Milani pranë Simakan, punohet edhe për disa rinovime
Merkatoja e janarit pritet të jetë mjaft “e nxehtë’ në shtëpinë e Milanit, sidomos në aspektin e rinovimeve, pasi dy futbollistët kryesorë të skuadrës, Giggio Donnarumma dhe Hakan Calhanoglu janë praktikisht të lirë të firmosin me cilin klub të duan, duke qenë se u skadon kontrata në qershor.
Negociatat me menaxherët përkatës të futbollistëve kanë nisur prej disa javësh dhe së fundi në Milanello ka optimizëm se shumë shpejt pritet të vijë edhe firma mbi kontratat e reja të tyre, pasi palët janë afruar shumë në pretendimet përkatëse, transmeton Super Sport.
Megjithatë nga kjo situatë e komplikuar, kuqezinjtë duket se kanë vënë mend dhe kanë nisur menjëherë kontaktet për rinovim edhe me tre futbollistë të tjerë si kapiteni Alessandro Romagnoli, mesfushori Franck Kessie dhe mbrojtësi anësor Davide Calabria.
Kontrata e këtyre të treve skadon verën e 2022-shit dhe dyshja Maldini-Massara kanë nisur që tani negociatat e rinovimit, për të mos rrezikuar të arrijnë në të njëjtat kushte si ato aktualet me Calhanoglu e Donnarumma.
Sa u përket blerjeve të reja, drejtuesit e Milanit janë shumë pranë arritjes së marrëveshjes për transferimin e mbrojtësit të talentuar Mohamed Simakan. Futbollisti 20-vjeçar kërkohet prej kohësh nga kuqezinjtë, që tani duket se kanë arritur marrëveshjen me Strasburgun për një shifër prej 15 milionë eurosh.
Më e vështirë duket rruga që të çon te talenti i Touluse, Kone, pasi klubi francez këmbëngul për një shifër prej 15 milionë eurosh, që konsiderohet e lartë nga dyshja Maldini-Massara, të cilët nuk janë gati të shkojnë përtej 10 milionë eurove.























