Tifozët e ndihmojnë Fenerbahçen për ta paguar Ozilin

Tifozët e ndihmojnë Fenerbahçen për ta paguar Ozilin

Thuhet se ka pranuar të ulë rrogën deri në 80% për t’u transferuar te Fenerbahçja e tij e dashur, duke kaluar nga 350 mijë euro në javë në 67 mijë e 300.

Është normale që lojtari më i paguar në historinë e Arsenalit të mos i afrohet një rroge të tillë te gjigantët e Stambollit, të cilët kanë 460 milionë paund borxhe, transmeton Panorama.

Dhe kjo është arsyeja se përse shumë kohë më parë, presidenti Ali Koc i ka kërkuar tifozëve që t’i japin një dorë për të paguar 3.5 milionë sterlinat në vit që ish-fantazisti i “Topçinjve” do të fitojë në Turqi deri në vitin 2024. Ai ka nisur fushatën e quajtur “Mesutol”, ku falë dërgimit të një mesazhi në numrin 1907 (viti i themelimit të Fenerbahçes), do të depozitohen 2.25 euro në arkat e klubit.

“Kemi një kërkesë për tifozët tanë”, tha presidenti 53-vjeçar për “Daily Mail”. “Ju lutem, vazhdoni të na mbështesni sepse varemi nga mbështetja juaj financiare. Kur të firmosë Ozil, iu kërkoj që të thyeni një rekord mesazhesh, duke dërguar 300, 500 mijë ose ndoshta edhe 1 milion. Mbështetja juaj do të na shërbejë shumë”. Shpresa e presidentit është që transferimi i Ozilit të rrisë arkëtimet edhe falë shitjes së fanellës së 32-vjeçarit, i cili do të mbajë numrin 67.