Rumano: Hapi i parë, verifikimi i fakteve nga përgjimet
BKT
Shqipëri

Rumano: Hapi i parë, verifikimi i fakteve nga përgjimet

“Pas dokumentacionit të sjellë nga pala italiane do të verifikohen në Shqipëri të gjitha provat me dokumentacionet përkatëse”.

Kështu ka deklaruar në studion e Ditari në A2 CNN avokati Gentian Rumano, pas nisjes së hetimeve nga SPAK në lidhje me përgjimet e Antimafias italiane lidhur me dyshimet për pastrim parash nga Ndragheta në Shqipëri.

Sipas tij SPAK ka detyrimin ligjor të nisë hetimet pas indicieve, të cilat janë në mënyrë sipërfaqësore, por që do të duhet të verifikohen gjatë hetimit.

“SPAK është vënë në dijeni të disa përgjimeve nga ana e Antimafias italiane, ka detyrimin ligjor të nisë hetimet që krijojnë indicien për fillimin e një hetimi. SPAK ka filluar hetimet ndaj organizatës Ndragheta. Ne jemi të informuar në mënyrë sipërfaqësore për disa përgjime dhe pasi të mbërrijë gjithë dokumentacioni dhe nga hetimi do të dalin akte e prova të tjera mbi zhvillime të ndryshme hetimi. Paralelisht do të pritet dokumentacioni nga pala italiane se aty janë të gjitha të dhënat që duhen konsideruar nga ana e SPAK dhe do të verifikohen në Shqipëri me dokumentacionet përkatëse”.

I pyetur se në përgjime ka edhe emra zyrtarësh të lartë, Rumano thekson se hapi i parë është verifikimi i fakteve nga përgjimet e përftuara.

“SPAK është i detyruar të hetojë vetëm për këto vepra penale, nuk kemi akuzë konkrete, apo persona konkretë, por për shkak të kompetencës së këtij institucioni është i detyruar të fillojë hetimet për këto vepra penale kryesisht grup i strukturuar kriminal.

Përgjimi është mjeti që të çon te prova, të dhënat e përftuara nga përgjimet duhet të provohen. Kurrsesi nuk mund të nisemi nga fakti që kemi disa emra të përveçëm në përgjime pa verifikuar. Hapi i parë është verifikimi i fakteve nga përgjimet e përftuara”.

Për Rumanon SPAK do të vijojë punën i palëkundur nëse verifikohen provat dhe nuk do të ketë ndikim. Dhe këtu sjell shembullin e dosjes 184 që sipas tij SPAK i ka dhënë drejtim.

“SPAK ka vijuar punën i palëkundur dhe nuk do ketë ndikim, se kur flasin provat është e vështirë që të ketë ndikim. Dosja 184 është shumë e rëndësishme që SPAK i ka dhënë drejtim. Për shkak të kompetencës nuk ishte e SPAK kjo dosje. Nga të dhënat e dosjes duhet të shqyrtohet nga prokuroritë e zakonshme dhe jo nga SPAK. Ajo është hetuar për mbi 3 vjet dhe nuk ka vend për grup të struktura kriminal dhe i kaloi prokurorisë së Dibrës. Reforma do të japë frytet e veta dhe do ketë rezultate”.


MË SHUME NGA Shqipëri