Quni: Përkundër pandemisë, FSK ka realizuar planet e saj për vitin 2020

Quni: Përkundër pandemisë, FSK ka realizuar planet e saj për vitin 2020

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Anton Quni në një intervistë të fundvitit për RTK Radio, ka folur për të arriturat dhe sfidat e Forcave të Sigurisë së Kosovës në vitin 2020 dhe për planet dhe synimet gjatë vitit 2021.

Radio Kosova: Z. ministër, vitit 2020 ishte vit kur vendi ynë, sikurse edhe vendet e tjera të botës po ballafaqohen me krizën që ka shkaktuar pandemia COVID-19. Cili është roli i FSK-së në këtë përballje?
Anton Quni: Që nga shfaqja e rasteve me COVID-19, Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, në kuadër të përgjegjësive të kompetencave kushtetuese dhe ligjore, së bashku me mekanizmat e tjerë shtetërorë, është përkushtuar në luftën kundër pandemisë COVID-19. Ne kemi marrë të gjitha masat e nevojshme, duke ngritur nivelin e gatishmërisë operacionale dhe kemi dizajnuar kurse të veprimit për reagim në luftë kundër pandemisë. Shtabi i përgjithshëm i FSK-së ka angazhuar të gjitha aftësitë dhe kapacitetet operacionale të njësive të specializuara në kuadër të forcës për detyrë, për të përmbushur misionin kushtetues dhe detyrimin ligjor në mbështetje ushtarake për autoritetet civile qendrore dhe ato lokale. Task-forca jonë ka mbështetur me kapacitete mjekësore, logjistike, transportuese të sigurisë me ekspertizë profesionale në planifikim dhe ekzekutim të aktiviteteve për institucionet e tjera, në qendrat operative dhe koordinuese shtetërore, rajonale dhe komunale. Krahas kyçjes në operacione, kemi ndërmarrë të gjitha masat për ruajtjen e shëndetit dhe mirëqenies të të gjithë zyrtarëve dhe nëpunësve të Ministrisë, pjesëtarëve të Forcës dhe anëtarëve të familjeve të tyre, si përparësi kryesore dhe kritike për efektivitetin e gatishmërisë dhe reagimit të tyre në luftën kundër COVID-19. Gjithashtu, bashkë me shtetet partnere kemi shpërndarë kontingjentin e donacioneve me materiale anti-COVID-19 për qendrat shëndetësore në pjesën dërmuese të komunave. Duke pasur parasysh se kriza e pandemisë po vazhdon ende, ne garantojmë se do të vazhdojmë të jemi në shërbim të të gjitha institucioneve, vendbanimeve dhe qytetarëve të vendit, pa dallime etnike, fetare, racore në luftën kundër pandemisë COVID-19.

Radio Kosova: Cili ka qenë ndikimi i pandemisë COVID-19, në bashkëpunimin rajonal të mbrojtjes?
Anton Quni: Duke pasur parasysh që konceptualisht FSK është në përputhje me konceptin e NATO-s: mbrojtja kolektive, siguria bashkëpunuese si elemente të këtij koncepti, e përkufizojnë elementin e tretë, menaxhimin rajonal të krizës, që e kemi vlerësuar shumë të rëndësishëm. Për këtë, që në fillim kam kontaktuar homologen time nga Shqipëria, ministren Xhaçka, dhe kam kontaktuar përmes telefonit homologen nga Maqedonia e Veriut dhe homologun nga Mali i Zi. Me ata kemi biseduar për identifikimin, vlerësimin dhe koordinimin për ndërmarrjen e masave të përbashkëta në luftën kundër COVID-19. Gjithashtu, gjatë këtij viti bashkëpunimin rajonal e kemi trajtuar edhe në konferencat e Kartës së Adriatikut A5-SHBA, në nivel të ministrave dhe drejtorëve të politikave të mbrojtjes dhe në iniciativën rajonale bashkëpunimi mbrojtës i Evropës Qendrore. Së bashku me anëtarët e tjerë të këtyre dy iniciativave, kemi ofruar idetë tona për përballje me pandeminë dhe gjetjes së formave të tjera të bashkëpunimit dhe koordinimit për të gjitha kërcënimet dhe rreziqet e përbashkëta.

Radio Kosova: Cilat janë sfidat aktuale të sigurisë që po përballet FSK?
Anton Quni: Jemi dëshmitarë se mjedisi global i sigurisë i cili reflektohet pashmangshëm në mjedisin rajonal dhe atë të brendshëm, në kohën që jetojmë është kompleks dhe me zhvillime shpesh të paparashikuara. Fryma e vjetër e konfrontimit konvencional midis shteteve duket se po bie, ndërsa fryma e bashkëpunimit dhe e konkurrencës midis tyre, është në rritje. Nga ana tjetër, sfidat dhe rreziqet e reja që vijnë nga grupime brenda shteteve, nga aktorë jo-shtetërorë, nga faktorë natyrorë, industrialë dhe njerëzorë dhe ato që vijnë nga sfidat dhe zhvillimit të sigurisë, pritet të dominojnë në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme. Këto sfida dhe rreziqe analizohen, vlerësohen dhe trajtohen vazhdimisht në politika dhe koncepte tona të mbrojtjes, mbi të cilat edhe ndërtojmë e zhvillojmë aftësitë dhe kapacitetet operacionale të FSK-së.

Radio Kosova: Zotëri ministër, kur pritet që skuadrat e para të mbrojtjes të marrin pjesë në misionet paqeruajtëse?
Anton Quni: Ministria e Mbrojtjes dhe FSK janë në proces të përgatitjeve që pjesëtarët e FSK-së t’u bashkohen trupave paqeruajtëse të ushtrisë amerikane në Kuvajt dhe Irak. Është në proces përgatitja dhe negocimi i marrëveshjeve ndërkombëtare me autoritetet e SHBA-së. Sipas kësaj marrëveshjeje, pjesëtarët e FSK-së do të marrin pjesë në operacionet e mbështetjes së paqes në bashkëpunim me gardën kombëtare të Ajoves në vitin 2021. Numri i kontingjentit është planifikuar të jetë i vogël, por rëndësia e realizimit të këtij operacioni për FSK-në dhe shtetin e Kosovës është e madhe në ri-konfirmimin e Kosovës për mbështetje të partnerëve strategjikë. Dislokimi i trupave paqeruajtëse të FSK-së planifikohet të realizohet në kuadër të komandës qendrore të ushtrisë amerikane, e cila është përgjegjëse për operacionet ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, Irak dhe Afganistan.

Radio Kosova: Sa stërvitje ushtarake janë mbajtur gjatë këtij viti dhe a mund të na flisni për rezultatet, duke pasur parasysh edhe situatën me pandeminë?
Anton Quni: Përkundër angazhimeve në operacionet anti-COVID si dhe kufizimeve të shkaktuara nga pandemia, njësitet e FSK-së kanë realizuar planet e tyre stërvitore, varësisht nga misioni i njësive përkatëse. Të gjitha regjimentet e këmbësorisë dhe kompanitë e tyre me mision primar për mbrojtje të territorit dhe vendit dhe regjimentit në mision për mbështetje ushtarake të autoriteteve civile, kanë realizuar stërvitjet fushore dhe shumicën e tyre i ka monitoruar edhe nga afër. Nga pozicioni im si ministër i mbrojtjes dhe si ish-ushtarak jam i impresionuar nga niveli i lartë i përgatitjes dhe profesionalizmit të dëshmuar të pjesëtarëve tanë në këto stërvitje. Shfrytëzoj rastin që t’i përgëzoj për të gjitha të arriturat dhe për atë që kanë demonstruar.

Radio Kosova: Zotëri ministër, si është duke u realizuar Plani Gjithëpërfshirës i Tranzicionit?
Anton Quni: Jemi në përmbyllje të vitit të dytë të tranzicionit. Përkundër sfidave të shkaktuara nga pandemia, me të cilat jemi ballafaquar gjatë gjithë vitit si dhe shkurtimeve buxhetore nga kjo situatë, jam shumë i kënaqur me të arriturat e deritashme. Falë përpjekjeve të të gjithë pjesëtarëve në të gjitha nivelet, kemi arritur që ta ruajmë ritmin dhe dinamikën e realizimit të aktiviteteve të planifikuara në bazë të Planit Gjithëpërfshirës të tranzicionit.

Radio Kosova: A mund të na flisni për projektet kapitale të FSK-së, cilat janë ato?
Anton Quni: Projektet kapitale të FSK-së janë të shumta, duke filluar që nga pajisjet në përputhje me misionet e njësive të reja, pastaj makinerinë, teknologjinë dhe sistemet e armatimit për njësitë e reja, e deri të zgjerimi i kapaciteteve infrastrukturore për krijimin e kushteve për edukim, trajnim, stërvitje, akomodim, punë administrative, sporte, rekreacion të njësive në formim e sipër si dhe mirëmbajtjen e atyre ekzistuese.

Radio Kosova: A ka ndikuar pandemia COVID-19 në kërkesat buxhetore të FSK-së?
Anton Quni: Gjithsesi! Shkurtimet buxhetore kanë vështirësuar ritmin dhe dinamikën e zhvillimit të aftësive dhe kapaciteteve operacionale, njerëzore, materiale, logjistike e infrastrukturore të planifikuara. Por, me angazhimin e të gjithëve dhe mbështetjen e vendeve partnere, kemi arritur objektivat tanë kryesorë, duke besuar që në të ardhmen të kompensojmë projektet e mbetura. Kemi garancinë nga autoritetet qeveritare dhe atyre të financave që të na kursejnë nga shkurtimet e mundshme. Mirëpo, ne jemi të vetëdijshëm dhe e vlerësojmë situatën e krijuar në vendin tonë nga pandemia dhe do të përpiqemi në maksimum për të bërë më të mirën edhe në situatën e kufizimeve të mundshme buxhetore.

Radio Kosova: Objektivi kryesor i Forcës së Sigurisë dhe Kosovës si shtet, është edhe anëtarësimi në NATO, për të ofruar kontributin në shërbim të paqes. Ku është Kosova në këtë drejtim?
Anton Quni: Ne si organizatë ushtarake jemi duke përgatitur dhe duke krijuar të gjitha parakushtet, të cilat i shërbejnë autoriteteve më të larta shtetërore të Kosovës, që në momentin kur të hapet kjo temë të sigurohet se FSK është e gatshme të marrë pjesë në misionet paqeruajtëse apo në misionet e ndryshme të organizuara nën ombrellën e institucioneve ndërkombëtare. Vetë fakti se ne të gjitha kapacitetet dhe tranzicionin jemi duke i kryer sipas standardeve më të larta gjithnjë në bashkëpunim të ngushtë me partnerët strategjikë, të cilët janë anëtarë të NATO-s, ne jemi të gatshëm t’i hapim këto biseda. Por, momenti i diskutimit me nivelet më të larta shtetërore, varet nga vullneti i të dy palëve, atyre të NATO-s dhe atyre të Kosovës.

Radio Kosova: Zotëri ministër, keni thënë se Ministria e Mbrojtjes, një ndër objektivat kryesore strategjike, ka edhe integrimin e pjesëtarëve nga radhët e komuniteteve jo shumicë në FSK. Si po shkon ky proces?
Anton Quni: FSK është e dizajnuar si forcë profesionale dhe multietnike. Prandaj, kemi edhe politikat e veçanta të zhvilluara, që FSK-në ta bëjmë të besueshme dhe atraktive edhe për komunitetet pakicë. Është fakt se ne kemi një avancim të dukshëm në këtë fushë. FSK po e rrit besueshmërinë e saj edhe te komunitetet pakicë. Ne kemi fokusim të veçantë ndaj komunitetit serb, të cilët edhe përkundër presioneve që kanë nga instrumentet shtetërore të Serbisë, ata ende i qëndrojnë besnikë FSK-së.

Radio Kosova: Cilat janë projektet që është synuar t’i realizoni gjatë vitit 2021?
Anton Quni: Dokumenti kryesor që ne i referohemi është Plani Gjithëpërfshirës i Tranzicionit, i cili është i zbërthyer në tri faza dhe po ashtu edhe fazat janë të ndërlidhura me vitin kalendarik. Kështu që, edhe për vitin 2021 janë të planifikuara të gjitha dhe jam më se i bindur që përkundër sfidave, ato do të realizohen me sukses.

Intervistoi: Albana Karaj


MË SHUME NGA Intervista