Qerimi: Veriu i Kosovës është më shumë se fushatë zgjedhore
BKT
Lajme

Qerimi: Veriu i Kosovës është më shumë se fushatë zgjedhore

Vendimin e GjK, lidhur me të drejtën e kandidimit për deputetë në zgjedhjet e përgjithshme në vend, e kanë zbatuar PZAP dhe GjS, si dhe KQZ, ku thuhet se të gjithë ata kandidatë që janë të dënuar nga gjykatat e Kosovës me vendim të prerë brenda tre vitesh nuk kanë të drejtë të kandidohen.

Kështu sqaroi analisti Gëzim Qerimi, profesor universitar, në “Studio e hapur”, në RTK.

Më tej ai përmendi pritshmëritë e qytetarëve të vendit nga këto zgjedhje të radhës.

“Nga këto zgjedhje presim stabilitet politik për qytetarët e këtij vendi, që i ka munguar që nga viti 2014, ku nuk ka pasur pajtueshmëri pë çështjet nacionale, me interes për vendin, që si kryeçështje është dialogu Kosovë-Serbi”, theksoi ai.

Tutje analisti Qerimi listoi një varg prioritetesh tjera që partitë politike duhet të kenë parasysh, ndër to janë: zhvillimi ekonomik, menaxhimi i pandemisë, që pritet të jetë edhe më i përhapur.

Ndërsa lidhur me sloganet e partive politike në Kosovë, analisti Qerimi theksoi se tanimë partitë politike janë përcaktuar me sloganet e tyre, që, megjithatë, do të duhej ta kishin vëmendjen te qytetarët, që të jenë më të përafërt me ta.

“PDK ka dashur të sqarojë gjendjen që ndodhet vendi si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë politik e në shëndetësi. Ndërkaq LDK, si parti institucionaliste, slogani i saj është i qartë se për të më e rëndësishme është shteti. Ndërsa te VV, slogani i tyre ka të bëjë më shumë për luftën ndaj korrupcionit e krimit të organizuar”, sqaroi ai

Lidhur me vizitën e Kurtit dhe Vjosa Osmanit në veri të Mitrovicës, që shkaktoi probleme, analisti Qerimi theksoi se këtu u pa qartë se në çështjet nacionale partitë politike duhet të jenë unikë dhe që gjatë fushatës zgjedhore, veprime të tilla nuk duhet shfrytëzuar për poena politikë.

“Veriu i Kosovës është më shumë se fushatë zgjedhore, është çështje strategjike, që, në bashkëpunim me ndërkombëtarët, mund të zgjidhet kjo çështje e ndjeshme”, deklaroi analisti Qerimi.

Që të zgjidhen çëhtjet jetike për vendin, duhet krijuar një qeveri pa vija të kuqe, një qeveri me koalicion të gjerë, të fortë.

Tutje ai foli edhe për çështjen e presidentit të vendit, që vendi tani është me ushtrues detyre të presidentit dhe pas konstituimit të Parlamentit dhe organeve tjera, duhet njëkohësisht të zgjidhet edhe presidenti i vendit.

“Sa përket çështjes së zgjedhjes së presidentit të vendit, Qerimi theksoi se ky insitutcion i takon partisë së parë ose të dytë, sepse mund ta fitojë legjitimitetin përmes votave, ndërkohë që është shumë vështirë ta fitojë dikush nga partitë më të vogla, rrejdhimisht, AAK nuk mund ta fitojë postin e kryetarit të vendit edhe nëse bëhet bashkë me VV. Po kështu as Vjosa Osmani nuk ka gjasa as teorike e as praktike ta marrë postin e presidentit, ndonëse kanë lidhur aleancë me LVV, që, sipas mendimit tim, ajo ishte sa për të fituar më shumë mbështetje nga masa ky subjekt politik”, theksoi Qerimi.

Më tej, analisti Qerimi dha një mesazh për qytetarët e vendit lidhur me dhënien e votës ndaj partive politike.

“Mesazhi im është që qytetarët të kenë vëmendjen te partitë politike që t’i përcjellin, t’i analizojnë programet e tyre e jo fjalimet që shkaktojnë përçarje”, përfundoi ai./RTKLive


MË SHUME NGA Lajme