Zemaj: Në Kosovë s’ka më mjek të papunë, 600 mjekë u larguan vitin e kaluar
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj në emisionin “Debat” të RTK-së ka thënë se në planet e kësaj ministrie është që çdo vit të ketë specializime të mjekëve dhe mos të lejohet që kuadrot tona të largohen nga vendi.
“Investimi në kuadro është investimi më i duhuri në këtë fazë”, ka thënë Zemaj. Në anën tjetër, ushtruesi i detyrës së drejtorit të SHKUSK-së, Valbon Krasniqi ka thënë se gjatë kësaj kohe të pandemisë në Kosovë ka pasur edhe mungesë të infermierëve dhe shërbimeve tjera.
“I kemi angazhuar mbi 1000 infermierë direkt që punojnë natë e ditë dhe mbi 400 mjekë që punojnë me pacientët me COVID”, ka thënë Krasniqi.
Në anën tjetër, Zemaj ka shtuar se në Kosovë më nuk ka mjek të papunë.
“Por duhet të shkollojmë të tjerë për t’i plotësuar kërkesat e të gjithë qytetarëve. Vetëm vitin e kaluar nga Kosova janë larguar 600 mjekë, por ne këtë trend e kemi ndaluar. Për të shkolluar një mjek duhen 100 mijë euro, dhe ne tash ju kemi dhënë mundësi që të shkollohen”, ka thënë Zemaj. /RTKLive/























