Vetingu konfirmon në detyrë drejtorin e policisë së Vlorës Artion Duka
Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit të zyrtarëve të policisë vendosi sot të konfirmojë në detyrë drejtorin e policisë së Vlorës, Artion Dukën.
Në tre komponentët e vlerësimit Duka ka rezultuar pa probleme duke garantuar kështu pozitën e tij drejtuese në policinë e shtetit.
Drejtori i policisë së Vlorës ka një karrierë të gjatë. Ai më parë ka qenë drejtues i Forcave Operacionale dhe më herët ka drejtuar komisariatin Nr.1 në Tiranë.
Komisioni rinisi shqyrtimet për të vetuar zyrtarët e policisë pas rreth dy muajsh pushim. Në përgjithësi vetingu ka ecur me ritme tejet të ngadalta. Për këtë deputeti socialist Sadi Vorpsi, gjatë mbledhjes së nënkomisionit për monitorimin e procesit, ka kërkuar rishikim të ligjit për vetingun në polici, njofton euronews.albania.
Deri më sot janë 32 zyrtarë të lartë të policisë dhe gardës që kanë dalë përpara vetingut, prej tyre 5 janë dorëhequr, 4 janë shkarkuar dhe 23 janë konfirmuar në detyrë. Ndërkohë përpara procesit 263 punonjës u dorëhoqën.























