22 vjet nga fillimi i punës së KosovaPress-it
Sot mbushën 22 vjet nga fillimi i punës së Agjencisë së Lajmeve KosovaPress.
Më 4 janar të vitit 1999, si një nevojë e kohës dhe për të informuar për zhvillimet në Kosovë, u themelua Agjencia e Lajmeve KosovaPress, duke dhënë kontribut të madh në informimin e opinionit vendor dhe ndërkombëtar për luftën çlirimtare, krimet serbe dhe bombardimet e NATO-s.
KosovaPress-i gjatë luftës, lajmet i publikoi në gjuhën shqipe, angleze, gjermane dhe frënge.
Me shuarjen e Qeverisë së Përkohshme, në janar të vitit 2000 dhe krijimin e Këshillit të Përkohshëm Administrativ, u shuan të gjitha institucionet e krijuara nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, përkatësisht drejtoria politike e UÇK-së dhe Qeveria e Përkohshme.
Nga shtatori i vitit 2000, KosovaPress ka nisur rrugëtimin e saj si Agjenci e Pavarur e Lajmeve, duke u sfiduar gjatë këtyre viteve, fillimisht më mbijetesën, e pastaj edhe me zhvillimin.
Nga viti 2002, KosovaPress ka kaluar në sistemin me parapagim, fillimisht në gjuhën shqipe, e nga viti 2005 ka rifilluar në gjuhën angleze, ndërsa, në 2007 edhe në gjuhën serbe dhe turke.
Në dhjetëvjetorin e themelimit (2009), KosovaPress solli në tregun medial të vendit, produktet më të reja: video-lajmin dhe audio-lajmin, ndërsa në 15 vjetorin e themelimit, hapi zyrën në Tiranë.
Në 16 vjetorin, si produkt të ri solli sektorin e fotove. Në vitin e 17-të, startoi me produktin e transmetimeve të ngjarjeve drejtpërdrejt. Transmetimet e drejtpërdrejta u realizuan me teknologjinë më të re të transmetimeve, përmes kamerave 4K.
Ndërkohë që viti i ri do të sjell edhe një sërë projektesh të reja, që lidhen me punën profesionale dhe atë të teknologjisë. Ofrimi i këtyre produkteve, ka bërë që KosovaPress-in, të rrisë edhe më shumë bashkëpunimin me mediat e vendit, të rajonit dhe të botës.
Të gjitha këto informacione, KosovaPress ua sjellë klientëve dhe lexuesve përmes lajmit të shkruar, video-lajmit, audio-lajmit dhe fotove, 7 ditë në javë, 365 ditë në vit, në gjuhën shqipe, angleze dhe serbe.
Agjencia e Pavarur e Lajmeve KosovaPress, gjatë këtyre viteve ka dëshmuar vazhdimin e punës së gazetarisë së pavarur, kurse objektivi i KosovaPress-it, do të vazhdojë të jetë i tillë, duke qenë një burim i lajmit të besuar dhe të shpejtë, si dhe një kontribuues i rritjes së lirisë së të shprehurit.
KosovaPress është anëtare dhe një nga themelueset e Agjencive të Pavarura të Evropës Juglindore (APNA).
Në vitin 2017-të, KosovaPress është pranuar anëtare me të drejta të plota nga Asambleja e Përgjithshme e Agjencive të Lajmeve të Vendeve të Ballkanit dhe të Evropës Juglindore (ABNA-SE).
Produktet që KosovaPress ua ofron klientëve janë lajmet si tekst, videolajmet, audiolajmet, fotolajmet dhe transmetimet e drejtpërdrejta.























