Lajçak: S’ka marrëveshje Kosovë-Serbi pa u diskutuar statusi

Lajçak: S’ka marrëveshje Kosovë-Serbi pa u diskutuar statusi

Njeriu kryesor i Evropës për dialogun Kosovë-Serbi e quan sukses në vete rikthimin e palëve në këtë proces verës së fundit.

Miroslav Lajçak, shprehet se Kosova dhe Serbia janë ende larg me qëndrime, por që po bëjnë punë trilaterale që të zgjidhet nyja.

Në një intervistë ekskluzive për KlanKosova.tv, Lajçak ka folur për procesin që e ndërmjetëson, duke shtuar se BE është gati që të prijë që më 2021 të ketë progres ndërsa thekson se një marrëveshje e arritur do të jetë monumentale.

Këtu ai shpjegon nga pikëvështrimi i tij pozicionet e palëve dhe kohën se kur mund të nënshkruhet marrëveshja finale mes dyja vendeve dhe, se cilat janë parakushtet që duhet plotësuar që ajo të ndodhë.

Ish diplomati sllovak ka thënë se ndryshimin e kushtetutave të dyja shteteve nuk e sheh si zgjidhje.

“Si ndërmjetësues, nuk më përket mua që t’u them Kosovës dhe Serbisë që ta bëjnë këtë. Gjetja e gjuhës së përbashkët të nevojshme në mënyrë që të dy palët të fitojnë pak për njerëzit e tyre, është ajo që po e bëjmë në tavolinën e bisedimeve”, është shprehur Lajçak, njofton KlanKosova.tv.

Ndër të tjera, ai ka thënë se “një marrëveshje gjithëpërfshirëse nuk mund të arrihet pa u diskutuar çështja e statusit. Të dyja palët e dinë këtë dhe ato kanë shprehur pozicionet e tyre për këtë”.

“Sidoqoftë, neve na duhet që ta ndërtojmë një marrëveshje të përbashkët në elemente të tjera të marrëveshjes në mënyrë që të jemi të gatshëm ta diskutojmë atë. Të dy palët është e nevojshme që ta kenë të qartë se si në tërësi do të duket Marrëveshja Gjithëpërfshirëse për të pasur diskutime përmbajtësore rreth saj”.

“Puna nuk është ende këtu”.

Intervista e plotë:

2020-ta shënon vitin e kthimit të procesit të Dialogut në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, pas afër 20 muajve. Çfarë llogarisni si të arriturën më të madhe në këtë proces gjatë këtij viti?

Miroslav Lajçak: Viti 2020 ka qenë përplot ngjarje për Kosovën, rajonin dhe botën, ku ende tash po ballafaqohemi me pasojat e pandemisë COVID-19.

Kur flasim për Dialogun, vet fakti që sot palët janë kthyer në tavolinën e negociatave në takime të rregullta dhe intensive paraqet një arritje në vete. Palët kanë arritur që të pajtohen për herë të parë mbi parametrat e këtij procesi negociues kompleks dhe delikat – përkatësisht marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme në mes të Kosovës dhe Serbisë, që ka të bëjë me të gjitha çështjet e pazgjidhura një herë e përgjithmonë.

Me rinisjen e Dialogut, palët gjithashtu kanë rënë dakord mbi elementet e marrëveshjes përfundimtare, për të cilat po negociojmë. Përveç kësaj, që është më e rëndësishme, rifillimi ka çuar tek rezultatet e para mbi këto elemente që demonstrojnë këtë momentum të ri.

Pas rifillimit të Dialogut në korrik, palët kanë qenë në gjendje që të pajtoheshin për tema të cilat janë të rëndësishme për pajtimin, por po ashtu për bashkëpunimin e së ardhmes. Tash ne jemi duke diskutuar rreth pronës, dhe për herë të parë, për çështjet financiare. Kjo është praktikisht një temë komplekse dhe e ndjeshme, e cila kërkon vëmendjen e plotë.

Që prej emërimit tuaj në pozitën e të Dërguarit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun, keni vizituar Kosovën dhe Serbinë. Këto vizita a ju kanë shërbyer për të parë situatën nga afër, apo për ta përçuar porosinë e përkushtimit tuaj?

Miroslav Lajçak: Kam vizituar Kosovën dhe Serbinë nga dy herë – një herë në qershor dhe një herë në tetor. Të dyja vizitat kanë qenë jashtëzakonisht të vlefshme për bashkëveprim me të gjitha palët politike, por po ashtu me aktorët ndërkombëtarë dhe shoqërinë civile. Vizitat kanë qenë të rëndësishme për mua për të dëgjuar dhe për t’i kuptuar idetë, dëshirat, por gjithashtu vijat e kuqe dhe frikërat që kanë Kosova dhe Serbia.

Udhëtimi në këtë rajon më ka dhënë mundësinë për ta shpjeguar se si unë e shoh Dialogun dhe se çfarë kemi bërë me ekipin tim që nga emërimi. Po të kisha mundësi, do të doja që të zhvilloja vizita të rregullta për të takuar sa më shumë bashkëbisedues dhe për të vizituar pjesë të ndryshme të Kosovës. Fatkeqësisht, COVID-19 na e ka vështirësuar që të udhëtojmë dhe të zhvillojmë takime siç ishim të mësuar t’i bënim.

Mospajtimi është e përbashkëta e Kosovës dhe Serbisë! Por a keni parë ju ndonjë pikë për të cilën pajtohen Prishtina zyrtare dhe Beogradi zyrtar?

Miroslav Lajçak: Të dyja tok, Prishtina dhe Beogradi e kuptojnë mjaftë mirë se ata kanë nevojë për Dialogun për të përparuar në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian dhe të dyja në të kaluarën kanë treguar se mund të gjejnë pajtueshmëri. Përndryshe, nuk do të arriheshin marrëveshjet e rëndësishme në të shkuarën, qoftë ajo për lëvizjen e lirë, apo integrimin e policisë dhe gjyqësorit, por edhe progresin e bërë në negociata pas rikthimit në verë – për të zhdukurit dhe personat e zhvendosur si dhe bashkëpunimin ekonomik.

Sidoqoftë çështjet që aktualisht jemi duke i diskutuar janë tejet të ndjeshme, komplekse dhe të vështira, por edhe po aq të rëndësishme. Natyrisht, pozicionet janë shumë larg, por secila çështje do të adresohet që të gjendet gjuha e përbashkët. Kjo do të thotë për të dhënë pak nga vetja për disa çështje, të cilat janë të një rëndësie kyçe për palën tjetër që të fitojë karshi të tjerëve.

Një vullnet i tillë në kërkim të kompromisit është i nevojshëm për të bërë progres në proces dhe për palët që të përparojnë në rrugët e tyre respektive për t’u bërë Shtete Anëtare të Bashkimit Evropian. Aktorët tjerë ndërkombëtarë e shikojnë procesin shumë kujdesshëm dhe janë jashtëzakonisht të interesuar që çdo përparim, si dhe për çdo mungesë të tij dhe, për arsyet gjithashtu.

Gjatë këtyre vizitave ju keni thënë se Kushtetuta nuk është Bibël. A e shihini ndryshimin e kushtetutave si zgjidhje për arritjen e marrëveshjes mes dyja vendeve?

Miroslav Lajçak: Nuk them se e shoh ndryshmin e kushtetutave si zgjidhje. Si ndërmjetësues, nuk më përket mua që t’u them Kosovës dhe Serbisë që ta bëjnë këtë. Për të gjetur gjuhë të përbashkët të nevojshme në mënyrë që të dy palët të fitojnë pak për njerëzit e tyre është ajo që po e bëjmë në tavolinën e bisedimeve.

Sidoqoftë, pasi që vendet të arrijnë një marrëveshje ndërkombëtare, rregullimet e nevojshme ligjore ka të ngjarë që të jetë të nevojshme që të përfshihen në nivel kushtetues, në mënyrë që të integrohet ajo për të cilën është gjetur pajtueshmëria dhe është nënshkruar sipas rendit të brendshëm ligjor. Kjo vlen si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë. Për më tepër, marrëveshja përfundimtare ligjërisht e obligueshme për normalizim të marrëdhënieve në mes të dyja palëve do të jetë një marrëveshje monumentale.

Cila prej palëve është më konstruktive në proces?

Miroslav Lajçak: Të dyja palët janë të përkushtuara në këtë proces. Ato vinë të përgatitura në Bruksel dhe negociojnë në mirëbesim. Sidoqoftë, asnjëra prej çështjeve që po i diskutojmë nuk janë të lehta. Nëse do të ishin, ne do ta kishim përmbyllur këtë proces vite më parë.

Përkundrazi, ato janë tepër të rënda, komplekse dhe të dhimbshme për të dyja palët. Pozicionet prej kohësh janë shumë larg dhe neve na duhet që të bisedojmë për to për të gjetur gjuhën e përbashkët, për të parë nëse ka modele ekzistuese evropiane, të cilat mund të jenë të aplikueshme, për të folur rreth asaj se si të implementohen ato dhe të monitorohen.

Atëherë, cila është më e gatshme për pajtim?

Miroslav Lajçak: Siç e dini, pajtimi është proces tepër i gjatë. Kërkon kohë që të arrihet dhe, e kaluara e afërt e të gjithë rajonit është shpesh e pranishme në diskutime. Sidoqoftë – në të njëjtën kohë – të dyja palët, krerët e tyre dhe negociatorët e kuptojnë se ua kanë për borxh qytetarëve të tyre që këtë proces ta çojnë në fund, në mënyrë që e kaluara të lihet pas dhe të shikohet kah e ardhmja.

2021-ta do ta shënojë një dekadë që prej fillimit të Dialogut në Bruksel. Në pikëpamjen tuaj ku është vështirësia që BE nuk është duke mundur që të gjejë zgjidhje në mes të dyja vendeve që kanë afërsisht nëntë milionë banorë (afër dy milionë Kosova dhe afër shtatë milionë Serbia)? Në këtë kontekst kur ju shihni se mund të përfundojë ky proces me marrëveshje përfundimtare?

Miroslav Lajçak: 10 vjet janë kohë e gjatë dhe fatkeqësisht, në 10 vjet, mësoheni që të jetoni me një status-quo me të gjitha mangësitë. BE ka nisur me marrëveshje të vogla, teknike, por të rëndësishme që bënë ndryshim në jetën e përditshme të qytetarëve, para se ato të bëheshin më tepër politike dhe po ashtu më të ndjeshme.

Është proces, që kërkon vëmendjen e plotë, por po ashtu partnerë politikë me vullnet të fortë politik edhe në Kosovë edhe në Serbi për të qenë e mundur të bëhet progres, përndryshe Dialogu ngec dhe ne humbim kohë. E kemi parë të gjithën në të kaluarën. Për mua, situata e tanishme është e qëndrueshme dhe ky është qartë një motivim për të ardhur te marrëveshja, e cila zgjidh të gjitha çështjet e pazgjidhura një herë e përgjithmonë. Thjeshtë nuk ka alternativë tjetër.

Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Josep Borrell, shtetet anëtare të BE-së dhe unë në vazhdimësi kemi bërë shumë të qartë se nuk shohim arsye që të ketë zvarritje të procesit. BE si lehtësues, është gati për të ecur para për aq sa palët janë të vullnetshme për ta bërë, dhe në presim që të ketë progres vendimtar më 2021.

Janë pesë vende të BE-së që nuk e njohin Kosovën – një prej tyre është Sllovakia – vendi prej nga vini ju. Mendoni që BE duhet të punojë që t’i bindë këto pesë vende që ta njohin Kosovën dhe se si ju personalisht do të mund ta bindnit Serbinë për ta njohur pavarësinë e Kosovës pa e bërë shteti juaj këtë?

Miroslav Lajçak: Një marrëveshje gjithëpërfshirëse nuk mund të arrihet pa u diskutuar çështja e statusit. Të dyja palët e dinë këtë dhe ato kanë shprehur pozicionet e tyre për këtë. Sidoqoftë, neve na duhet që ta ndërtojmë një marrëveshje të përbashkët në elemente të tjera të marrëveshjes në mënyrë që të jemi të gatshëm ta diskutojmë atë. Të dy palët është e nevojshme që ta kenë të qartë se si në tërësi do të duket Marrëveshja Gjithëpërfshirëse për të pasur diskutime përmbajtësore rreth saj. Nuk është ende këtu puna.

Për shtetet anëtare të BE-së; ato që të gjitha kanë interesim të madh për Dialogun dhe Ballkanin Perëndimor. Në fund të fundit, është në dorën e shteteve anëtare në qoftë se do të ndryshojnë qëndrime apo do t’i mbajnë pozicionet e tyre mbi njohjen. Sidoqoftë, kam pranuar sinjale nga to, ku konfirmohet se janë duke përcjell procesin për së afërmi, gjithashtu në kontekst të pozicioneve të tyre respektive kombëtare.

Në përvojën time si politikan, për të ndryshuar pozicion në nivel kombëtar, është e nevojshme një arsye e fortë. Marrëveshja Gjithpërfshirëse mbi normalizim të marrëdhënieve mundet të jetë arsye e tillë.

 


MË SHUME NGA Intervista