Martesat, divorcet dhe bebet “VIP” të vitit 2020
BKT
Magazina

Martesat, divorcet dhe bebet “VIP” të vitit 2020

Princesha britanike Beatrice, vajza më e vogël e princit Andrew dhe Dukeshës së Jorkut, u martua më 17 korrik, me biznesmenin Edoardo Mapelli Mozzi, në Uinsdor, në një ceremoni të vogël, mes miqsh të ngushtë e familjarë, nën masa të rrepta sigurie për shkak të Covid-19.

Në ceremoninë e mbajtur në Kishën Mbretërore të shenjtorëve në Royal Lodge, mori pjesë edhe Mbretëresha Elizabetë. Çifti kishte planifikuar të martohej në muajin maj, por karantina për shkak të koronavirusit, i detyroi të ndryshonin datën e ceremonisë.

Këngëtarja Lily Allen dhe aktori i “Stranger Things”, David Harbour u lidhën në martesë, në një ceremoni në Las Vegas gjatë vitit por pa specifikuar datën. Çifti e njoftoi lajmin përmes Instagramit, duke ndarë fotot, bashkë me sozinë e Elvis Presley, që mesa duket i ka lidhur në martesë. “Në një ceremoni zyrtarizuar nga vetë “Mbreti”, princesha e popullit u martua me të zgjedhurin e saj, në një ceremoni të bukur, larg zhurmës së pandemisë globale”, shkroi Harbour. Çifti u takua për herë të parë në gusht të 2019, duke e bërë lidhjen publike dy muaj më vonë. Allen është nënë e dy vajzave, nga martesa e saj e parë me Sam Cooper.

Revista e famshme e personazheve të famshme, “People” raportoi në muajin shtator se aktorja Emma Stone dhe partneri i saj Dave McCary janë martuar. Çifti ishte lidhur në martesë, në një ceremoni totalisht private e krejt sekrete, teksa u pikasën me unaza martese në gisht. Emma Stone u njoh me McCary, regjisor i “Saturday NightLive”, kur ajo e drejtonte në 2016-ën.

Ylli i filmit “Black Widow”, aktorja Scarlett Johansson u martua me skenaristin e komedianin e "Saturday Night Live", Colin Jost, edhe ata në një ceremoni të ngushtë. Lajmi u publikua nga mediat e më pas u konfirmua nga agjencia e aktores. Scarlett dhe Colin u njohën 3 vjet më parë dhe u fejuan në maj të 2019-ës. Kjo ishte martesa e parë për 38-vjeçarin Jost por e treta për aktoren bukuroshe, e cila më herët ka qenë e martuar me aktorin Ryan Reynolds dhe biznesmenin francez Romain Dauriac, me të cilin ka edhe një vajzë.

2020-ta ka qenë një vit i vështirë dhe vërtet i ngjeshur për çiftin e aktorëve, Jenna Dewan dhe Steve Kazee. Në muajin shkurt, balerina dhe aktorja njoftoi përmes rrjeteve sociale se ajo dhe Kazee ishin fejuar dhe vetëm 3 javë më vonë, më 6 mars, Jenna solli në jetë djalin e saj Callum Michael Rebel Kazee. Çifti publikoi foto në Instagram, për të bërë njoftimin. Jenna u divorcua zyrtarisht nga ish-bashkëshorti, aktori Channing Tatum, prej të cilit ishte ndarë që në 2018-ën.

Gwen Stefani entuziazmoi fansat e “The Voice” kur njoftoi papritur se ajo dhe i dashuri Blake Shelton ishin fejuar më 27 tetor. Stefani, 51 vjeç, ndau me fansat në rrjetet sociale, një foto duke u puthur me Blake, duke treguar edhe unazën e fejesës me mbishkrimin “Po”. Çifti i këngëtarëve janë në një lidhje që prej vitit 2015,kur ishin pjesë e jurisë në një shfaqje televizive dhe prej atëherë, kanë bashkëpunuar në disa duete. Kjo do të jetë martesa e dytë për Gwen, pas divorcit me ish-bashkëshortin e saj për 14 vjet, Gavin Rossdale në 2016 dhe martesa e tretë për Shelton.

Çifti i famshëm, por shumë i rezervuar në jetën private, Enrique Iglesias dhe Anna Kournikova, u bënë prindër për të tretën herë më 30 janar të këtij viti. Këngëtari ndau me fansat një foto në spital, me vajzën e sapolindur, Mary, në krah. Enrique dhe Anna janë prindër edhe të binjakëve Nicholas dhe Lucy, lindur në vitin 2017.

Pronari i SpaceX, Elon Musk, dhe këngëtarja kanadeze Grimes u bënë prindër të një vogëlushi më 4 maj. Emri i të sapolindurit do të shndërrohej menjëherë në një debat të gjatë, pasi Grimes e publikoi atë në Twitter: "X Æ A-12". Sipas ligjit kalifornian, ky emër, me germa dhe numra, ishte ilegal pasi nuk ishte pjesë e alfabetit anglez dhe duhej ndryshuar. Musk dhe Grimes nisën të shoqërohen në maj të vitit 2018 dhe vetë këngëtarja njoftoi më 8 janar se ishte në pritje të fëmijës së parë.

Këngëtarja amerikane Ciara dhe qendër-mbrojtësi i klubit të futbollit amerikan “Seattle” Russell Wilson, mirëpritën më 23 korrik, fëmijën e tyre të dytë, një djalë. Ciara vendosi ta quajë vogëlushin Win. Çifti është martuar në vitin 2016 dhe në 2017, u bënë prindër të vajzës Sienna.

Aktorja e famshme e “Game of Thrones”, Sophie Turner, dhe këngëtari i grupit “Jonas Brother”, Joe Jonas, mirëpritën në korrik vajzën e tyre. Turner dhe Jonas u martuan në 2019-ën dhe kanë ruajtur gjithnjë një profil të ulët publik. Çifti vendosi ta quajë vajzën Willa, e cila erdhi në jetë më 22 korrik në një spital të Los Anxhelos.

Në korrik, aktori Armie Hammer njoftoi përmes Instagramit se ai dhe bashkëshortja e tij kishin vendosur të divorcoheshin, pas 13 vitesh si miq të ngushtë, shpirtra binjakë e partner. Ai kërkoi privatësi në këtë moment të jetës por këmbënguli se me Elizabeth kishin vendosur të ishin miq, për hir të dy fëmijëve të tyre.

Më 13 nëntor, mediat raportuan se aktorja dhe regjisorja Olivia Wilde dhe aktori e drejtuesi veteran i “Saturday Night Live”, Jason Sudeikis, i dhanë fund fejesës së tyre të gjatë 7-vjeçare. Ata janë prindër të 6-vjeçarit Otis dhe vajzës Daisy, 4 vjeçe. Çifti u fejua në janar të 2013-ës pasi u njohën në sheshxhirimin e serialit “SNL” në 2011.

Në muajin korrik, aktorja dhe drejtuesja e emisioneve të ndryshme, Jada Pinkett Smith, zbuloi se kishte pasur një lidhje sekrete me këngëtarin August Alsina, periudhë gjatë së cilës ajo dhe bashkëshorti, aktori Will Smith, ishin ndarë përkohësisht në 2016-ën. Pinkett Smith pranoi se në atë kohë, kishte pranuar edhe propozimin e këngëtarit Alsina dhe ishte fejuar me të. “Gjithçka mori fund” pranoi më pas Pinkett, pasi pranoi se ajo dhe Will kishin vendosur të riktheheshin bashkë, sepse e bënin njëri-tjetrin shumë të lumtur.

Në korrik, Kanye West publikoi dhe më pas i fshiu, disa postime, në të cilat akuzonte të shoqen Kim Kardashian, se kishte tentuar disa herë ta shtronte reperin në spital dhe se prej 2 vitesh kishte tentuar të ndahej prej tij. Postimet erdhën gjatë kohës kur Kanye kishte nisur fushatën e tij presidenciale për në zgjedhjet amerikane, fill pas një fjalimi të fortë në Karolinën e Jugut. Në përgjigje ndaj akuzave, e shoqja Kim informoi fansat përmes Instagramit, se marrëdhënia mes çiftit ishte shumë e komplikuar, teksa reperi kishte shfaqur prej kohësh çrregullime bipolare. Që prej korrikut, çifti nuk është shfaqur më së bashku në publik.


MË SHUME NGA Magazina