Haradinaj-Stublla: Lidhëm besë me llapjanët për Ramushin president

Haradinaj-Stublla: Lidhëm besë me llapjanët për Ramushin president

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, bashkë me Kryetarin e AAK-së dhe kandidatët për deputetë mori sot pjesë në disa aktivitete zgjedhore në komunën e Podujevës.

Ministrja Haradinaj-Stublla tha se përkrahja për Aleancën po rritet dhe ajo do të jetë forcë përcaktuese për institucionet e reja të Kosovës dhe zgjedhjen e Ramush Haradinajt President. 
Programi i Aleancës në këto zgjedhje, shtoi ajo, po pranohet mirë nga qytetarët në Llap e në çdo pjesë të Kosovës.

“Plani ynë parasheh që së pari ta sigurojmë secilën pjesë të territorit të Kosovës, nga Merdarja këtu e deri në Jarinjë në Veri dhe Kullë në kufi me Malin e Zi. Këtë do ta bëjmë duke e forcuar Ushtrinë tonë, ku janë të rreshtuar një pjesë e mirë e qytetarëve nga Podujeva, e duke e hapur atë edhe për diasporën tonë, duke krijuar kuota të caktuara që ata të përfshihen në ushtri”, është shprehur ajo.

“Si aleancë në këto zgjedhje do të jemi përcaktues në krijimin e institucioneve të reja të Kosovës. Dhe prioriteti ynë kryesor për vitet e ardhshme do të jetë anëtarësimi në NATO, për ta sjellë uniformën e NATO-së këtu në Merdare e kudo tjetër në Kosovë, për t’i dhënë përgjithmonë siguri Kosovës dhe qytetarëve të saj”, u shpreh Haradinaj Stublla duke shtuar: “Sot lidhëm besë me llapjanët për Aleancën e Ramushin President”.