Lladrovci i pakënaqur me mbështetjen e Qeverisë gjatë pandemisë

Lladrovci i pakënaqur me mbështetjen e Qeverisë gjatë pandemisë

Komuna e Drenasit ka menaxhuar në mënyrën më të mirë me pandeminë, kështu të paktën po konstaton kryetari i kësaj komune, Ramiz Lladrovci.

Lladrovci në një intervistë për Ekonomia Online tha se kanë aktivizuar të gjitha institucionet përgjegjëse për tu dal në ndihmë qytetarëve që kanë pasur nevojë.

Por kreu i Drenasit nuk është i kënaqur me ndihmën e ofruar nga Qeveria në tejkalimin e pandemisë.

“Nuk mundem me thënë që kemi pasur ndonjë përkrahje të madhe por edhe nuk mundem me thënë që nuk kemi pasur përkrahje sepse edhe niveli qendror është gjetur para një mundësie me ndihmuar ose mos me ndihmuar, por gjithçka që kanë pasur mundësi me na ndihmuar na kanë ndihmuar. Megjithatë, ne e kemi kaluar e konsideroj se e kemi kaluar mirë. Pavarësisht që gjithmonë kam thënë se në fushën e shëndetësisë ne nuk jemi te kënaqshëm”.

Ai insiston se janë e vetmja komunë në Kosovë që ofrojnë shërbime 24 orë në dy institucione shëndetësore.

“S’kam qenë kënaqshëm, por si Komunë nuk ka në Kosovë një komunë që jep shërbime 24 orë në dy institucione shëndetësore në QKMF në Drenas dhe QMF në Komoran, pra në Komoran e kam bëre aktive ose e kam  ndërtuar QMF-në një vit para planifikimit, para kohe dhe kam filluar me dhënë shërbime për qytetarët 24 orë”.   

Ndër të tjerash, ai tha se nuk kanë pasur mundësi financiarisht që t’u ndihmojë bizneseve të kësaj gjatë pandemisë, por ato i ka ndihmuar në forma të tjera.

“Ne i kemi liruar të gjitha bizneset nga taksat operative dhe është një ndihmë e mire që ka mundur ta bëjë Komuna”.

Duke folur për projekte për vitin tjetër ai shprehet i bindur se 22 fshatra të kësaj komuna do të bëhen me ujë të pijes.

“Unë po besoj që vitin e ardhshëm do ta realizojmë në qoftë se edhe nëpër fshatra rrjetet sekondare ekzistojnë të vendosura nëpër fshatra sepse rrjeti kryesor prej bazenave të Feroniklit që i quajmë ne deri tek baznenat e Kamenicës nuk ka pasur gyp, do të thotë tri ose katër herë është paguar tenderi sikur është punua”.

Intervista e plotë:

EO: Si është menaxhuar pandemia në komunën tuaj?

Lladrovci: Pandemia në komunën tonë prej vendimeve që janë marrë ne i kemi marr hapat menjëherë. Kemi formuar shtabin emergjent lokal, kemi formuar shtabin operativ, kemi formuar nën-shtabet lokale ku i kanë udhëhequr administratorët e lokaliteteve të komunës tonë dhe kemi filluar menjëherë për tu ju ardhur në ndihmë qytetarëve sidomos gjatë kohës së izolimit i kemi mbështetur dhe përkrahur qytetarët me pako ushqimore dhe higjienike.

EO: Sa keni pasur përkrahje nga niveli Qendror në këtë kohë pandemie?

Lladrovci: Nuk mundem me thënë që kemi pasur ndonjë përkrahje të madhe por edhe nuk mundem me thënë që nuk kemi pasur përkrahje sepse edhe niveli qendror është gjetur para një mundësie me ndihmuar ose mos me ndihmuar por gjithçka që kanë pasur mundësi me na ndihmuar na kanë ndihmuar. Megjithatë, ne e kemi kaluar e konsideroj se e kemi kaluar mirë. Pavarësisht që gjithmonë kam thënë se në fushën e shëndetësisë ne nuk jemi te kënaqshëm. S’kam qenë kënaqshëm, por si Komunë nuk ka në Kosovë një komunë që jep shërbime 24 orë në dy institucione shëndetësore në QKMF në Drenas dhe QMF në Komoran, pra në Komoran e kam bëre aktive ose e kam  ndërtuar QMF-në një vit para planifikimit, para kohe dhe kam filluar me dhënë shërbime për qytetarët 24 orë.   

EO:Sa ju ka ndihmuar komuna e Drenasit bizneseve të kësaj komune?

Lladrovci: Komuna nuk ka mundësi te mëdha me i’u ndihmuar në anën financiare, por ato që i ka pasur mundësi, i kam propozuar kuvendit dhe ne i kemi liruar të gjitha bizneset nga taksat operative dhe është një ndihmë e mire që ka mundur ta bëjë Komuna.

EO: Buxheti për komuna është shkurtuar, si do t’ia dilni me këtë buxhet?

Lladrovci: Varet, buxheti shkurtohet në investime kapitale, tash nëse ke më  shumë buxhet bënë investime më shumë nëse ke më pak duhet me harmonizuar edhe me shpenzuar në mënyre racionale dhe më të mirë të mundshme. Unë, nuk është se nuk kam pasur buxhet edhe pse Qeveria e kaluar kur e ka miratuar buxhetin në Kuvend më ka larguar shumë buxhet, por megjithatë me grante, me donacione e kam rritur buxhetin. Unë kam pasur buxhet për këtë vit për investime kapitale rreth 6 milionë e 800 mijë euro, nëse nuk gabohem, por që po pres me shpenzuar mbi 75% për shkak se ne deri në qershor nuk kemi mundur të zhvillojmë procedura të prokurimit, kemi qenë jo vetëm unë, por besoj të gjitha Komunat në nivel vendi kanë filluar me projekte vonë.

EO: Sa projekte kanë mbetur pa u përfunduar nga ana juaj dhe sa prej tyre janë realizuar?

Lladrovci: Të gjitha ato projekte te cilat kanë qenë në dorën, mundësinë tonë i kemi zhvilluar dhe jemi duke i zhvilluar, a jemi vonuar, jemi vonuar por në projekte që jemi vonuar, janë projekte dy vjeçare dhe që do te vazhdojnë vitin e ardhshëm, pra projektet nuk kanë mbetur pa u realizuar, por janë vonuar për shkak te pandemisë. Projektet janë të ndryshme sepse ne kemi projekte në investime në infrastrukturë rrugore në kolektor te ujërave të zeza që është e vetmja Komunë që jemi duke i vendosur kolektorë për gjatë brigjeve të lumenjve, prockave në komunën tonë që mendoj se kemi me qenë komuna e parë në Kosovë që kemi me arritur me i larguar ujërat e zeza prej lumenjve, pra kolektive, kanalizim të ujërave të zeza në ujësjellës sidomos pas shumë atyre problemeve që i kemi pasur sepse investimet që janë bërë në komunën time, janë bërë pagesat, por që nuk janë kryer punimet. 

EO: Me projektin për furnizimin me ujë për 22 fshatrat e kësaj komune, çfarë po ndodhë?

Lladrovci: Pra s’kemi pasur rrjet të ujësjellësit të vendosur në tokë. S’ka pasur gypa i ka ngrënë miu apo ku me dite por, nuk ka pasur jemi vonuar me këto investime, por që unë jam duke i zhvilluar. Unë po besoj që vitin e ardhshëm do ta realizojmë në qoftë se edhe nëpër fshatra rrjetet sekondare ekzistojnë të vendosura nëpër fshatra sepse rrjeti kryesor prej bazenave të Feroniklit që i quajmë ne deri tek baznenat e Kamenicës nuk ka pasur gyp, do të thotë tri ose katër herë është paguar tenderi sikur është punuar, është kryer pranimi  dorëzimi krejt, por që s’ka pasur fare gypa në tokë, ose ka pasur nga 50-60 metra pastaj nga 300-400 metra s’ka pasur fare ose vetëm ne shatka ka pasur nga një metër gyp sa me u pa që ka dhe mandej s’kemi gjetur askund ku mund të lidhemi. Ne i kemi kryer të gjitha procedurat dhe i kemi dorëzuar prokurorisë, prokuroria është në hetim dhe për një pjesë ka ngritur aktakuzë, kurse për  tjetër nuk e si por shpresoj që shumë shpejtë do të ketë aktakuza.

EO: A do të rikandidoni edhe për një mandat për të parin e komunës së Drenasit?

Lladrovci: Unë edhe kur kam kandiduar për herë të parë në pajtim me kryetarin, me ftesë të tij, kryetarit Veseli kam ardhur që me kandiduar për dy mandate me udhëhequr komunën për dy mandate edhe atëherë kemi thënë edhe tash po them unë do te kandidoj edhe për mandatin e ardhshëm. Pastaj nuk mendoj për qeverisje lokale sepse nuk mendoj me qenë më shumë se 8 vjet sepse çdo kryetar ose ekipi e tij, kur rri gjatë, pastaj fillon mos me bë punën mirë. Unë njoh teknika, të njerëzve të shteteve të ndryshme sepse sistemi duhet me qenë, me ligj nuk është e ndaluar mundësh me konkurruar sa herë të duash dhe me ta dhënë votën qytetarët, por unë nuk mendoj me udhëheqë komunën më shumë se dy mandate, në rast se unë e fitoj votën e qytetarëve sepse qytetari është ai i cili e vlerëson a duhet me vazhdu unë prape qeverisjen e Drenasit. 

EO: A mendoni se do t’i fitoni prapë zgjedhjet nëse kandidoni?

Lladrovci: Unë besimin e kam sepse kam bashkëpunim të jashtëzakonshëm  me qytetarët, të gjitha projektet që i kemi realizuar i kemi bërë bashkë me qytetarët dhe e kam pasur një bashkëpunim të jashtëzakonshëm, qytetarët e presin kandidimin tim, kjo varet prej partisë time e cila e vlerëson a ka me qit një kandidat tjetër që është shpallë edhe Komuna më transparente në Kosovë, më e mira a s’ka me qit do të thotë varet prej tyre. Unë pres edhe një mandat me udhëhequr Drenasin.


MË SHUME NGA Intervista