Spektri politik i përçarë ua ka shuar entuziazmin kosovarëve

Spektri politik i përçarë ua ka shuar entuziazmin kosovarëve

Ambasadori Walker ekskluzivisht për Demokracia.com: Spektri politik i përçarë ua ka shuar entuziazmin kosovarëve

E alarmoi gjithë botën për masakrën e Reçakut dhe në 22 vjetorin e saj konfirmon se po shkruan edhe libër për të. Shprehet i zhgënjyer për klasën e përçarë politike, e cila vlerëson se është zhytur në një mënyrë politike të të vepruarit për të cilën Kosova nuk është e gatshme. E kritikon ashpër edhe bashkësinë ndërkombëtare, e cila, sipas tij, erdhi nga gjithë bota në Kosovë dhe pa e njohur as të kaluarën dhe as kulturën u mundua të imponojë standarde evropiane apo ndërkombëtare që nuk i kanë as në vendet e tyre. Në intervistën e dhënë ekskluzivisht për Demokracia.com në përvjetorin e masakrës së Reçakut, Ambasadori William Walker thotë se Kosova nuk e gëzon vëmendjen që e ka pasur në botë. Ai pohon se me presidentin Biden në Shtëpinë e Bardhë gjërat do të ndryshojnë për të mirë, por jo shumë dhe jo menjëherë.

Demokracia.com: Si e mbani mend janarin e vitit 1999? A keni pritur diçka si Raçaku?

Ambasadori William Walker: Jam duke e shkruar një libër dhe mu sot jam duke e shkruar kapitullin për Raçakun. Raçakun e kam në mendje gjithmonë dhe më vjen keq që nuk do të jem atje këtë vit, për shkak të kufizimeve në udhëtime.

A kam pritur diçka si Raçaku? Jo. Të gjithë e kanë ditur se potenciali për të ndodhur diçka si Raçaku ka ekzistuar, sepse kjo kishte ndodhur më herët. Por, edhe kur ka ndodhur, nuk kam pritur se do të sillte atë çfarë solli.

Si duket ishte moment që bëri bashkë shumë gjëra. Mendoj se deklarata ime ka qenë shkëndija që ndezi tërë këtë, ndonëse nuk dëshiroj të më lavdërojnë për këtë, sepse kam bërë atë që kam besuar që duhet të bëj – t’i tregoj botës se çfarë po ndodhte.

Pastaj, presidenti Milosheviq bëri edhe një hap tjetër të çmendur dhe më shpalli persona-non-grata. Kjo i bëri shumë gazetarë të pyesin se kush është ky diplomat amerikan që Milosheviqi e shpall persona-non-grata. Dhe kur erdhën tek unë, unë u thashë thjesht që të shkojnë në Raçak dhe do ta gjenin përgjigjen. Përnjëherë mediat e botës flisnin për Raçakun dhe sa më shumë këta flisnin, Milosheviqi dhe njerëzit si Vuçiqi mundoheshin ta ndryshonin storien.

Kishte edhe arsye tjera, si për shembull Clinton përballej me probleme tjera në shtëpi dhe e pëlqente mundësinë që të fliste për diçka tjetër.

Pra, njerëz të ndryshëm në kryeqytete të ndryshme kishin arsye të mirreshin me këtë çështje dhe mediat në tërë botën filluan të flisnin për këtë.

Pra, për t’iu kthyer pyetjes, jo, nuk e kam paramenduar se gjërat do të zhvilloheshin kështu. Por, gati asnjëherë nuk mund t’i parashohësh gjërat në këto rrethana.

Demokracia.com: Është e rëndësishme të kujtohet Raçaku, veçanërisht tani kur duket se ka përpjekje për ta rishkruar historinë…

Ambasadori Walker: Pajtohem plotësisht. Kam kritika të mëdha për bashkësinë ndërkombëtare dhe sjelljen me standarde të dyfishta. Flasin për disa incidente – nuk e di për cilat e kanë fjalën – si krime lufte të kryera nga disa prej liderëve të UÇK-së si kundërpeshë për krimet e kryera nga Beogradi, nga tërë një zinxhir komandues i përbërë nga njerëz që asnjëherë nuk janë nxjerr para drejtësisë, asnjëherë nuk janë akuzuar dhe asnjëherë nuk është shikuar se çfarë kanë bërë dhe pse e kanë bërë. Shumë krime lufte të tmerrshme janë kryer nga pala serbe, por tërë kjo është harruar. Këto janë standarde të dyfishta dhe këtë e kritikoj sa herë që mundem.

Demokracia.com: Por, si e shihni Kosovën sot?

Ambasadori Walker: Në Kosovë jam kthyer në nëntor të vitit 1999 së bashku me gruan time. Kudo që kemi shkuar kemi parë njerëzit që rindërtonin shtëpitë e tyre, por në të njëjtën kohë po ndërtonin një Kosovë të re. Në 20 vjetët e fundit kemi parë shumë dëshmi të kësaj. S’ka dyshim që sot Kosova është shumë më ndryshe nga çfarë ka qenë. Por, jam i zhgënjyer që ai shpirt, ai optimizëm, veçanërisht ai në ditën e shpalljes së pavarësisë, me bindjen që tani ne, njerëzit nga Kosova, do t’i tregojmë botës se çfarë mund të bëjmë dhe pse po e bëjmë, pse po e shpallim pavarësinë nga Serbia, pra entuziazmi që kam parë, nuk është më. Sigurisht që ai nivel nuk do të mund të mbahej dhe entuziazmi do të shuhej ngadalë. Por, vendin e tij e ka zënë shpesh pesimizmi dhe dekurajimi. Kjo është e dhimbshme. Do të doja që fryma që dominonte në fillim të zgjaste më shumë.

Çfarë ndodhi, pra? Sipas meje dhe këtë e them shpesh, përgjegjësia bie mbi dy grupe të dalluara.

E para, klasa politike ka marrë kah tjetër shumë herët. E kuptoj se merren me politikë dhe bëjnë gara për zyre, poste e vota. Por, u zhytën në një mënyrë politike të të vepruarit për të cilën Kosova nuk ishte gati. Pra, u përçanë. Dhe kjo vlen për të gjitha partitë. Në secilën parti kishte një lider apo dy.

Por, e kritikoj edhe bashkësinë ndërkombëtare, që erdhën nga e tërë bota dhe me arrogancën e dikujt që nuk e di as të kaluarën dhe as kulturën u munduan të imponojnë disa standarde evropiane apo ndërkombëtare çfarë nuk i kishin as në vendet e tyre. Prandaj e kritikoj bashkësinë ndërkombëtare sepse i kanë dëmtuar përpjekjet e kosovarëve që të bëjnë Kosovën vend me të cilin do të krenoheshin të gjithë.

Demokracia.com: Kosova sot përballet me shumë sfida, si dialogu, pandemia dhe rimëkëmbja ekonomike nga pandemia. I kemi zgjedhjet dhe pastaj formimin e një qeverie të re. Pastaj është angazhimi i vazhdueshëm për qeverisje të mirë, forcim të shtetit, luftim të korrupsionit…

Ambasadori Walker: E para që dua të përmendi këtu është se Presidenti i zgjedhur i SHBA-së në këtë kohë do të jetë i konsumuar nga nevoja që ta ndërtojë administratën e tij të re dhe të rindërtojë unitetin në vend. Ndërsa, ju mu në këtë kohë jeni duke zhvilluar zgjedhje. Shtoja kësaj edhe pandeminë.

Duket se do të jetë proces elektoral sikur secili që Kosova ka pasur në 20 vjetët e fundit, me partitë që luftojnë për lista se kush do të jetë në krye e kush më poshtë, kush do të bëhet me kë, kush do të formojë koalicione… kjo nuk është ajo për çfarë ka nevojë Kosova.

Kosova sot ka nevojë për unitet sepse e përçarë nuk do t’i tejkalojë sfidat me të cilat po përballet.

Dy palë zgjedhje më parë kam qenë në Kosovë dhe kam takuar të gjithë liderët e partive dhe u kam thënë se duhet të formojnë një qeveri që përfaqëson një front të përbashkët. Një qeveri që bën bashkë njerëz të të gjitha partive dhe që punon që ta vendosë Kosovën në rrugë të drejtë. Nuk mendoj se edhe këtë herë procesi elektoral do të ndihmojë. Kam frikë se në fakt do të jetë i dëmshëm. Në fund do të shohim të njëjtat parti dhe të njëjtit liderë që luftojnë se kush do të marrë çfarë do të marrë, kush do të marrë sa ulëse apo çfarëdo tjetër. Pra, do të jetë e njëjta që kemi pasur që nga shpallja e pavarësisë. Rezultati do të jetë i njëjtë dhe nuk do të ketë ndryshim të madh. Kjo është dekurajuese.

Në të njëjtën kohë, Kosova e ka humbur imazhin pozitiv që ka pasur në botë. Njerëzit kanë humbur interesimin për Kosovën për shkak të zhvillimeve tjera në botë.

Por, ma merr mendja që Kosova ende ka nevojë për ndihmë. Por, ndihmë që Kosova t’i bëjë gjërat si i sheh vet dhe jo të formës kur këshilltarë të huaj të thonë se çfarë duhet të bësh.

Por, një nga arsyet që më mbetet merak që nuk do jem në Raçak këtë vit është se sa herë që vij, më kthehet optimizmi. Takoj miq e njerëz që kanë ide të reja dhe kjo është e mrekullueshme. Kjo është ajo se çfarë dëshiroj të shoh.

Por, pastaj kthehem në shtëpi dhe këtu dëgjoj vetëm lajme negative për Kosovën. Dhe kjo është e tëra që vjen nga Kosova këto ditë, lajme negative, për shembull sesi hedhin gazlotsjellës në Kuvendin e Kosovës. Ky ka qenë lajm në të gjitha ballinat këtu. Kur njerëzve këtu ju përmend Kosovën, ata të thonë: “Ah, po, vendi ku hedhin gazlotsjellës në Parlament!”.

Kam provuar t’i them Ministrisë së Jashtme se ambasadat duhet të punojnë më shumë që të prezantojnë imazh pozitiv të Kosovës. E mandej flas me diplomatë të Kosovës dhe më thonë se nuk kanë fonde, se nuk kanë resurse.

Brengosem se do të jetë e vështirë ta kthejmë vëmendjen e botës, edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kah Kosova, që të shohin gjëra pozitive dhe se çfarë mund të bëhet në Kosovë. Edhe në SHBA kemi pasur skena të shëmtuara në Kongres javën e kaluar, megjithatë SHBA-ja ka lajme pozitive për botën, gjëra të mira ndodhin këtu dhe bota shikon me vëmendje. Por, bota nuk shikon në drejtim të Kosovës, përveç nëse ka lajme senzacionale sikur gazi në Kuvend.

Demokracia.com: Ju flisni shumë edhe për bashkësinë ndërkombëtare. Kosova është projekt i përbashkët i kosovarëve dhe i botës apo perëndimit. A shihet ende Kosova si storie pozitive?

Ambasadori Walker: Definitivisht se është storie pozitive. Prandaj do të doja të shoh që përfaqësuesit e Kosovës të flasin më shumë për Kosovën. Të tregojnë se çfarë paraqet Kosova, pse është shtet, pse ky grup i vogël i njerëzve që përbënin UÇK-në u ngritën të luftonin, çfarë ka ndodhur në të kaluarën. Kam frikë se kjo nuk është bërë sa duhet.

Në anën tjetër, makineria propagandistike e Serbisë është shumë e fuqishme, shumë efikase. Serbia është shtet më i madh. Ka më shumë histori. Ka qenë viktimë në Luftën e Dytë Botërore që i sjell simpati te shumë shtete. Dhe e shfrytëzon këtë për të luftuar Kosovën.

Pra, megjithatë, çfarë ka ndodhur në Kosovë në kohët moderne, në 20 vjetët e fundit, ka mundur të jetë storie shumë më e suksesshme.

Besoj që në fillim bashkësia ndërkombëtare ka dashur ta bëjë këtë, duke vënë standardet më të larta, që ta bëjë Kosovën një Zvicër të vogël të përsosur. Por, kjo ka qenë e pamundur. Për më tepër, kanë ardhur njerëz që kanë punuar vetëm 6 muaj apo një vit, që nuk e kanë marrë parasysh historinë negative me Serbinë dhe nuk e kanë kuptuar se ku punonin, duke kërkuar standarde që nuk kishin kuptim në rrethanat në të cilat gjendej Kosova. Jam i sigurt që shumica prej tyre kishin qëllim të mirë, edhe pse ka pasur prej atyre që kanë ardhur vetëm për para apo për CV-në e tyre dhe ma merr mendja se ka pasur edhe të korruptuar ndër ta.

Demokracia.com: Kosova dëshiron të jetë në NATO dhe në BE, por njësoj të rëndësishme e ka edhe marrëdhënien me SHBA-në. Në Uashington do të ketë një administratë të re. Duke filluar nga presidenti i zgjedhur Biden dhe deri te plot zyrtarë tjerë, këta e njohin Kosovën. Çfarë duhet të pres tani Kosova?

Ambasadori Walker: Nuk do të prisja ndryshime dramatike në afat të shkurtër. E vërtetë që Biden ka qenë në Kosovë. Por, unë vij në Kosovë që 20 vjet dhe as unë nuk mund të them që e njoh Kosovën. Ende nuk e di sesi të kryej punë në Kosovë. Do të marrë pak kohë.

Do të mundohem që të identifikojë këtu në Uashington njerëzit që janë në pozitë të bëjnë diçka. Ka ende “ElliotEngela” në Uashington. Do të marrë pak kohë që zyrtarët ta kuptojnë më mirë Kosovën.

Sigurisht që gjërat do të bëhen më mirë, por nuk do të prisja që gjërat të kthehen aty ku ishin dy dekada më parë, kur SHBA-ja ishte shumë e përkushtuar ta ndihmojë Kosovën. State Departamenti ka ndryshuar tërësisht. Unë nuk e njoh asnjë aty. Ka njerëz në Kongres që, nëse punohet me ta, mund të ndihmojnë, përveç nëse nuk del ndonjë çështje tjetër, një pandemi e re, një luftë e re. Vetëm në kushte të paqes njerëzit në Uashington mund të merren me Kosovën dhe të shohin sesi SHBA-ja mund të ndihmojë apo BE-ja mund të ndihmojnë.

Në fakt, BE-ja nuk duhet t’i ndjek liderët e vendit, por duhet ta kuptojë se për çfarë në vërtetë ka nevojë Kosova. Sikur BE-ja të kërkonte më shumë njohje për Kosovën nëpër botë, do të siguroheshin këto. Ka shumë gjëra që ajo mund të bëjë që e ndihmojnë Kosovën.

Ka shumë gjëra të vogla që bashkësia ndërkombëtare mund t’i bëjë menjëherë, që tregojnë se vërtetë besojnë se Kosova është shtet i lirë dhe i pavarur dhe që ka të drejtë të jetë anëtare e Kombeve të Bashkuara apo cilësdo organizatë ndërkombëtare.

Me Biden në zyre gjërat definitivisht do të ndryshojnë për të mirë, por mos prisni që kjo të ndodh menjëherë.

Pra, jo shumë dhe jo menjëherë.

Rol aktiv duhet të luajë edhe diaspora, prej këtu e deri në Australi, të shfaq imazh pozitiv të Kosovës. Por, në muajt e ardhshëm, njësoj si në Kosovë, diaspora do të jetë në kaos, duke u shtyrë – jo unë jam me LDK-në, unë jam me PDK-në, jo unë jam me Vetëvendosjen… kjo nuk është çfarë duhet të bëjë diaspora.

Këto janë shpresat dhe shqetësimet e mia për Kosovën. Duhet ndryshime në klasën politike, por edhe në bashkësinë ndërkombëtare.

Nuk kam qenë në Kosovë që një vit. Por, sa herë që kam ardhur, që njëzet vjet, nuk kam pasur nevojë të mësoj emra të rinj, sepse në parti politike kanë qenë njerëz të njëjtë. Para disa viteve në skenë u shtua edhe Vetëvendosje dhe tani në listën e njerëzve që takoj është edhe Albini. Por, në përgjithësi janë emra të njëjtë.

Po dëgjoj se në të gjitha partitë ka emra të rinj dhe kjo është e mirëseardhur. Ta lëmë prapa atë sesi janë formuar dhe rritur partitë dhe t’u lëmë hapësirë emrave të rinj, që janë të zotë, që kanë qëndrime ndryshe dhe që kanë njohuri sesi funksionon bota. /Demokracia.com/


MË SHUME NGA Intervista