Basha prezanton programin për mirëqenie sociale
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, prezantoi sot nga selia blu programin "Shqipëria fiton mirëqenien sociale", për të cilën tha se ka bashkëpunuar me specialistët më të mirë të fushës.
Teksa hodhi akuza ndaj qeverisë Rama, kryedemokrati premtoi se do të rrisë pensionet për 650 mijë pensionistë, 2 herë më shumë se norma e inflacionit, të paktën 5% çdo vit.
Basha gjatë fjalës së tij tha se do të angazhohet që të dyfishojë asistencën ekonomike për personat në nevojë.
"Njerëzit me aftësi të kufizuara do të jenë pjesë reale e vendimmarrjes të qeverisjes së PD", premtoi kryedemokrati.
Ai theksoi më tej se nëse vjen në pushtet, do të realizojë subvencionim të plotë të interesave për kredi bankare për shtëpi për 20 mijë çifte të reja, njofton euronews.albania
“5000 të tilla në vit gjatë katër viteve të para, 20 000 çifte dhe familje të reja do të përfitojnë subvencionimin 100% të interesave të kredive që do të marrin për banesën e tyre”, u shpreh kryedemokrati.
Kreu i PD-së u zotua se për çdo të porsalindur, do të ketë 3000 lekë të reja çdo muaj deri në moshën 5 vjeç.
“Me këtë plan Shqipëria fiton! Së bashku do të largojmë këtë qeveri më të keqen e këtyre 30 viteve dhe do të hapim rrugën e ndryshimit që meriton gjithë secili prej jush”, përfundoi Basha.























