Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar me letër drejtuar partive politike

Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar me letër drejtuar partive politike

Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar, si organizatë ombrellë e Organizatave të Personave me Aftësi të Kufizuara, ka përgatitur një Letër Zotuese e cila do të nënshkruhet individualisht nga të gjitha partitë politike në Kosovë.

Në këtë letër janë të paraqitura të gjitha kërkesat e personave me aftësi të kufizuara kundrejt institucioneve në ardhje, me qëllim të avancimit të të drejtave të kësaj kategorie të shoqërisë sonë.

Kjo është Deklarata e Zotimit:

Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar

Ne si subjekt politik, në rast se do të jemi pjesë e institucioneve të formuara sipas rezultatit të zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, zotohemi me moralin më të lartë se do të marrim përgjegjësi për përmbushjen e kërkesave në vijim:

• Zbatimin e legjislacionit në fuqi dhe aprovimin e legjislacionit plotësues në fushën e aftësisë së kufizuar, me theks të veçantë aprovimin e “Projektligjit për Vlerësimin, Njohjen e Statusit, Përfitimet dhe Shërbimet për Personat me Aftësi të Kufizuar”;

• Do të angazhohemi në propozimin e Amandamentit Kushtetues, për përfshirjen e Konventës për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, në nenin 22 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;

• Që të mos shfuqizohet rezoluta e miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, më datë 3 dhjetor 2020, me të cilën viti 2022, shpallet vit i personave me aftësi të kufizuara në Republikën e Kosovës;

• Do të angazhohemi në aprovimin e Planit të Veprimit për vitin 2021-2023, bazuar në Strategjinë Nacionale për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar 2013-2023. Këto zotime derivojnë si rezultat i Letrës Zotuese, të paraqitur nga Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar së bashku me organizatat anëtare: Shoqata Kosovare e të Shurdhërve Shoqata e të Verbërve të Kosovës Shoqata Down Syndrome Kosova Shoqata Autizmi Handikep Kosova Klubi “Dëshira” OPFAKOS-Organizata e Prindërve të Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara.