, dmth, që prioriteti jonë ka qenë që të vlerësojmë sa më shumë kallzime për korrupsion dhe ti bëjmë objekt hetimi  patjetër.

A kishte vështirësi Spak për të hetuar ish prokurorin e përgjithshëm, Adriatik Llalla?

Prokurorët e Spak janë korrekt në raport me ligjin, në raport me provat dhe kanë mbajtur një qëndrim që ju e dini është një qëndrim publik. Do shohim çfarë vendimi do jap gjykata.

Ka gjyqtarë dhe prokurorë të tjerë nën hetim?

Kemi filluar hetim edhe për një grup gjyqtarësh, që janë kompetence e jona, të cilët janë shkarkuar nga vetingu. Eshtë një proces që po vazhdon hetimi.

Të gjithë ata që janë shkarkuar nga vetingu janë nën hetim?

Jo të gjitha ata që janë shkarkuar nga vetingu, një kategori e caktuar, sepse jo të gjithë ne i kemi në kompetencë. Ne kemi në kompetencë vetëm gjyqtarët e gjykatës së lartë dhe gjykatës kushtetuese  dhe jo gjyqtarët e shkallëve së tjera.

Sa është numri në total i të hetuarve dhe për çfarë vepre po hetohen?

Po hetohen për disa vepra penale. Bëhet fjalë për element të shpërdorimit të detyrës apo korrupsionit apo element të deklarimit të rremë të pasurisë. Por janë çështje konkrete dhe nuk duhet të futemi në shumë detaje. E rëndësishmë është që po hetohen dhe do dalim me një rezultat konkret sa më shpejt që të jetë e mundur.

Mimoza Margjeka, një gjyqtare e apelit të Korçës dhe më herët gjyqtare e shkallës së parë në Durrës, në çdo dalje të saj publike sa herë paraqitej në këto ambiente të gjykatës së posaçme, kishte akuza për një proces hetimor të montuar. I konsideruat ju si një intimidim dhe një sulm ndaj Spak apo ishte thjesht reagimi i një të dyshuare?

Është e drejtë e kujdo që akuzohet të thotë, ju e dini që kodi i procedurës penale thotë,që i pandehuri apo i akuzuari  mund të thotë çfarë të dojë dhe nuk mund ta akuzosh për ato që thotë. Kështu që nuk kam asnjë koment më shumë.Aty ka një proces të rregullt ligjor, çdo gjë është me vendim gjykate dhe vazhdon procesi.

Z. Kraja, çfarë panorame ka krimi i organizuar në Shqipëri?

Ajo që kam konstatuar unë në këtë vit është që krimi i organizuar është i ndërthurur shpeshherë edhe me strukturat e administratës shtetërore, të cilat krijojnë suportin dhe mbështesin njëra-tjetrin të dyja palët.

Administrata shtetërore në njëfarë mënyrë janë ushtarët e krimit të organizuar?

Varet, në disa raste janë në shërbim të tyre, në disa raste i përdorin për nevoja të tyre. Janë mbi bazën e atyre çfarë ne kemi parë gjatë këtij viti dhe më përpara pak a shumë.

Zyrtarët e korruptuar deri në çfarë nivelesh shkojnë?

Kodi penal ka një ndarje korrupsioni, sipas subjekteve. Është një dispozitë  që përfshin të gjitha kategoritë e nëpunësve zyrtarë, pastaj është një dispozitë tjetër që përfshin zyrtarët e lartë shtetërore dhe të zgjedhurit vendore dhe ka disa dispozita që përfshin korrupsionin në sistemin e drejtësisë. Ky është  klasifikimi i kodit penal.

Sa shqetësues është zyrtari i korruptuar në Shqipëri? Sa shqetësues është politika e korruptuar në Shqipëri?

Korrupsioni është një fenomen i përhapur. Ka studime, ka pafundësi dhe është pranuar nga të gjitha palët. Ndërtohen strategji, krijohen struktura që, dmth, është pranuar se është shqetësues. Kjo sepse deformon gjithshka, sepse e para deformon njeriun nga pikëpamja e sjelljes, e dyta deformon konkurrencën e lirë të  biznesit. Nuk mund të  funksionoje konkurrenca e lirë, nuk mund të funksionoje biznesi normalisht, ndërkohë që administrata është e korruptuar, marrim  një procedurë prokurimi psh. Nga ana tjetër ndikon shumë korrupsioni në sistemin e drejtësisë. Eshtë shumë më negative korrupsioni në sistemin e drejtësisë, sepse njerëzit kur kanë probleme i drejtohen sistemit të drejtësisë për të zgjidhur ato probleme dhe nqs ne do të kemi një sistem drejtësie jo efiçent apo të korruptuar, kuptohet që shumëfishohet pastaj pasojat e këtyre sjelljeve korruptive.

Raportet e fundit të ndërkombëtarëve shprehen se gjatë 4 viteve të fundit, korrupsioni në Shqipëri është përkeqësuar akoma më tepër. Deri në çfarë nivelesh ka arritur të infiltroj korrupsioni, deri në çfarë nivelesh të zyrtarëve të lartë, deri në çfarë kategorie të politikës ka arritur dhe a ka një aleancë mes krimit të organizuar dhe politikës tashmë? Ka një bashkë-ortakëri?

Nuk mund të nxjerrim konkluzione të tilla për aleancë apo të themi për bashkë-ortakëri apo sjellje të tilla. Mbas studimeve që unë kam pare, se kam një periudhë të gjatë që merrem me rastet e korrupsionit apo me strukturat, njihen dy lloj korrupsioni: korrupsion në nivel të ulët, ajo që është i përditshëm, i njerëzve të zakonshëm dhe korrupsioni i nivelit të lartë që përfshin funksionarët e lartë. Padiskutim,  korrupsioni i nivelit të lartë është më i rrezikshëm, është më i rrezikshëm sepse strukturat gjithmonë janë piramidale, kanë një hierarki dhe nëse maja e hierarkisë apo struktura  ekzekutive e administratës shtetërore është e korruptuar, ajo shumëfishohet pastaj në sjelljen e nënpunësve më poshtë, me shkelje të ligjit dhe sjellje korruptive. Ajo shprehja që thuhet  “peshku qelbet nga koka” funksionon edhe në këtë rast. Mendoni vetë, nese një drejtues i një institucioni shtetëror është i korruptuar kuptohet edhe vartësit e tij sjelljet e tyre do ti kenë shumë më të këqija, më shumë shkelje sesa vet drejtuesi ndonjëherë. Kështu që janë fenomene të gjithë llojit edhe korrupsioni i nivelit të ulët dhe atij të lartë janë më të rrezikshme dhe secili prej tyre krijon problemet e veta.

Me shumë mundësi, në muajin shkurt BKH do të plotësohet pjesërisht. Do të thotë kjo, që viti 2021 do të jetë një vit i vështirë për të korruptuarit dhe të krimit të organizuar?

Padiskutim. Unë garantoj që më i vështirë se 2020 do të jetë patjetër njëhërë. Do të jetë më i vështirë sepse do jetë struktura më e konsoliduar, eksperiencë  më e madhe, mundësi më shumë për të punuar, infrakstruktura më e mirë dhe më shumë bashkëpunëtorë në kuptimin e homologëve apo të strukturave të tjera të drejtësise me të cilët punojmë.

 Ndërkombëtarët kanë sjellë dosje për Spak?

Është e pamundur të luftosh krimin e organizuar sidomos po nuk pate bashkëpunimin me strukturat homologe, me shtete afër, por edhe më larg. Ju e dini, në të gjitha raportet e Bashkimit Evropian janë diskutuar vazhdimisht jo kriminaliteti shqiptar në Hollandë, jo në Gjermani, jo në Francë, jo në  Itali dhe është bërë problem shqetësues për këto vende. Dhe në raporte është lënë si detyrë herë pas here, që  duhet të goditet sepse po krijohen shqetësime. Në këto kushte ka qenë gjithmonë prioritet hyrja në kontakt me përfaqësuesit e tyre. Në takimet e para që unë kam bërë këtu, kam bërë takim me të gjithë përfaqësuesit qoftë të policive apo të strukturave të prokurorisë, se secili ka pika kontakti në Shqipëri, duke vendosur lidhje dhe duke garantuar në seriozitetin e institucionit. Një nga momentet e para që kam bërë ka qenë marrëveshja me Antimafian Italiane .Në muajin shkurt të këtij viti në Romë është nënshkruar një marrëveshje midis prokurorisë së posaçme dhe drejtorisë antimafia të Italisë dhe rezultatet, ju i keni parë. Kanë qenë shumë shumë konkrete. Jemi në kontakte të vazhueshme me autoritetet gjermane, autoritetet belge, autoritetet e Hollandës, por dhe me të tjerët. Është e domosdoshme pa diskutim sepse vendosja e raporteve të mirëbesimit, garanton që të shkëmbehet informacion dhe garanton pastaj që në kohën e duhur të goditen edhe strukturat kriminale.

Është bërë publike se Spak-ut i janë dorëzuar kallzime  të tilla si çeshtja  e teatrit, padia e presidentit ndaj ministres së drejtësisë, çështja e sterilizimit, kallëzimi ndaj mininistrit të  brendshëm, hetimit  për  privatizimin e ish kompleksit sportiv të Partizanit apo ndaj Ervin Bushatit. A është ndonjëra prej këtyre çeshtjeve dhe mund të konsiderohet ndonjëra si “çelësi” që do të zbërthejë korrupsionin?

Këto janë të gjitha rastet që janë nën hetim, janë procedime penale. Prokurorët janë duke kryer veprime, kërkojnë kohën e duhur. Keni parasysh që bëhet fjalë, ku vendimarrja ka përfshirë shumë faktorë, ka përfshirë shumë procedura që duhet vlerësuar, duhet verifikuar dhe duhet vendosur pastaj nëse ka patur apo jo shkelje ligjore. Psh, unë nuk mund të them konkretisht për asgjë, për asnjërën prej tyre, nëse është apo nuk është  “çelësi” i suksesit, por ajo që unë iu garantoj është që të gjithë prokurorët janë shumë seriozë, me atë që kanë në këtë rast për ti sqaruar deri në fund se çfarë ka ndodhur dhe pastaj për të vendosur në lidhje nese ka apo jo përgjegjësi penale kushdo që të jetë.

Cili do të jetë sekreti i Spak për ta goditur korrupionin?

Strategjia padiskutim është sa më shumë bashkëpunim me të gjitha strukturat, sa më shumë vlerësim të informacioneve që vijnë nga publiku dhe qoftë edhe nga media. Ne kemi filluar hetime bazuar edhe edhe mbi publikimet që bën media. Do mundohemi ti shfrytëzojmë të gjitha burimet e mundshme të informacionit. Sa më shumë informacion të kesh, aq më shumë ke mundësi për të përzgjedhur në rastet kur duhet të përfshihesh dhe kur duhet të hetosh, që të dalin edhe rastet e sukseshme. E rëndësishme tek korrupsioni është hetimi proaktiv, qe do të thotë të hetosh bashkë me ngjarjen të arrish të mbledhësh prova  në kohën e duhur dhe të godasësh në kohën e duhur. Për ngjarjet që kanë ndodhur është pak më e vështirë ti rikthehesh, të bësh hetimin historik  për të provuar elementët e korrupsionit apo situata të tilla. Kështu që strategjia jonë është padiskutim të jemi më proaktiv.

 Veç pritshmërive ka patur edhe kritika ndaj Spak-ut, gjatë këtij viti, sa i takon disa pretencave për shtetas të akuzuar për korrupsion në vlera  të vogla monetare  nga 50 euro në 5 mijë lekë të reja apo dhe shpallje moskopetencash për çështje të tjera që ishin nën hetimin e krimeve të rënda dhe Spak-u ua delegoi rretheve. Po zhvillohen diskutime apo Spak, do të jetë i vendosur edhe për korrupsionin me vlerë 5 mijë lekë të reja?

Ligji ka një problematikë, në kuptimin e kompetencës sepse ka përdorur dy standarde: kodi i procedurës penale ku është përcaktuar kompetenca për prokurorinë e posaçme dhe gjykatën kuptohet, sepse në fushën e krimit të organizuar ka mbajtur kompetencën në nivel të grupit të strukturuar apo organizatat kriminale  dhe rastet individuale nuk ia ka lënë kompetencë Spak-ut. Ndërkohë tek korrupsioni është mbajtur një standart tjetër, të gjitha llojet e korrupsionit me përjashtim të korrupsionit në sektorin privat janë kompetencë e Spak-ut, që dmth që edhe një 500 lekësh që një qytetar i jep policit është një vepër penale, e cila është në kompetencën e Spak-ut. Duhet ta keni parasysh që ligji penal shqiptar, nuk njeh të drejtën apo mundësinë e prokurorit apo gjykatës për të shmangur një hetim për mungëse të rrezikshmërisë siç është rasti i shumave të tilla. Hetimi dhe gjykimi është i detyrueshëm. Cfarë do të thotë kjo? Për çdo prokuror të Spak-ut është detyrim ligjor që këto  raste ti hetojë, është kompetencë e jonë. Ne nuk kemi bërë asnjë rast publik, njoftime të tilla, sepse nuk ka as peshë dhe as rëndësi. Janë përdorur nga gazetarët, janë përdorur herë pas here njoftime për të dhënë imazhe. Megjithatë ne na kanë ndihmuar. Na ka ndihmuar sepse është krijuar kjo problematikë dhe po diskutohet pa diskutim nëpërmjet tavolina me grupet e punës, të shikohet mundësia që të kufizohet pak kompetenca. Megjithatë duhet të jetë shumë e studiuar, duke marrë edhe mendimin e partnerëve ndërkombëtarë , të gjithë faktorëve kur kanë qenë të përfshirë, kur është miratuar ligji për Spak-un dhe kur është miratuar kompetenca e Spak-ut. Megjithatë kjo problematikë na ka penguar këtë vit  .

Kultivimi i kanabisit. Policia vazhdohet të kritikohet nga njëra anë. Ka patur kritika të pafundme përsa i takon këtij fenomeni në Shqipëri. Ka dosje të fuqishme Spak përsa i përket ekzistencës së grupeve kriminale që mund të kenë rekrutuar dhe oficerë policie?

Kultivimi i kanabisit nuk është kompetencë e Spak-ut, ju  e dini që nuk janë në kompetencë e jona. Kuptohet që jo rrallë, ky  kultivimi i kanabisit realizohet nën drejtimin e  grupet të strukturuara  dhe padiskutim që ka hetime dhe shpresojmë që të kemi rezultate sa më shpejtë.

Cilat janë fitoret më të mëdha të Spak gjatë këtij viti?

Kemi aplikuar jo pak ligjin antimafia dhe janë disa pasuri  në vlera të konsiderushme të cilat edhe janë konfiskuara edhe  janë në proces konfiskimi. Ju e dini që hoteli  i Sarandës “Santa Quaranta” u konfiskua në kuadër të ligjit antimafia. Në rastin e hetimit me  autoritetet italiane kanë sekuestruar pasuri që shkojnë deri në 3 -4 milion euro për një procedim të vetëm, pra ka qenë prioritet i ynë, zbatimi i ligjit  antimafia me idenë që të merremi me pasuritë e mëdha dhe jo me raste individuale. Kjo do të vazhdojë si përparësi patjetër, OFL dhe hetimi pasuror janë pak a shumë e njëjta gjë, pavarësisht se janë me  dy baza të ndryshme ligjore. Fillimisht  kur u diskutua drafti i parë, drafti i parë kishte shumë problematika dhe ne dhamë një opinion që u mor parasysh  dhe u kufizua në atë që ne kemi sot  në fuqi . Ka qenë mbingarkesë për prokurorët se akti normativ ngarkon Spak-un, prokurorinë e posaçme dhe gjykatën e posaçme që të vlerësoj materialet e policisë së shtetit. Janë rreth 226 raste deri në ditën e sotme, të cilat janë paraqitur. Kuptohet një pjesë janë kthyer për plotësim, një pjesë janë refuzuar, por një pjesë e madhe më shumë së gjysma  e tyre kanë shkuar në gjykata dhe  janë sekuestruar ndërkohë që kemi filluar edhe procedurat e konfiskimit. Përsa i përket rasteve që janë nën sekuestro është një proces  që do të vazhdojë. Ta shohim se çfarë zgjidhje do marrë ligji sepse në 31 dhjetor i mbaron afati. Jemi të detyruar të zbatojmë ligjin, sepse prokuroret zbatojnë ligjin, nuk mund të  bëjmë komente më shumë.

Ju jeni i mendimit që duhet të vazhdojë OFL, apo mjafton një vit?

OFL do të vazhdojë të përfundojë ato procese që janë në gjykim, sepse nuk mund të lihen përgjysmë. Pjesa tjetër unë mendoj se  është e panevojshme, sepse ne kemi ligjin antimafia, i cili plotëson të gjitha kriteret dhe të gjitha mundësitë për të realizuar sekuestrimin dhe konfiskimin të sukseshëm. Mjafton të fokusohemi pak më shumë aty, ne kuptohet  dhe  policia e shtetit, të gjithë  bashkë  dhe padiskutim që produktet do vijnë.

A do shkojnë të paprekshëm në burg?

Besoj kemi filluar të japim shembuj konkrete se po shkojnë. Do e vazhdojmë këtë./BW


MË SHUME NGA Intervista