Cruise merr masa të reja për të siguruar ekipin e “Mission Impossible 7”
Tom Cruise ka siguruar dy robotë për të testuar ekipin e “Mission Impossible 7” si dhe për t’u siguruar që ata po ndjekin rregullat e COVID-19.
Tom Cruise thuhet se ka siguruar dy robotë për të testuar ekipin e filmit dhe për t’u siguruar që ekipi po ndjek rregullat, shkruan Daily Mail.
Mendohet që robotët e sofistikuar do të patrullojnë gjatë xhirimeve dhe gjithashtu mund të testuar stafin, raporton The Sun.
Kjo vjen pasi ylli i Hollywood-it, 58-vjeç u tha se u nervozua dy herë në sheshxhirim kur pa njerëzit që po thyejnë rregullat e distancës sociale gjatë xhirimeve në Mbretërinë e Bashkuar.
Një burim ka pretenduar që Tom tani ka paguar dy robotët në një përpjekje tjetër për t’u siguruar që xhirimet të vazhdojnë në mes të pandemisë, duke shtuar se pasi ai të xhirojë në Mbretërinë e Bashkuar, xhirimet do të vazhdojnë në Dubai.
Ata thanë “Tom është aq serioz për t’u siguruar që xhirimet të mos ndalohen saqë ai mori edhe këta robotë, ngase nuk mund të jetë kudo dhe të sigurohet që njerëzit t’i respektojnë masat”.

“Robotët janë me të vërtetë të sofistikuar dhe më tepër frikësues. Është si Terminatori, por jo aq i dhunshëm”, shton ai.
Edhe pse i quajtën këto masa pak ‘frikësuese’, ata shtuan se Tom e di që ai është ‘me fat’ që po filmon dhe stafi e ‘mbështet’ për filmin.

Kjo vjen mes raportimeve se Tom ka ndërtuar një studio të sigurt për mbrojtje prej COVID-19, për të përfunduar filmin e tij të ardhshëm.
Sipas The Sun, aktori shpenzon miliona për të adaptuar një ish-bazë ushtarake për xhirime, në mënyrë që të sigurohet se pjesa tjetër e produksionit të mos ketë pengesa.
























