Partitë dhe (keq)përdorimi i rrjeteve sociale për fushatë zgjedhore
Fushata elektorale për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit, zyrtarisht do të filloj më 3 shkurt. Megjithëkëtë, partitë politike tashmë kanë filluar fushatën zgjedhore për çka po i përdorin mjaft shumë edhe rrjetet sociale. Ekspertë të komunikimit vlerësojnë se rrjetet sociale janë mundësi e mirë për partitë politike për të bërë fushatë, por, njëkohësisht mund të ketë edhe keqpërdorim të tyre për dezinformim e manipulim të masës.
Vetëm 10 ditë do të zgjasë fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit. Kështu vendosi dje Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që caktoi 3 shkurtin datë të fillimit të fushatës zgjedhore. Megjithëkëtë, ndonëse ka kohë që fushata të fillojë zyrtarisht, partitë politike kanë filluar komunikimin me qytetarë, përfshirë edhe atë nëpërmjet rrjeteve sociale, ku po pasqyrojnë aktivitetet e tyre. Profesori universitar i gazetarisë, Alban Zeneli, tregon për Radio Kosovën disa nga arsyet e përdorimit të rrjeteve sociale nga partitë.
“Rrjetet sociale janë një platformë jashtëzakonisht e rëndësishme për partitë për të zhvilluar fushatën e tyre qoftë elektorale apo paraelektorale, përmes të cilave arrijnë shumë lehtë tek audienca, i targetojnë më lehtë grupet e tyre të interesit. Kjo ka bërë që këto platforma të përdoren jashtëzakonisht shumë nga partitë politike. Edhe në rastin e Kosovës, për kohën që po flasim, po shohim një përdorim shumë të madh të tyre, sidomos të Facebookut”, tha ai.
Përkundër mundësive të mira që ofrojnë rrjetet sociale për komunikimin me publikun, grupet jo formale të krijuara nga partitë politike a simpatizantët e tyre, edhe mund të keqpërdoren, vlerëson doktori i gazetarisë dhe komunikimit, Alban Zeneli.
“Në këto grupet jo formale për të cilat po flasim, përdorimi i rrjeteve sociale karakterizohet edhe me përhapje të gjuhës së urrejtjes dhe mosdurimit në baza politike. E, kjo paraqet një problem, sepse polarizon shoqërinë. Ky polarizim po shkaktohet edhe përmes problemeve të tjera që i përcjellin rrjetet sociale siç është mungesa e verifikimit të fakteve ose edhe përhapja e llojeve të ndryshme të lajmeve të rreme apo dezinformimit”, tha Zeneli.
Fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare do të përmbyllet më 12 shkurt, ndërkohë, në rrjete sociale vërehet aktivizim e sponsorizim i faqeve të ndryshme ku prezantohen aktivitete e lajme propaganduese të partive politike.























